Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën, nën drejtimin e kryetares Ina Zhupa, zhvilloi sot një seancë dëgjimore për shqyrtimin e ndryshimeve në ligjin “Për librin në Republikën e Shqipërisë”. Në qendër të diskutimeve ishte përshtatja e legjislacionit me epokën digjitale dhe mbështetja financiare për autorët shqiptarë.
Kreu i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri, theksoi para deputetëve se ligji aktual i vitit 2006, pavarësisht ndërhyrjeve të mëparshme, ka mbetur pas zhvillimeve teknologjike. Sipas tij, projektligji i ri sjell një strukturë të plotë rregullatore për librin digjital (e-book).
“Projektligji i ri ka për qëllim rritjen e nivelit të leximit, mbështetjen e qëndrueshme për operatorët dhe botuesit, si dhe përmirësimin e aksesit në libra për personat me aftësi të kufizuara,” u shpreh Ymeri.
Ai sqaroi se ndryshimet nuk krijojnë kosto shtesë për buxhetin, por synojnë një përdorim më efikas të fondeve ekzistuese dhe harmonizim me praktikat evropiane.
Dyfishohet fondi i QKLL
Gjatë seancës, Drejtoresha e Politikave për Artin dhe Kulturën në Ministri, Irena Prici, bëri të ditur një rritje të ndjeshme të mbështetjes financiare për vitin 2026.
Buxheti i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL) është dyfishuar, duke kaluar nga 10 milionë në 20 milionë lekë të reja.
“Duhet bërë edhe më shumë, por duke pasur parasysh mundësitë, i kemi dhënë prioritet kësaj qendre në funksion të librit dhe mbështetjes së krijimtarisë në gjuhën shqipe,” theksoi Prici.
Në mbledhje ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të institucioneve kulturore, përfshirë drejtoreshën e QKLL, Esmeralda Bardhyli, drejtoreshën e komanduar të Bibliotekës Kombëtare, Majlinda Bami, si dhe përfaqësues të shtëpive botuese, të cilët diskutuan mbi ndikimin e këtyre ndryshimeve në tregun e librit.











