Kryeministri Edi Rama publikoi këtë të mërkurë, 25 shkurt, disa pamje nga Portugalia, duke treguar sipas tij, se e njëjta situatë siç ka ndodhur me aksin Librazhd-Prrenjas, ka prekur edhe një bashki të quajtur Torres Vedras.
Sipas raportimeve të mediave portugeze një javë më parë, bashkia në fjalë ka raportuar 30 milionë euro dëme si pasojë motit të keq të përfshirë javët e fundit. Ato përfshijnë segmente rrugore, skarpata, mure mbajtëse, godina bashkiake, infrastruktura kanalizimesh, shkolla dhe objekte të trashëgimisë kulturore.
Vetëm në këtë bashki të Portugalisë prej 28 janarit ishin regjistruar 1 mijë e 387 incidente të lidhura me motin e keq dhe të shkaktuara nga përmbytjet, rëniet e gurëve dhe rrëshqitjet e tokës. Mes tyre është edhe kjo rrugë, që kreu i qeverisë shqiptare e publikoi si video në rrjetet sociale për të ironizuar opozitën pas reagimeve në lidhje me aksin e bllokuar në Librazhd.
Por jo vetëm në Portugali. Sant’Angleo di Roccalvecce, i njohur si fshati i përrallave në Itali, u izolua pas rrëshqitjeve të dheut dhe dëmtimeve të shkaktuara nga një valë e motit të keq. Rruga lidhëse mes dy fshatrave u mbyll pasi në asfalt u formuan çarje të shumta.
Siç raportuan mediat italiane disa ditë më parë, tashmë banorëve iu duhej të përshkronin më shumë kilometra për shkak të situatës.












