Mungesa e Elisa Spiropali në votimin për rrëzimin e kërkesës së SPAK ndaj Belinda Ballukut, u vu re si një rebelim i heshtur i saj ndaj Edi Ramës dhe Grupit Parlamentar të PS. Kjo, pasi vendimi sesi do të votonin socialistët ishte miratuar paraprakisht nga Grupi me propozimin edhe publik të Edi Ramës.
Dhe në fakt, mungesa e Elisa Spiropalit apo Blendi Gonxhes në një votim të tillë të rëndësishëm u interpretua si një akt i qëllimshëm që bie ndesh me disiplinën e grupit dhe me qëndrimin zyrtar të shumicës, e cila në këtë rast ka qëndruar e unifikuar në mbështetje të Ballukut.
Ky zhvillim ka nxitur reagime të menjëhershme brenda PS-së. Taulant Balla deklaroi publikisht se do të kërkojë sqarime për mungesën e Spiropalit në votim. Kjo, nisur nga komentet e Ramës kur u pyet, i cili tha se me mungesat merret Balla. Ndërkohë, reagimi i fundit i Elisa Spiropalit përmes një postimi në rrjetet sociale është konsideruar arrogant, duke shtuar perceptimin për një klimë tensioni dhe përplasjeje mës saj dhe Edi Ramës.
Sjellja e Spiropalit duket si një përpjekje për të rikthyer vëmendjen publike drejt saj dhe që ajo vetë të ruajë një emër aktiv në politikë. Ndërkohë që ajo e ka humbur çdo rol në ekzekutiv dhe në thelb shpreh mosmirënjohje ndaj PS dhe vetë Ramës.
Kujtoni se Elisa Spiropali, e cila iu bashkua Partisë Socialiste pas angazhimit në Lëvizjen Mjaft, ka mbajtur disa nga postet më të rëndësishme në hierarkinë shtetërore dhe partiake që prej vitit 2013, përfshirë drejtimin e FRESSH, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Kryetare e Kuvendit dhe me pas ministre e Jashtme. Se çfarë kërkon një deputete 42-vjeçare që vetëm e ka fundosur PS-në në Tiranë dhe bashkinë e Kavajës, nuk dihet akoma!











