Mbrëmjen e kësaj të marte, më 24 mars, historiani dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme Paskal Milo ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në TV Klan, ku ka kujtuar bombardimin e NATO-s ndaj Serbisë, 27 vite më parë.
Gjatë kësaj interviste, drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu e pyeti Milon, për takimin e liderëve të Ballkanit të zhvilluar në Kretë më 4 nëntor 1997, ku kryeministri i asaj kohe i Shqipërisë, Fatos Nano, u takua me liderin serb Sllobodan Millosheviç.
“Takimi nuk u bë në rang delegacionesh sepse ne u kishim vënë kusht. Sepse ne thamë që në bisedime duhet të shtrohet çështja e Kosovës. Refuzoi Millosheviçi dhe e lamë ne. Ne hoqëm dorë nga takimi dhe vetëm pasi hëngrëm drekën, ishim ulur të gjithë bashkë, duke dalë në derë aty u takua Nano me Millosheviçin, aty i shtrënguan dorën njëri-tjetrit dhe është ajo fotografia… aty Millosheviçi i propozoi Nanos:’takohemi?’. Dhe ai i tha: ‘Po takohemi’.
Dhe u takuan vetëm për vetëm, në orën 4 pasdite, pa delegacione, në katin e dytë të asaj ndërtese ku ne ndodheshim, takim që ka zgjatur rreth 90 minuta dhe që unë në atë kohë nuk e mbështeta për hir të së vërtetës.”, u shpreh Milo.
Më tej, ish-ministri sqaroi se nuk ishte dakord, për shkak se Nano dhe Millosheviçi u futën vetëm në takim dhe nuk dhanë detaje të plota mbi çfarë biseduan: “Asnjë gjë. Ata u futën vetëm. Nano e ka dhënë versionin, por është një version i cekët, jo i plotë, i padetajuar se çfarë është folur në 90 minuta.”
Edhe nga pala jugosllave, Milo tha se ka vetëm deklarata me fjalë të përgjithshme. “Ata pas takimit dolën dhe bënë një konferencë shtypi, kishte gazetarë që i prisnin prapa derës, bënë deklarata të rrumbullakosura pa thënë asgjë në thelb për çfarë kishin biseduar.”, sqaroi Milo.
Çfarë personazhi ka qenë Millosheviçi? Ishte një nga pyetjet e tjera që Fevziu i drejtoi Milos.
Ish-ministri u shpreh: “Në pamje të parë, ai tregonte një intelektual sepse ishte i formuar, fliste anglisht. Kishte punuar në SHBA. Arsimin e kishte të plotë dhe profesional, përveç aspektit politik që tashmë kishte një përvojë politike relativisht të gjatë. Por ishte një njeri që kërkonte gjithmonë që të imponohej, nuk ishte një njeri që mund të qëndronte në pozita të barabarta. Edhe kur e kërkoi takimin në Kretë. Se ne ishim përgatitur për takimin, kishim marrë edhe pëlqimin amerikan ta takonim. Pritësit e takimit ishin grekët dhe atyre u interesonte që shqiptarët dhe jugosllavët të mund të takoheshin në Kretë, meqë ata ishin pritësit e një samiti siç ishte ai i Evropës Juglindore. Ishte një plus për ta.”
Çfarë e bëri Millosheviçin të besonte se mund t’i rezistonte misionit të NATO-s? Paskal Milo beson se ishin dy arsye kryesore.
“E para se ai nuk besonte se NATO dhe SHBA-të vërtetë do të shkonin deri në fund në sipërmarrjen e tyre për ta goditur. Aty e kishte shpresën gjithmonë, sepse mendonte që vende të tilla si Franca, Italia apo ndonjë vend tjetër, do të mund të refuzonin që të sulmohej një vend europian me të cilin kishin patur dhe kishin marrëdhënie të ngushta.”, tha Milo. Sipas tij, Millosheviçi besonte në një thyerje brenda Aleancës mbi çështjen.











