shtë mbyllur mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion për heqjen e imunitetit si deputete të Belinda Ballukut. Kjo e fundit është pezulluar nga detyra si zv.kryeministre e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërsa SPAK kërkon arrestimin.
Pas përfundimit të mbledhjes, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, u shpreh se PS nuk është dakord me arrestimin e Ballukut, por se çështja do të diskutohet. Ai mbrojti idenë e dhënë nga anëtari socialist i Këshillit, Ulsi Manja, i cili deklaroi se mjaftojnë masat e marra ndaj Ballukut.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e akuzoi Ballukun se ka tentuar të ndërhyjë te dëshmitarët, nëpërmjet kërcënimeve apo dhënies së ryshfeteve. Akuza pati edhe në drejtim të kryeministrit Edi Rama, i cili, sipas Bardhit, kishte urdhëruar sot pesë anëtarët e Këshillit të Mandateve për t’u bërë mburojë për Belinda Ballukun.
Në Kryesinë e Kuvendit ishte kreu i SPAK, Klodian Braho, prokurorët e çështjes, Dritan Prençi e Dorina Bejko, si dhe të gjithë anëtarët e këtij këshilli.
Gjatë kohës që po mbahej mbledhja e Këshillit të Mandateve për imunitetin e Ballukut, në parlament ka shkuar edhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato. Gjatë vizitës në Kuvend, Gonzato zhvilloi një takim me bashkëkryesuesit e Reformës Territoriale, Luçiano Boçin nga Partia Demokratike dhe Arbjan Maznikun nga Partia Socialiste.
Balluku nuk ishte e pranishme në mbledhje, ndërsa ka dërguar dy avokatët e saj, Pamela Qirko (e motra) dhe Ardian Kalia.
Ashtu siç pritej, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka pasur kundërshti për zvarritjen e çështjes, duke kërkuar po ashtu që mbledhja e sotme të jetë transparente për publikun.
“Në parim, mbledhjet e organeve të Kuvendit janë të hapura, hidheni për votim. Keni penguar drejtësinë për më shumë se 2 muaj, duke shkelur Rregulloren dhe Kushtetutën”, mësohet se ka thënë ai. Mirëpo, kjo kërkesë nuk është marrë parasysh nga kryeparlamentari Niko Peleshi.
Më tej, demokrati ka pyetur përfaqësuesit e Prokurorisë nëse kërkesa për heqjen e imunitetit është e bazuar në motive politike. Ai ka rikujtuar se, sipas Rregullores së Kuvendit, imuniteti i deputetit nuk hiqet në rast se konstatohet se kërkesa e prokurorisë ka prapavijë politike.
Nga ana e tyre, prokurorët janë shprehur se disponojnë prova konkrete dhe se në kërkesën për heqjen e imunitetit nuk ka asnjë indicie politike.
Mbrojtja e Ballukut mohon çdo mundësi për arratisje apo prishje provash
“SPAK të provojë kushtet kur kërkon zëvendësim mase”, kështu mësohet se ka deklaruar mbrojtja e Ballukut, sa i takon pretendimeve për ndonjë arratisje të mundshme. Më tej, avokati Kalia ka thënë se “Balluku ka zbatuar masën e pezullimit nga detyra dhe ka dorëzuar çdo dokument personal”, duke hedhur poshtë çdo lloj aludimi se “ekziston mundësia për prishjen e provave“. Theksojmë se Ballukut i është ndaluar dalja nga vendi dhe i është sekuestruar pasaporta si masë parandaluese.
Argumentet e tyre i kanë paraqitur edhe prokurorët e çështjes, duke lexuar relacionin me akuzat e ngritura.
Siç raporton gazetarja e Klan News, Klesiana Omeri, ata kanë deklaruar se “situata penale është rënduar dhe se kanë prova se disa të fortë kanë kërcënuar dëshmitarët në emrin e Ballukut”.
Nga mbledhja u larguan pas thuajse tre orësh prokurorët dhe avokatët. Anëtarët e Këshillit të Mandateve vijuan diskutimet, për raportet që do të çojnë në Kuvend, nëse duhet t’i hiqet imuniteti zonjës Balluku.
Prokurorët kanë kërkuar që Ballukut t’i hiqet imuniteti. PD ka kërkuar po ashtu që Kuvendi të votojë heqjen e imunitetit për Ballukun. Anëtari Ulsi Manja ka thënë se janë të mjaftueshme masat që janë marrë deri tani për hetimin, çka ka lënë të kuptohet se PS nuk do e japë dakordësinë për heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun. Pritet që të ketë dy raporte për votim në seancë plenare.
Pjesë nga diskutimet në mbledhje
Ulsi Manja: Këto që janë kërcënuar, janë dëshmitarë apo të pandehur?
Prokuroria: Janë edhe të pandehur të tjerë, edhe persona dëshmitarë që s’janë të pandehur.
