Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka vizituar në Spitalin e Traumës punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët mbetën të plagosur gjatë protestës së opozitës.
Lamallari dënon ashpër dhunën ndaj uniformave blu, duke theksuar se përdorimi i molotovëve dhe mjeteve të tjera të rrezikshme ndaj efektivëve që ishin në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë është i papranueshëm.
Ai ngriti gjithashtu shqetësimin për përfshirjen e të miturve në akte dhune, duke e cilësuar këtë si një akt të rëndë manipulimi dhe shfrytëzimi. Sipas tij, përdorimi i fëmijëve për të ndezur molotovë apo për të hedhur fishekzjarre ndaj institucioneve përbën një shkelje të rëndë dhe një përgjegjësi penale për ata që i nxisin.
“Në Spitalin e Traumës për të parë nga afër punonjësit e Policisë së Shtetit të plagosur nga molotovët dhe mjetet e rrezikshme teksa ishin në krye të detyrës për të garantuar rendin dhe sigurinë e qytetarëve. Sulmet ndaj uniformës së shtetit janë të patolerueshme!
Mjerim i madh e pabesi të vësh përpara të miturit, t’i shtysh të ndezin molotovë dhe të hedhin fishekzjarre ndaj institucioneve e punonjësve të Policisë së Shtetit. Kjo nuk është protestë, por akt i pastër manipulimi dhe shfrytëzim kriminal i të miturve.“, tha Lamallari.
Ministri shtoi se autorët, organizatorët dhe nxitësit e dhunës do të mbajnë përgjegjësi: “Ne do të qëndrojmë fort në mbrojtje të ligjit, institucioneve dhe çdo qytetari të Republikës së Shqipërisë.”
Protesta e sotme u shoqërua nga disa incidente, pasi pati shpërthime të njëpasnjëshme me molotov, fishekzjarre e flakadanë që u hodhën drejt Kryeministrisë dhe të tjera institucioneve me rëndësi. Policia u përgjigj me gazlotsjellës dhe ujë me presion.
Nga këto incidente, mbetën të lënduar 6 efektivë policie, ndërsa edhe një qytetari i ra të fikët. Gazit lotsjellës nuk i shpëtoi as kryetari i PD-së Berisha, të cilit iu deshën disa minuta të merrte veten











