Kryeministri Edi Rama ka shkruar përmes një postimi në “X” se në formë krejt të paprecedentë “gjykatat në vend kanë dëmshpërblyer në 92 raste gjyqtarët e përjashtuar nga sistemi i drejtësisë përmes vettingu-t”.
Ai bën me dije po ashtu se, edhe pa vendim të formës së prerë nga instancat më të larta të drejtësisë, Inspektoriati i Sigurimeve Shoqërore është detyruar të kryejë pagesat duke marrë nga fondi i pensioneve.
“A e dini se gjykatat kanë dhënë deri më tani 92 raste në favor të llumit të pastruar nga vetingu, duke u dhënë një trajtim financiar prej rreth 12 milionë Eurosh nga buxheti i shtetit – pra duke i trajtuar jo si fajtorë, po si viktima që duhen dëmshpërblyer?!
Akoma më keq, këto vendime gjykatash janë dhënë me urdhër ekzekutimi pa marrë vendimi formë të prerë (në Gjykatën Administrative të Apelit), duke e detyruar ISSH-në që nga fondi i pensioneve të kryejë pagesat për shkak të vendimit me ekzekutim!
Dhe ndërkohë, radha për të marrë lekë nga taksat vazhdon edhe përtej këtij numrit 92, që do të thotë se ato 12 milionët mund të shkojnë shumë më tepër…
Kjo quhet pavarësi e papërgjegjshme!”, shkruhet në postimin e tij.











