Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të shqyrtojë ditën e martë, në 24 mars, kërkesën e ish-Presidentit Ilir Meta për zbutjen e masës së sigurisë.
Gjyqtari që do të shqyrtojë kërkesën e Metës është Paulin Çera. Meta depozitoi kërkesë tjetër në Gjykatën e Posaçme, ku kërkoi lirimin nga qelia kundrejt një garancie pasurore.
Konkretisht Meta ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ me një masë më të butë sigurie si ‘arrest shtëpie’, ‘detyrim paraqitje’, ‘garanci pasurore’ ose ‘ndalim i daljes jashtë shtetit’.
Meta argumentoi se meqenëse dosja është dërguar tashmë për gjykim, nuk ekziston rreziku që ai të prishë provat apo të ndikojë mbi dëshmitarët.
Ish-presidenti mbahet në burg që prej tetorit 2024 dhe përballet me akuza për korrupsion në lidhje me aferën CEZ-DIA, kontrata lobuese të LSI-së në SHBA, si dhe për pastrim parash e fshehje pasurie.












