Industria globale e turizmit çdo vit mblidhet në një nga panairet më prestigjioze në botë, ITB Berlin 2026. Ky event ndërkombëtar sjell së bashku qindra vende, mijëra kompani dhe profesionistë të turizmit, të cilët prezantojnë destinacionet, ofertat dhe projektet më të reja turistike.
Edhe këtë vit, Shqipëria u prezantua me një stendë të veçantë, duke promovuar bukuritë natyrore, kulturën dhe potencialin e saj turistik për tregun ndërkombëtar. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në këtë panair ndërkombëtar dhe interesin në rritje të tregjeve europiane për destinacionet shqiptare.
“Është një destinacion gjthmonë e më i kërkuar në rang vendi, por kemi dhe destinacione të reja që janë të pazbuluara nga klientela globale dhe ne synojmë që t’i zbulojmë”, tha Gonxhja.
Turizmi konsiderohet shumë i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Sipas ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ky sektor ka qenë një nga motorët kryesorë të zhvillimit dhe një mundësi e rëndësishme për rritjen e investimeve dhe punësimit në vend.
Autoritetet theksojnë se interesi për Shqipërinë si destinacion turistik është në rritje, veçanërisht nga tregjet europiane.