Ulsi Manja: A janë sekuestruar të gjitha provat?
Prokurorët: Jo!
Taulant Balla: Arrestimi a nuk nënkupton edhe pezullimin e deputetit, ndërkohë që ligji nuk e lejon?
Prokuroria: Jo, sepse arrestimi lejohet nga neni 73 i Kushtetutës.
Kjo është mbledhja e tretë për rastin, e cila parashikohet të përfundojë ndryshe nga herët e shkuara, ku nuk ka pasur asnjë ecuri për daljen me një verdikt. Nëse gjithçka shkon sipas procedurës, raporti i Këshillit të Mandateve, do të trajtohet në seancën plenare të 5 marsit.
Më poshtë, disa nga pyetjet që mazhoranca u ka drejtuar prokurorëve:
1. A është ndikuar kërkesa juaj nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pezullimit? Duke qenë se pritet rikthimi i pezullimit në fuqi, a nuk konsiderohet kjo e mjaftueshme?
2. Cilat janë rrethanat konkrete dhe të reja që, sipas organit procedues, kanë lindur pas caktimit të masës ekzistuese të sigurimit dhe që kanë ndikuar në rëndimin e pozitës proceduriale, duke çuar në kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit?
3. Në çfarë date dhe në cilin moment procedural janë konstatuar këto rrethana nga Prokuroria?
4. A mund të saktësohet nëse këto rrethana kanë lindur realisht pas caktimit të masës së sigurimit, apo kanë ekzistuar edhe më parë?
5. Cilat janë faktet konkrete që, sipas Prokurorisë, provojnë përpjekje reale për ndikim mbi dëshmitarët, përtej vlerësimeve të përgjithshme që lidhen me funksionin e ushtruar nga e dyshuara? Nëse po, cilat janë provat konkrete?
Nga “s’ka urgjencë” te presioni i BE-së për vendim të shpejtë
Edhe pse kryeministri Edi Rama kishte deklaruar më parë se nuk kishte urgjencë për trajtimin e kërkesës, duke argumentuar se Balluku mund të hetohej lehtësisht ndërsa është e pezulluar, duket se kjo qasje ka ndryshuar.
Fillimisht, socialistët paralajmëruan se do të prisnin publikimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por vendimi për thirrjen e Këshillit të Imunitetit erdhi pas një kërkese të Bashkimit Europian, që vuri theksin tek nevoja për një trajtim të shpejtë të çështjes të imunitetit parlamentar, si pjesë e angazhimeve për luftën kundër korrupsionit.
Heqja e imunitetit nga Kuvendi do t’i mundësonte SPAK-ut të kërkojë masa të tjera ndaj Ballukut, duke përfshirë arrestin me burg, arrestin në shtëpi apo masa kontrolli në banesë.
Megjithatë, për këto masa, autoriteti i Kuvendit mbetet vendimtar. Për veprime të tjera si “detyrim paraqitje” apo kontrolli i pasaportës, SPAK nuk ka nevojë për autorizim parlamentar.
Ndërkohë, ndryshimet e reja në Kodin e Procedurës Penale, të cilat kërkojnë 84 vota në Parlament, nuk mund të jenë të vlefshme mbi rastin Balluku.
Këto ndryshime kufizojnë mundësinë e gjykatës për të marrë masa ndaj individëve me poste të larta shtetërore, duke përjashtuar arrestin apo pezullimin për disa kategori, por nuk ndikojnë mbi masën aktuale të pezullimit të ministres.
Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i marrë me ndarjen e votave 4-4, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë për pezullimin e Ballukut nga detyra, duke konfirmuar se është e domosdoshme që ajo të mos ushtrojë detyrën, ndërkohë që vazhdon hetimi.
Balluku është në hetim nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe për disa lote të Unazës së Madhe.
Kujtojmë se më 16 shkurt, në mbledhjen e grupit parlamentar, PS propozoi nismën për ndryshime ligjore në Kodin e Procedurës Penale. Propozimi me firmën e kryeministrit Edi Rama, ka në thelb shtatë subjekte të reja, ndaj të cilave nuk mund të shtrihet masa e sigurisë e pezullimit të detyrës.
Bëhet fjalë për Presidentin, Avokatin e Popullit, Kryeministrin, zv/kryeministrin, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Kryeministri u shpreh se vendimi për pezullimin e një ministri është skandaloz dhe i pajustifikueshëm pasi nuk cenon personin, por funksionin. Sipas tij ndryshimet e propozuara ligjore nuk cenojnë pushtetin gjyqësor dhe u shpreh se pushteti ekzekutiv është i pavarur në të drejtën e vet për të marrë vendime.
Ai nënvizoi se zv/kryeministrja Belinda Balluku i ka dorëzuar tre herë dorëheqjen, por ai nuk e ka pranuar sepse sipas tij “dorëheqje në presion dhe në cenim të pushtetit ekzekutiv nuk ka”.











