Shtëpia në Beverly Hills e superyllit të muzikës pop Rihanna është qëlluar me armë zjarri, sipas policisë.
Oficerët e Departamentit të Policisë në Los Angeles iu përgjigjën raportimeve për të shtëna rreth orës 13:15 me orën lokale të dielën. Një e dyshuar është identifikuar dhe është marrë në paraburgim, shkruan BBC.
Një zyrtar policie i tha CBS News, se shtëpia e shënjestruar i përkiste Rihanna-s dhe se në vendngjarje u gjetën gëzhoja të një arme automatike.

Sipas policisë, askush nuk mbeti i lënduar nga incidenti. Një burim i zbatimit të ligjit i tha gazetës Los Angeles Times se këngëtarja ndodhej në rezidencë në momentin e sulmit.
Autoritetet bëjnë me dije se e dyshuara, një grua rreth të 30-ave, ndaloi me makinë jashtë shtëpisë dhe qëlloi shtatë herë para se të largohej me shpejtësi.
Automjeti i saj u gjet rreth 12 kilometra larg shtëpisë së këngëtares, ku gruaja u arrestua. Identiteti i saj ende nuk është bërë publik.
Në shtator të vitit të kaluar, Rihanna solli në jetë fëmijën e saj të tretë, një vajzë, me partnerin e saj A$AP Rocky. Çifti ka gjithashtu dy djem, Riot dhe RZA.
Ata njoftuan për shtatzëninë e fundit të Rihanna-s gjatë Met Gala vitin e kaluar.
Lajmet për familjen nuk ishin hera e parë që çifti tërhoqi vëmendjen e mediave në vitin 2025. Në shkurt, A$AP Rocky u shpall i pafajshëm në një gjyq ku akuzohej se kishte qëlluar me armë ndaj një ish-miku.
Artistja, e lindur në Barbados dhe e njohur me emrin e saj të vërtetë Robyn Fenty, u bë e famshme në fillim të viteve 2000 me hite si Pon de Replay dhe Umbrella. Së fundmi ajo festoi 20-vjetorin e publikimit të albumit të saj të parë.
Gjatë kësaj periudhe, Rihanna ka ndërtuar edhe disa biznese të suksesshme, përfshirë markën e kozmetikës Fenty Beauty dhe një kompani të veshjeve intime. Sipas revistës Forbes, pasuria e saj vlerësohet mbi një miliard dollarë.











