Tetem Torajt është personi që u përplas fizikisht me deputetin Flamur Noka dhe Xhelal Mziu pas protestës së opozitës në Tiranë.
Toraj i kallëzuar në polici dy deputetët e PD dhe ka deklaruar se mbrëmjen e 20 shkurtit 2026, rreth orës 22:00, pasi kishte mbyllur biznesin e tij “Tabaco” në rrugën “Xhorxh W. Bush”, ka dalë në këmbë për t’u larguar drejt shtëpisë. Sipas tij, në zonë kishte ende njerëz, pasi protesta pranë Parlamentit dhe selisë së Partisë Demokratike sapo kishte përfunduar.
Ai tregon se ka takuar një bashkëfshatar dhe pasi janë përshëndetur, disa persona – të cilët i ka njohur nga televizioni si deputetë – janë afruar. Sipas dëshmisë, bëhej fjalë për Flamur Nokën, Xhelal Mziun, Belind Këlliçin dhe persona të tjerë.
“Deputetët janë drejtuar bashkëfshatarit duke e shtyrë. Unë jam afruar për t’i ndarë. Në këtë moment Flamur Noka po i fliste dhe po e shtynte bashkëfshatarin tim. E kam pyetur se çfarë kishte me atë djalin. Flamuri më është drejtuar me fjalët ‘çfarë je ti, polic?’ dhe ka futur duart në trupin tim duke më kontrolluar e duke më thënë ‘ku e ke armën?’”, deklaron Toraj.
Ai pretendon se pasi e kanë kontrolluar dhe kanë konstatuar se nuk kishte armë, ai u ka shpjeguar se nuk ka lidhje me policinë dhe se ishte thjesht qytetar që sapo kishte dalë nga puna.
“Xhelal Mziu më goditi me grusht në pjesën e brinjëve”, thuhet në dëshmi, ndërsa shton se të tjerët e kanë shtyrë, sharë dhe ofenduar. Ngjarja është ndërprerë nga ndërhyrja e policisë, e cila – sipas tij – i ka ndarë palët. Toraj deklaron se është larguar drejt shtëpisë i shqetësuar, ndërsa më pas ka parë se pamjet e incidentit po transmetoheshin në televizion, çka ka alarmuar familjarët e tij.
Ai është paraqitur më pas në komisariat për të bërë kallëzim penal, duke kërkuar ndjekje ligjore dhe akt mjeko-ligjor për dhimbjet në brinjë që, sipas tij, janë pasojë e goditjes.
“Jam qytetar që sapo kam dalë nga puna dhe jam dhunuar psikologjikisht e fizikisht pa asnjë arsye. Kërkoj ndjekje ligjore ndaj tyre”, përfundon ai në dëshminë e tij.











