Ka kaluar një vit nga fjalimi tronditës i nënpresidentit amerikan JD Vance në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku ai akuzoi Europën për politikat mbi emigracionin dhe lirinë e shprehjes.
Që atëherë, administrata Trump ka përmbysur rendin tradicional të marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve europianë. Uashingtoni ka vendosur tarifa ndëshkuese, ka ndërmarrë veprime të forta ndaj Venezuelës dhe ka ndjekur një politikë të paqëndrueshme për luftën në Ukrainë.
Një nga momentet më të tensionuara ka qenë kriza për Groenlandën, pasi Donald Trump ka deklaruar se dëshiron ta marrë nën kontroll ishullin për arsye sigurie.
Danimarka ka paralajmëruar se një veprim i tillë do të rrezikonte vetë themelet e aleancës së NATO-s. Edhe pse kriza është shmangur për momentin, ajo ka ngritur pikëpyetje serioze mbi të ardhmen e marrëdhënieve të sigurisë mes SHBA-së dhe Europës. Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së i kërkon Europës të marrë përgjegjësi më të madhe për mbrojtjen e saj.
Ekspertët paralajmërojnë se kjo përfaqëson një shkëputje nga politika amerikane e pas Luftës së Dytë Botërore. Mosmarrëveshjet mes palëve shtrihen edhe në tregti, emigracion dhe të drejtat demokratike. Ndërkohë, lufta e Rusisë në Ukrainë po hyn në vitin e pestë, duke e bërë situatën edhe më të brishtë.
Pyetja kryesore që shtrohet sot është nëse neni 5 i NATO-s, për mbrojtjen kolektive, vazhdon të funksionojë realisht. Konferenca e Sigurisë në Mynih pritet të japë disa përgjigje për të ardhmen e aleancës transatlantike, edhe pse ato mund të mos jenë ato që Europa shpreson. /A2











