Deputetja e PD, Albana Vokshi ka publikuar në rrjetet sociale dy foto, ku shprehet indinjatë ndaj gjuhës së përdorur ndaj saj nga kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.
“Për ty Albana kam numrin 900”, tha Balla në Kuvend duke iu referuar deputetes, që e konsideroi gjuhën si ofenduese dhe seksiste. Vokshi është kundërpërgjigjur sot duke publikuar foto ku mbi mure shfaqen mbishkrime: “O 900 kontakto Taulant Ballën për korrupsion dhe k***lliqe politike!”.
“Sot në muret e Tiranës, qytetarët i kanë kthyer përgjigjen vetë. Mesazhi që po shfaqet nëpër qytet është revolta e njerëzve ndaj korrupsionit dhe lidhjeve të politikës me krimin. Kur arroganca e pushtetit përballet me zemërimin e qytetarëve, propaganda nuk mjafton më. Shqipëria ka nevojë për drejtësi dhe politikë që u shërben qytetarëve, jo për cinizëm dhe mbrojtje të korrupsionit. Zëri i qytetarëve nuk fshihet dot, as nga bojërat në mure dhe as nga propaganda e pushtetit”, shkruan Vokshi në mesazhin e saj në rrjetet sociale.









