Zbardhet ngjarja e rëndë e ndodhur pasditen e sotme në Lezhë, ku u plagosën me thikë dy persona. Sipas burimeve zyrtare nga policia, ngjarja ka ndodhur në ishull-Lezhë, në ambientet e një berberhane. Shtetasi D. K., 40 vjeç, është konfliktuar me pronarin e objektit, shtetasin R. Sh., 24 vjeç.
Gjatë konfliktit janë përfshirë edhe shtetasi B. D., 35 vjeç (daja i pronarit), si dhe shtetasi A. Z., 52 vjeç, i cili ka qenë klient në momentin e ngjarjes.
Shtetasi D. K. ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasit R. Sh. dhe A. Z., të cilët kanë marrë dëmtime në pjesën e dorës, ndërsa shtetasi B. D. nuk ka pësuar dëmtime.
Të dëmtuarit janë transportuar në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku kanë marrë ndihmën mjekësore dhe më pas janë paraqitur në Komisariat për të bërë kallëzim lidhur me rastin.
Autori i dyshuar, shtetasi D. K., është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Gjithashtu, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjeti prerës (thika).
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Kujtojmë se më 1 shkurt një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi në fshatin Rrilë të Lezhës. Disa persona u përfshinë në konflikt fizik dhe hapën zjarr me breshëri ndaj një berhenaje, ku mbeti i plagosur shtetasi Sokol Daci, pronari i biznesit. Policia ka shpallur në kërkim katër persona dhe ka arrestuar një efektiv policie.











