Duke komentuar vendimin e Kushtetueses për Belinda Ballukun, kryeministri Edi Rama tha sot se me këtë brutalitet të rilegjitimuar vetë Presidenti mund të pezullohet nga një prokuror.
“Kështu që, ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir çartja antidemokratike e pezullimit të një anëtari qeverie dhe ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Gjykatës Kushtetuese për të marrë një vendim sa të thjeshtë, – është vendim shumë i thjeshtë se mjafton të marrësh shembull çdo vend të botës që do apo të gjithë vendet e botës bashkë dhe nuk do të gjesh dot një gjë të ngjashme, – por një vendim po aq dhe të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se lufta për drejtësi dhe për shtet ligjor demokratik, për Shqipërinë europiane në Bashkimin Europian, ka vetëm një garant, ende sot për sot, mua dhe këtë shumicë qeverisëse.











