Përgjigja fillestare e Iranit ndaj propozimit të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës nuk ishte pozitive, tha një zyrtar i lartë iranian për ‘Reuters’, duke shtuar se Teherani ende po e shqyrtonte atë.
Zyrtari vuri në dukje se përgjigja fillestare e Iranit iu dorëzua Pakistanit për t’u transmetuar në Shtetet e Bashkuara.
Irani ka shqyrtuar propozimin prej 15 pikash të Donald Trump për t’i dhënë fund luftës dhe “i konsideron kërkesat të tepërta”, sipas një zyrtari të cituar nga televizioni shtetëror iranian.
Sipas tij, Teherani po thotë se fundi i armiqësive do të ndodhë vetëm kur të përmbushen kushtet e tij, duke theksuar se “Irani do ta përfundojë luftën në kohën që zgjedh vetë, me kusht që të përmbushen kushtet e tij”.
Zyrtari theksoi gjithashtu se “Irani nuk do ta lejojë Trumpin të caktojë afatin kohor për përfundimin e luftës”.
Sipas të njëjtit informacion, Teherani e informoi Uashingtonin përmes një kanali ndërmjetës se do të vazhdojë të mbrohet, duke përcaktuar pesë kushte kryesore sipas të cilave mund të bjerë dakord për t’i dhënë fund konfliktit.
Këto përfshijnë ndërprerjen e “sulmeve dhe vrasjeve” dhe krijimin e mekanizmave specifikë për të siguruar që Irani të mos jetë përsëri në shënjestër. Në të njëjtën kohë, pala iraniane po kërkon garanci të qarta për pagesën e kompensimit për dëmet e shkaktuara nga lufta, si dhe ndërprerjen e armiqësive në të gjitha frontet dhe për të gjitha organizatat që marrin pjesë në konfliktet në rajon.
Përveç kësaj, Teherani po kërkon njohje ndërkombëtare dhe garanci në lidhje me sovranitetin e tij mbi Ngushticën e Hormuzit, një kalim kyç për lundrimin ndërkombëtar dhe tregun e energjisë.
Zhvillimet vijnë mes deklaratave kontradiktore në lidhje me atë nëse negociatat janë duke u zhvilluar. Zyrtarët pakistanezë konfirmuan më parë se Irani kishte marrë propozimin amerikan me 15 pika për t’i dhënë fund agresionit që i atribuohet SHBA-së dhe Izraelit.
Donald Trump ka pohuar se Uashingtoni është në bisedime me Teheranin për një armëpushim, duke thënë se SHBA-të po flasin me “njerëzit e duhur” në Iran dhe se ata “duan shumë të bëjnë një marrëveshje”.
Megjithatë, zyrtarët iranianë kanë mohuar vazhdimisht se po zhvillohen negociata të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara.











