Këtë të martë, 10 mars, u mbajt një konferencë për mediet sa i takon reformës dhe hetimit të krimeve zgjedhore.
Sipas kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, Reforma Zgjedhore duhet të synojë përmirësimin e problematikave të evidentuara në zgjedhjet e mëparshme, parlamentare, lokale apo të pjesshme.
“Të forcohet integriteti i procesit zgjedhor”, theksoi kryekomisioneri, duke shtuar se Kodi Penal ka një kapitull të veçantë sa i takon shkeljeve në zgjedhje. Dispozita, tha ai, që mjaftojnë për të krijuar një bazë të mirë ligjore.
Reforma Zgjedhore, nënvizoi më tej, duhet të përfundojë deri në qershor të këtij viti.
Kujtojmë se ekspertët e KQZ-së kanë gati tanimë ‘arkitekturën’ e projektligjit të ri për financimin e partive politike, i cili është i hapur për sugjerime nga të gjithë aktorët dhe shoqëria civile.
Në sugjerimet e tyre, përcaktohen ndalime dhe sanksione për financimet që vijnë nga institucionet qeveritare ose joqeveritare të huaja, shtetasit e huaj, personat anonimë, investuesit strategjikë apo që operojnë në bizneset e lojërave të fatit, personat që kanë kontrata koncesioni.
Një nga diskutimet e hapura është edhe ai për financimin e fushatave zgjedhore, që aktualisht përcaktohet në Kodin Zgjedhor, nëse do të duhet të përfshihet në projektligjin e financimit të partive apo të mbetet në ligjin elektoral. Ky projektligj është parakusht për procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.
Për Reformën Zgjedhore, diplomatët e OSBE/ODIHR-it kanë bërë thirrje herë pas here që deputetët të angazhohen seriozisht për zbatimin e rekomandimeve pas zgjedhjeve të fundit.
“Ka ende probleme të lidhura me legjislacionin zgjedhor, të cilat, nga këndvështrimi ynë, tregojnë se ligji nuk është ende aty ku duhet të jetë. Ky është një vlerësim dhe një rekomandim i vazhdueshëm i misionit të ODIHR”, ka deklaruar 1 muaj më parë ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, duke kujtuar se kjo çështje është adresuar në mënyrë të përsëritur në raportet e mëparshme.
Ndërkohë,eksponentë të mazhorancës janë shprehur se “Zgjedhorja” duhet finalizuar në korrik 2026.
“”Në zgjedhjet vendore të 2027-ës duhet të shkojmë me ndarjen e re administrativo-territoriale. Prandaj, komisioni i posaçëm duhet të ketë sjellë për votim brenda kësaj legjislature ndarjen e re e cila të udhëhiqet nga nevoja e thellimit të reformës aktuale duke reflektuar edhe ndryshimet shumë domethënëse të këtyre viteve, qoftë nga demografia, por edhe teknologjia“, ka thënë kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Nisur nga sa më sipër, bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm parlamentar për këtë reformë, socialisti Damian Gjiknuri dhe demokrati Oerd Bylykbashi, i kanë kërkuar zyrtarisht asistencë teknike dhe ekspertizë profesionale OSBE-ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.










