Këtë të mërkurë, më 11 shkurt, përmes dy procedurave të përshpejtuara u konstituua Kuvendi i Kosovës dhe u miratua qeveria e re e kryeministrit Albin Kurti.
Albulena Haxhiu më në fund do të jetë kryetarja e Kuvendit të Kosovës. Pas disa tentativave të dështuara në legjislaturën e kaluar, Haxhiu, me konstituimin e Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, do ta drejtojë Parlamentin.
Haxhiu në fjalën e mbajtur pas zgjedhjes u shpreh se është e hapur për bashkëpunim me opozitën dhe për transparencë.
Ajo foli po ashtu edhe për procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë.
Me 104 vota pro, 6 abstenime dhe 3 kundër u zgjodhën në bllok pesë nënkryetarët, duke e cilësuar, sipas Kushtetutës, të konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Nënkryetarët e rinj:
Ardian Gola – Lëvizja Vetëvendosje
Vlora Çitaku – Partia Demokratike e Kosovës
Kujtim Shala – Lidhja Demokratike e Kosovës
Sllvako Simiç – Lista Serbe
Emillija Rexhepi – komunitetet pakicë joserbe
Pas një ndërprerje prej disa orësh, në Kuvendin e konstituuar u zhvillua një tjetër procedurë e përshpejtuar, ajo për formimin e qeverisë së re.
Para votimit, mandatari i qeverisë, Albin Kurti, mbajti fjalën e tij, ekspozenë, para deputetëve, ku paraqiti prioritetet dhe drejtimet kryesore të qeverisjes në mandatin e ri.
Ai theksoi arritjet e mandatit të kaluar, veçanërisht në aspektin ekonomik, duke përmendur rritjen ekonomike, masat sociale dhe mbështetjen për sektorë të ndryshëm.
Në fjalimin e tij, Kurti u ndal edhe te proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Kryeministri deklaroi se kërkesat e Prokurorisë së Specializuar, bien ndesh me të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës.
Pas një fjalimi të gjatë, ai bëri me dije dhe emrat që propozonte për formimin e kabinetit të ri qeveritar, të cilët më pas u miratuan me 66 vota pro, 49 kundër si dhe asnjë abstenim, duke hapur kështu një kapitull të ri qeverisës për Kosovën.
Pas votimit, kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e rinj bënë betimin dhe më pas u mbyll zyrtarisht seanca e jashtëzakonshme.
Kabineti i ri i qeverisë së Kosovës:
Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca
Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla
Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim ekonomik, Fikrim Damka
Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Hekuran Murati
Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Andin Hoti
Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci
Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla
Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia
Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Ceku
Ministër i Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci
Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha
Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane, Mimoza Kusari
Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli
Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç
Ministër për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri











