Nga ABCNews
Drejtësia nuk vihet në provë vetëm nga krimi.
Ajo vihet në provë edhe nga politika, nga presioni, nga frika dhe nga mënyra se si reagojnë institucionet kur preket vetë sistemi.
Nuk po të flasim për një vendim të vetëm gjyqësor. As për një emër të vetëm.
Po flasim për një betejë që zhvillohet në heshtje, mes ligjit dhe pushtetit.
Në qendër të saj është gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka.
Një figurë që prej vitesh ndodhet në zemër të dosjeve më të ndjeshme të vendit.
Dosje që kanë tronditur politikën, pushtetin dhe interesat e forta.
Por sot, ajo vetë është kthyer në objekt verifikimi. Një formular, një vendim i huaj dhe një proces që ngre pyetje serioze ligjore dhe institucionale.
A kemi të bëjmë me një çështje reale juridike apo me një përpjekje për delegjitimimin e një gjyqtareje që ka prekur emra të mëdhenj?
Ku mbaron e drejta dhe ku nis presioni politik? Po ndjekim faktet, dokumentet, vendimet, por edhe heshtjet.
Sepse në një shtet të së drejtës, drejtësia duhet të jetë e fortë jo vetëm kundër krimit, por edhe kur vetë ajo vihet në shënjestër.
Kohët e fundit, ndoshta jo krejt rastësisht, po ndodh një përplasje që nuk zhvillohet në sallë gjyqi, por në hapësirën mes ligjit dhe politikës. Në qendër është gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, një nga emrat që ka firmosur disa prej vendimeve më të rëndësishme të viteve të fundit.
Akuzat ndaj saj shpërthejnë publikisht në momentin kur ajo vendos masë sigurie ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, duke e kthyer menjëherë çështjen në konflikt frontal. Berisha publikon një dokument të prezantuar si vendim i Gjykatës së Janinës dhe e përdor atë për të delegjitimuar gjyqtaren dhe vendimet e saj. Denoncimi bëhet në të njëjtën ditë kur ai paraqitet në SPAK për masën “detyrim paraqitje”, një përkim që ngre pikëpyetje serioze mbi kohën dhe motivin. Avokatët e tij shkojnë më tej, duke deklaruar publikisht se vendimet e gjyqtares janë “nul”. Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme pranon se verifikimi për Gjokën ka nisur që në maj 2024, por për më shumë se 20 muaj nuk prodhoi asnjë transparencë publike. Dokumentet nuk publikohen, rezultatet mbahen të fshehta, ndërsa debati zhvillohet në media dhe jo në institucione. Paralelisht, SPAK regjistron një procedim penal pa emër, duke e mbajtur çështjen në një zonë gri ligjore.
Kur më në fund rezultatet i dërgohen KLGJ-së në janar 2026, Këshilli vendos të mos hapë procedurë verifikimi të statusit, duke ia kaluar përgjegjësinë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Një pjesë e anëtarëve theksojnë se edhe sipas të dhënave të administruara, nuk ka një vendim të formës së prerë ndaj gjyqtares. Megjithatë, fakti që ekziston një dokument i huaj, i përdorur politikisht, mjafton për ta mbajtur gjyqtaren nën presion të vazhdueshëm. Ky emision nuk shpall fajësi dhe as pafajësi. Ai ndalet te mekanizmi. Sepse kur një gjyqtare vihet nën sulm në kulmin e ushtrimit të funksionit të saj, pyetja nuk është vetëm çfarë ka ndodhur në të shkuarën, por çfarë po ndodh sot me pavarësinë e drejtësisë. Dhe kur procedurat përdoren si armë politike, rreziku nuk është për një emër, por për vetë sistemin.
Në vitin 2024, emri i gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, hyn zyrtarisht në vëmendjen e Prokurorisë së Përgjithshme. Institucioni i drejtohet Ministrisë së Drejtësisë dhe përmes saj, autoriteteve përkatëse në Greqi, me një pyetje thelbësore: A ka apo jo procedim penal ndaj saj?
Në një nga daljet para SPAK-ut, pas paraqitjes në respektim të masës “detyrim paraqitje”, Sali Berisha publikon një dokument i vjetër. Një dokument i vitit 2005, i siguruar përmes një kërkese individuale të bërë nga Fredi Beleri pranë autoriteteve greke dhe i zbardhur nga Ministria greke e Drejtësisë.
Dokumenti publikohet politikisht nga Sali Berisha dhe kthehet menjëherë në objekt debati publik.
Sali e Berisha: Ligji i miratuar me 3/5 në vitin 2016, ligji nr.96/2016, për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, parashikon në nenin 28, pika d, se nuk mund të ketë statusin e magjistratit një shtetas që është dënuar me vendim penal të formës së prerë. Sicc është dënuar Irena e 5 mbiemrave, e cila mbahet nga Altin Troplini, mbahet nga ILD-ja dhe KLGJ-ja, në përdhosje të Kushtetutës, në përdhosje të ligjit të Parlamentit, sepse u duhet për qëllime politike, duke diskretituar në mënyrë përfundimtare reformën e Sorosit të Drejtësisë.
Nga ana tjetër, ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, në një dalje televizive shprehet se kryedemokrati Sali Berisha nuk ka asnjë lloj problemi personal me gjyqtaren Irena Gjoka. Sipas Alibeajt, fisi i Irena Gjokës, me mbiemër Maneku, e kanë pritur Sali Berishën në Patos, gjatë kohës së lideri i opozitës së asaj kohe nuk hynte dot në jug të vendit, në vitet 1997-1999. Po ashtu Alibeaj shprehet se pas viteve 1997, kur PS kishte kapur sistemin gjyqësor, Irena Gjoka shihej si delja e zezë në Gjykatën e Fierit, pasi sipas tij, ishte e vetmja gjyqtare e djathtë.
Enkelejd Alibeaj: Në 1997, pas 1997, Sali Berisha e kishte shumë të vështirë që të depërtonte në jug. Në 1999 ka qenë në Vlorë, pas revolucionit komunist të 1997-ës. A e dini ju kush e ka pritur në Patos për herë të parë dhe kush kanë qenë flamurtarët e PD-së së Patosit? Fisi Maneku. Dhe Irena, një nga 7 mbiemrat e ka Maneku. Dhe unë kur kam qenë ministër i Drejtësisë kam pasur një problem me këtë zonjë. Por ama e vërteta është e vërtetë. Nga 1997 dhe më vonë, në Gjykatën e Fierit ishte vetëm një gjyqtare që quhej e djathtë. Ju e dini se ç’ndodhi pas 1997-ës me Petron. Morën edhe sistemin e drejtësisë se kështu ndodh gjithmonë. E vetmja që shihej si dele e zezë ishte Irena Maneku, sepse ishte e djathtë. Këtë e them për një gjë fare të thjeshtë. Aludimi është se kjo gjyqtare na paska një problem personal me Sali Berishën. Përkundrazi, ajo s’ka problem. Të paktën e shkuara e saj apo e familjes së saj ka qenë djathtas”.
Çfarë përmban realisht kjo dosje?
Në vitin 2002, Irena Gjoka, e cila atëherë mbante mbiemrin Maneku, ndalohet gjatë një kontrolli policor në doganën greke. Sipas të dhënave, ajo paraqet një vizë me ndërhyrje, e cila konsiderohet e parregullt. Veprimi i vetëm i autoriteteve greke është moslejimi i kalimit të kufirit. Nuk ka arrest. Nuk ka ndjekje penale. Nuk ka procedim gjyqësor.
Bëhet fjalë për një masë administrative, e parashikuar nga rregullat e zonës Shengen: Refuzim hyrjeje dhe regjistrim në sistem.
Nga ai moment, Irena Gjoka rezulton e ndaluar të hyjë në vendet e Shengenit.
Në vitin 2003, ajo tenton sërish të kalojë kufirin, këtë herë bashkë me bashkëshortin, dhe informohet se ndalimi është ende në fuqi. Më pas, përmes një avokati në Fier, ajo i drejtohet autoritetit kompetent për të kundërshtuar këtë masë. Pas këtij veprimi, dosja zhytet në heshtje institucionale. Deri në vitin 2005.
Në atë vit, autoritetet greke i drejtohen Prokurorisë për verifikime. Hetohet kryesisht. Por një element kyç mungon. Pasaporta, e cila supozohet të jetë prova materiale, nuk ndodhet as pranë Policisë, as pranë Prokurorisë. Çështja dërgohet në gjyq. Gjykimi zhvillohet në mungesë. Dhe këtu lind paradoksi.
Në vendimin gjyqësor thuhet se Irena Gjokës i është dërguar njoftim në një adresë në Janinë. Ndërkohë, po në të njëjtin vendim, thuhet se vendbanimi i saj është në Fier. Por nëse asaj i ishte ndaluar hyrja në Greqi që në vitin 2002, si mund të ndodhej ajo në Janinë për t’u njoftuar? Një kontradiktë procedurale që mbetet pa përgjigje. Prokuroria e Përgjithshme shqiptare e pranon se dokumenti i publikuar më 5 maj 2025 është autentik. Por njëkohësisht sqaron se ky dokument nuk rezulton i regjistruar në regjistrat zyrtarë të drejtësisë greke. Vetë autoritetet greke, në përgjigjen e tyre zyrtare, konfirmojnë se dokumenti nuk gjendet në sistemin e tyre. Ndërkohë, në dëshminë e penalitetit, të ardhur po zyrtarisht nga Greqia, thuhet qartë: Irena Gjoka (Shpata, Maneku) nuk është e dënuar.
Dhe pikërisht këtu, mes dokumenteve që ekzistojnë, atyre që mungojnë dhe atyre që shfaqen në momente politike të ndjeshme, ngrihet pyetja që duhet shqyrtuar. Jo për të gjykuar, por për të kuptuar se si funksionon ose dështon e vërteta institucionale.
Më 20 janar 2026 Prokuroria e Përgjithshme ka përfunduar verifikimin për gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, lidhur me deklarimet që ajo ka bërë në Formularin e Vetëdeklarimit të datës 22 prill 2016.
Ndonëse nuk ka bërë publik asnjë dokument, mësohet se nga hetimet, Prokuroria e Përgjithshme ka administruar një vendim autentik të autoriteteve greke për dënimin e Irena Gjokës, më 7 qershor 2005 nga Gjykata e Janinës.
Prokuroria e Përgjithshme deklaronte se, këto gjetje i ka përcjellë, në Këshillin e Lartë Gjyqësor si organ përgjegjës për verifikimin e kushteve. Por nga ana tjetër, Këshilli i Lartë Gjyqësor reagoi po atë ditë përmes një deklarate duke thënë se nuk kanë njoftim nga Prokuroria.
Lidhur me njoftimin e sotëm të Prokurorisë së Përgjithshme, lidhur me vendimin e miratimit të rezultateve të verifikimit të thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit datë 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka (Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ju bëjmë me dije se, deri ne orën 20:30 datë 20.01.2026, në adresë të KLGJ-së nuk ka mbërritur asnjë dokument zyrtar. Sapo shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme të mbërrijë zyrtarisht, ajo do te administrohet nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës në KLGJ, dhe më pas do të ndiqet procedura përkatëse ligjore.
Prokuroria tha se sektori i Dekriminalizimit ia ka dërguar zyrtarisht më datë 19 janar 2026 rezultatet e këtij verifikimi pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGj, i cili duhet të interpretojë rezultatet e gjetjeve.
Verifikimet nga Prokuroria e Përgjithshme u bënë mbi bazën e kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor, më datë 8 maj, 2024. Në të njëjtën kohë, për këtë çështje, SPAK po zhvillon hetime në një procedim penal pa emër.
Me një shkresë që mban datën 8 maj 2005, Prokuroria e Përgjithshme, me anë të një shkresë që mban firmën e Kostaq Belurit, i ka kthyer përgjigje Gjykatës së Posaçme, që kërkonte vënien në dispozicion të dokumentacionit, kërkesë e regjistruar në Prokurori më 7 maj 2025.
Ju informojmë se, me shkresën e datës 14.01.2025, Ministria e Drejtësisë ka përcjellë në Prokurorinë e Përgjithshme dokumentacionin e marrë nga organet ligjzbatuese greke. Bashkëlidhur kësaj praktike ju dërgojmë:
Një ndër dokumentet që i është vënë në dispozicion Prokurorisë së Përgjithshme, është edhe një pjesë e vendimit të dhënë në mungesë për Irena Gjokën, nga Gjykata e Janinës, më 7 qershor 2005.
Në vendim thuhet se, Gjykata, në një mbledhje të fshehtë, në prani të sekretarit, mori vendimin që u shpall nëpërmjet kryetares, në seancë publike.
Gjykon në mungesë të pandehurën, e shpall fajtore se: Më 24 dhjetor 2002, në orën 15:30, në Kakavijë, Qarku Janinë, gjatë një kontrolli pasaportash, iu gjetën në posedim dokumente udhëtimi të falsifikuara dhe konkretisht në vendin dhe kohën e mësipërme kishte në posedim pasaportën shqiptare me numër 1068376/98, e cila ishte e falsifikuar si më poshtë: Falsifikim i vizës në faqen 17 të pasaportës në lidhje me periudhën e vlefshmërisë dhe për këtë arsye pasaporta e mësipërme provohet të jetë e falsifikuar. Pas shpalljes së vendimit të mësipërm dëgjoi prokurorin, i cili propozoi që: Të pandehurës së shpallur fajtore, t’i jepet dënimi me 3 muaj burgim, dënim me gjobë prej 1500 eurosh, si dhe t’i ngarkohen shpenzimet e gjykimit. Pastaj Gjykata, në mbledhjen e fshehtë në prani të sekretarit, vendosi dhe shpalli menjëherë nëpërmjet kryetarit vendimin e mëposhtëm: Meqenëse Gjykata, e cila merr parasysh rëndësinë e krimit të kryer nga e pandehura dhe personalitetin e saj dhe ka synuar të vlerësojë rëndësinë e krimit; dëmin e shkaktuar dhe rrezikun e shkaktuar prej tij; natyrën, llojin dhe objektin e krimit, si dhe të gjitha rrethanat e kohës; vendit, mjeteve dhe mënyrës që shoqërojnë përgatitjen dhe kryerjen e tij, si dhe shkallën e dashjes së të pandehurës për vlerësimin e personalitetit të të pandehurës në shkallën e disponimit të manifestuar në veprimet e saj dhe në diagnostikimin e tij; në arsyet që e çuan në kryerjen e krimit në rastin që i ishte dhënë; në qëllimin që ajo synonte; karakterin e saj dhe shkallën e zhvillimit të saj; rrethanat individuale dhe shoqërore dhe jetën e saj të mëparshme dhe sjelljen e saj gjatë kryerjes së veprës, çmon se duhet t’i vendoset dënimi i referuar në dispozitiv. Gjithashtu duhet t’i ngarkohen personit të dënuar shpenzimet gjyqësore në shumën 73 euro.
Pas shpalljes së këtij vendimi, kryetarja i dha fjalën prokurorit për të propozuar konvertimin ose jo të dënimit të mësipërm të kufizimit të lirisë që iu dha të pandehurës. Prokurori pasi mori fjalën, propozoi që dënimi i mësipërm i dhënë të pandehurës të konvertohej në gjobë prej 4.40 euro dita. Pas kësaj, Gjykata, pasi u mblodh në mënyrë të fshehtë vendosi si më poshtë:
Sipas dispozitës të nenit 82, paragrafi 1 të Kodit Penal, dënimi me kufizim të lirisë, që nuk tejkalon një vit, konvertohet në gjobë ose në dënim monetar, nëqoftëse nuk përmbushen kushtet për zbatimin e dsipozitës së nenit 99 paragrafi 1 të Kodit Penal. Në rastin konkret, dënimi me kufizim të lirisë që iu dha të pandehurës nuk tejkalon një vit, prandaj duhet të konvertohet në gjobë, duke pasur parasysh se nga karakteristikat specifike të veprës dhe fakti që e pandehura është shtetase e huaj, Gjykata vlerëson se ekzekutimi i dënimit është i nevojshëm për ta parandaluar atë të kryejë vepra të reja penale dhe kështu nuk mund të urdhërohet pezullimi i dënimit të dhënë ndaj saj. Shuma e konvertimit duhet të përcaktohet, duke marrë parasysh gjendjen financiare të të pandehurës, në shumën 4.40 euro dita.
E megjithëse një vendim i tillë, që për Prokurorinë e Përgjithshme është autentik, shumë të tjerë e shohin me dyshim. Ashtu si avokati Edmond Petraj, i cili madje shkon edhe më tej, duke thënë se gjithçka është një lojë e shërbimeve sekrete greke. Avokati nga ana tjetër thekson edhe faktin e asgjësimit të provave, pra pasaportës dhe vizës për të cilat Gjykata e Janinës ka vendosur se janë të falsifikuara. Kjo sipas Petrajt është një tjetër vendim i dyshimte, pasi në këto kushte nuk mund të provohet e kundërta, për aq kohë sa ato janë asgjësuar. Edhe në vendimin e gjykatës greke shpjegohet ky moment.
Pas shpalljes së këtij vendimi, kryetarja i dha fjalën prokurorit për të bërë propozimin në lidhje me fatin e sendeve të sekuestruara. Prokurori propozoi të ratifikohej sekuestrimi i pasaportës i bërë me raportin e sekuestrimit të datës 10 shkurt 2004 të oficerëve hetues. Pas kësaj Gjykata u mblodh në mënyrë të fshehtë dhe kryetari shpalli menjëherë në seancë publike vendimin e Gjykatës. Në zbatim të nenit 373 të Kodit të Procedurës Penale, me vendimin përfundimtar të Gjykatës, urdhërohet konfiskimi i sendeve që duhet të konfiskohen. Për më tepër, sipas dispozitave, objektet që janë prodhuar nga një vepër e rëndë ose e lehtë penale e kryer me dashje, si dhe çmimi i tyre dhe ato të fituara nga to, si dhe objektet që janë përdorur ose kanë qenë të destinuara për kryerjen e një vepre të tillë, nëse i përkasin autorit ose njërit prej pjesëmarrësve, mund të konfiskohen. Në çdo rast konfiskimi, Gjykata vendos nëse sendet që janë konfiskuar duhet të asgjësohen. Në rastin konkret, në raportin e sekuestrimit të datës 10 shkurt 2004 të oficerëve hetues, u sekuestruar pasaporta e falsifikuar shqiptare e gjetur në posedim të të pandehurës, e cila duhet të konfiskohet dhe asgjësohet. Urdhërohet konfiskimi dhe asgjësimi i sendeve që referohen në këtë raport.
Avokati Edmond Petraj deklaron se çështja e Irenës Gjoka është politike dhe jo juridike, duke theksuar se nuk ekziston asnjë vendim i formës së prerë nga gjykata greke. Pretendimet e avokatit, në një farë forme shpjegohen edhe nga një tjetër shkresë që është administruar nga Prokuroria e Përgjithshme, siç është akti i prokurorit të Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë. Në këtë shkresë shpjegohet se vendimi i dhënë në mungesë për Irena Manekun (Gjokën), është urdhëruar mosekzekutimi i vendimit.
Pasi mori parasysh dispozitat e nenit 32, paragrafi 1 dhe 2, të ligjit 3345/05, sipas të cilave, dënimet e dhëna me vendime të shpallura deri në botimin e këtij ligji, me kohëzgjatje deri në gjashtë muaj, me kusht që ato të mos jenë bërë të pakthyeshme dhe të mos jenë vuajtur domosdoshmërisht deri në botimin e këtij ligji, parashkruhen dhe nuk ekzekutohen me kusht, që personi i dënuar brenda 18 muajve nga botimi i këtij ligji të mos kryejë një vepër të re penale të kryer me dashje, për të cilën ai do të dënohet në mënyrë të pakthyeshme në çdo kohë, me një dënim me heqje lirie mbi 6 muaj. Në rast të një dënimi të ri, personi i dënuar do të vuajë në mënyrë kumulative pas vuajtjes së dënimit të ri edhe dënimin e pavuajtur dhe nuk llogaritet në afatin e parashkrimit të dënimit të pavuajtur, sipas dispozitave të përgjithshme, periudha e ndërmjetme nga publikimi i këtij ligji deri në dënimin për veprën e re. Për këto arsye: Urdhërojmë mosekzekutimin e vendimit me numër 1447/05, i Gjykatës së Shkallës së Parë me tre anëtarë Janinë, me të cilin është dënuar Irena Maneku, lindur në Fier Shqipëri. E vendosim vendimin e mësipërm në arkivë.
Ky vendim është marrë për dijeni të Policisë së Janinës, Sekretarisë së Dëshmive të Penalitetit të Ministrisë së Drejtësisë dhe Sekretarisë së likuidimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë, më 13 qershor 2025.
Në një tjetër dokument që i është vënë në dispozicion Prokurorisë së Përgjithshme, konkretisht raportin procesverbaleve dhe vendimin, shpjegohet edhe mekanizmi i përdorur nga Gjykata e Janinës për të vënë në dijeni Irena Gjokën. Por në kushtet e mosgjetjes, vendimi marrë nga treshja e gjyqtarëve, në prezencë të zv.prokurorit të Shkallës së Parë, për shkak të mungesës së prokurorit dhe të sekretarit, është dhënë në mungesë.
Në seancën e sotme gjyqësore, e cila u zhvillua publike në sallë, kryetarja thirri emrin e të pandehurës, e cila nuk u paraqit, megjithëse ishte thirrur sipas ligjit. Siç rezulton nga dëshmia e dorëzimit, datë 9 shkurt 2005, vendbanim i panjohur, e policit të Rajonit të Policisë Kakavijë, Janinë, Dimitrios Liapatas, fletëthirrja me numër 408/2004, e lëshuar nga prokurori i Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë, me atë në të së cilës u thirr e pandehura të paraqitet në këtë Gjykatë, gjatë seancës së sotme, i është dorëzuar sipas ligjit dhe brenda afatit nga kryetari i Bashkisë Delvinaki, Janinë, sepse vendbanimi i të pandehurës është i panjohur. Kjo fletëthirrje është shpallur (ngjitur në mur) nga nëpunësi i Bashkisë së mësipërme, Kostas Toni, në vendin më publik të selisë së Bashkisë.
Më 23 janar 2026, gjyqtarja e Gjykatës së Posacme, Irena Gjoka, i ka nisur Këshillit të Lartë Gjyqësor dëshminë e saj në formë shkresore, duke deklaruar se nuk pasur kurrë dijeni lidhur me procesin gjyqësor dhe dënimin që është dhënë ndaj saj në mungesë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Janin në vitin 2005. Nëpërmjet kësaj shkrese drejtuar KLGJ-së, Irena Gjoka, ka shpjeguar edhe arsyen se pse ka shënuar që nuk është e dënuar në formularin e dekriminalizmit që ka plotësuar në vitin 2016.
Irena Gjoka: Fakti i hetimit dhe gjykimit nga Gjykata e Shkallës së Parë Janinë nuk është shënuar nga ana ime në formularin e dekriminalizimit, për shkak se tej çdo dyshimi të arsyeshëm provohet se nuk kam pasur dijeni në tërësi për procesin penal (hetim dhe gjykim) të zhvilluar ndaj meje. Personalisht nuk jam njoftuar, as zyrtarisht dhe as faktikisht për procesin gjyqësor administrativ apo ndonjë proces tjetër të zhvilluar ndaj meje, në gjykatat greke. As nga përmbajtja e vendimit të Gjykatës së Janinës të datës 07.06.2005, nuk rezulton të jetë mbajtur ndonjë procesverbal sekuestrimi në datën 24.12.2002 dhe as të jetë kryer ndonjë veprim tjetër me karakter hetimor. Në vendim përshkruhet se pasaporta është sekuestruar më datë 10.02.2004, por unë nuk kam qenë në shtetin grek në vitin 2004. Dënimi nuk u regjistrua kurrë në regjistrin penal, dhe për rrjedhojë, dënimi konsiderohet juridikisht sikur të mos ketë ekzistuar kurrë. Në rastin konkret vendimi i dënimit nuk është i formës së prerë dhe si rrjedhojë ai nuk ka asnjë vlerë juridike në Territorin e Republikës së Shqipërisë. Si konkluzion, vendimi i dënimit jo i formës së prerë i Gjykatës së Shkallës së Parë Janinë nuk mund të përbëjë shkak për mbarimin e mandatit tim si gjyqtare, sepse ky vendim nuk cenon kushtet e zgjedhshmërisë. Në kushtet e analizuara më sipër, ky vendim konsiderohet si i paqenë. Nga analiza e sipërcituar, rezulton qartë se ILD nuk mund të fillojë procedim disiplinor ndaj meje, në funksionin e gjyqtares, sepse nuk provohet se kam kryer një vepër penale, vendimi i dënimit nuk sjell asnjë pasojë juridike. Përtej diskutimit të sipërcituar, ILD-se nuk i lejohet të fillojë një procedim disiplinor pas 5 vjetëve nga koha kur ka ndodhur shkelja e pretenduar.
Më 30 janar 2026, Këshilli i Lartë Gjyqësor, me shumicë votash nuk pranoi nisjen e procedurave për verifikimin e gjyqtares, Irena Gjoka. Shumica e anëtarëve thanë se çështja duhet t’i kalojë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Me 6 vota kundër dhe 4 pro, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk pranoi ta merrte në shqyrtim çështjen me argumentin se dosja duhet t’i kalojë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë. Këshilli i Lartë Gjyqësor do të duhet të mblidhet sërish për të miratuar një tjetër vendim, nëse do t’ia kalojë apo jo Inspektorit të Lartë të Drejtësisë fatin e gjyqtares Irena Gjoka.
KARRIERA, DOSJET DHE INCIDENTET
Irena Gjoka, aktualisht gjyqtare e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka një karrierë 32-vjeçare në sistemin gjyqësor. Karrierë që e ka nisur në vitin 1993 pasi u diplomua për drejtësi në Universitetin e Tiranës. Fillimisht u emërua në Gjykatën e Fierit, ku ka ushtruar detyrën e saj deri në korrik të vitit 2014. Në këtë kohë u emërua gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, në Tiranë. Nga dhjetori i vitit 2019, që prej themelimit, ajo është emëruar si gjyqtare në shkallën e parë të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Për tre vite, nga marsi i vitit 2021 deri në mars 2024 ajo ka qenë edhe zv.kryetare e kësaj gjykate.
Si gjyqtare e GJKKO, disa prej dosjeve më të rëndësishme të viteve të fundit, mbajnë firmën e saj. Ku më e rëndësishmja është dosja “Partizani”, për të cilën Gjoka ka qenë gjyqtare e hetimit paraprak. Masat e sigurisë për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, janë caktuar pikërisht nga Irena Gjoka.
Një nga dosjet, për të cilat Irena Gjoka u sulmua edhe nga mediat greke, ishte ajo e Fredi Belerit. Më 5 mars të vitit 2024, 10 muaj pas arrestimit, Gjykata e Posaçme e ka dënuar Fredi Belerin me dy vite burg me akuzën e korrupsionit në zgjedhje. Bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, por gjykata pezulloi dënimin me burg dhe e vuri në shërbim prove për 3 vitet e ardhshme. Seanca u ndoq nga përfaqësues të ambasadës greke, por dhe medias së shtetit fqinj apo mbështetës të tij nga Himara.
Dënimi i Belerit, u pasqyruar gjerësisht nga mediat greke, që risollën në skenë dënimin që kishte marrë në Greqi vite më parë, gjyqtarja që dënoi Belerin.
Dridhje të reja në skenën politike të Shqipërisë po shkaktohen nga zbulimi se gjyqtarja Irena Gjoka, e cila dënoi kryetarin e zgjedhur të bashkisë së Himarës, Fredi Beleris (aktualisht eurodeputet i Demokracisë së Re), është dënuar vetë në Greqi për falsifikim. Siç raportohet nga faqja e internetit himara.gr, dënimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Janinës për gjyqtaren u bë publik nga kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ky është një dënim që vetë Irena Gjoka e kishte fshehur, edhe pse kishte shërbyer për një kohë si drejtuese e përkohshme e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ndërsa kishte nënshkruar kërkesën e SPAK për çështjen “Partizani”. Megjithatë, e njëjta gjyqtare u mor edhe me rastin e profilit të lartë të Belerit dhe me rastin e zbulimeve të reja, eurodeputeti po bën thirrje për një rishikim të vendimeve që çuan në burgosjen e tij për 16 muaj dhe e privuan nga posti i Kryetarit të Bashkisë së Himarës. Siç e deklaroi ai në mënyrë karakteristike në deklaratën e tij: “Në përpjekje për të ndrequr padrejtësinë që pësova, duke u burgosur për 16 muaj dhe duke më hequr mundësinë për të marrë detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Himarës, i paraqita Gjykatës së Lartë prova të rëndësishme në lidhje me gjyqin tim të paligjshëm”.
Nga ana tjetër edhe ndaj ish-ministrit Fatmir Mediut për çështjen “Gërdeci”, Irena Gjoka ka qenë gjyqtare e seancës paraprake, po ashtu edhe për seancën paraprake në ngarkim të Ilir Metës.
Irena Gjoka është konfirmuar në detyrë në të dy shkallët në procesin e vetingut. Nga KPK në shkurt të vitit 2020 dhe në KPA në qershor të vitit 2022, ku pavarësisht dyshimeve të komisionerit publik për deklarimin e pasurisë, Kolegji arriti në përfundimin se gjyqtarja ka arritur në nivel të besueshëm të pasurisë, në nivel të besueshëm kontrollit të figurës dhe profesionalizmit.
Në formularin e vetëdeklarimit në vitin 2016, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, gjyqtarja e posaçme Irena Gjoka ka mohuar të ketë qenë e dënuar ndonjëherë. Pyetjes nëse ka qenë ndonjëherë e dënuar me vendim të formës së prerë, Irena Gjoka i është përgjigjur “jo” dhe të njëjtën përgjigje i ka dhënë edhe pyetjes nëse ndaj saj është marrë ndonjëherë ndonjë dënim gjykate, jo i formës së prerë. Po me “Jo” i është përgjigjur edhe pyetjes nëse ndaj saj ka pasur ndonjëherë hetim apo gjykim nga një autoritet shqiptar apo i huaj, nëse ka qenë ndonjëherë e ndaluar apo arrestuar për ndonjë vepër penale, apo i është dhënë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj.
Karriera e Irena Gjokes si gjyqtare, përveç dosjeve te rëndësishme qe ka gjykuar, te cilat e kane vene ne shënjestër te vazhdueshme publike dhe politike, është shoqëruar edhe me incidente të renda, që ndonjëherë edhe i kane rrezikuar jetën.
Ngjarja tragjike e 6 tetorit 2025 në Gjykatën e Apelit në Tiranë ka rikthyer frikën dhe kujtesën e dhimbshme të sulmeve me armë në sallat e gjykatave shqiptare, si rasti i plagosjes në Fier, të gjyqtares Irena Gjoka, që në atë kohë mbante mbiemrin Maneku. Gjyqtare, e cila vitet e fundit ka qenë në shënjestër të familjes Berisha dhe Meta, pasi shorti e përcaktoi për të shqyrtuar çështjen në ngarkim tyre në Gjykatën e Posaçme, ku ajo ushtron funksionin aktualisht.
Emri i gjyqtares së GJKKO, Irena Gjoka vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes si një prej figurave më të përfolura dhe më të sulmuara nga politika. E përballur me një valë sulmesh publike, Irena Gjoka është kthyer sot në simbol të drejtësisë që nuk tërhiqet përballë presioneve politike.
Por ngjarja e rëndë në Tiranë, ku gjyqtari Astrit Kalaja humbi jetën në mënyrë tragjike, ka tronditur sistemin e drejtësisë dhe ka hapur sërish debatin për mungesën e sigurisë në institucionet gjyqësore. Në Fier, kjo tragjedi ka rikthyer kujtimet e dhimbshme të vitit 2007, kur më 18 janar të atij viti gjyqtarja Irena Gjoka u qëllua me armë brenda ambienteve të gjykatës. Sulmi i asaj kohe u bë shkak që për herë të parë në Shqipëri, në një gjykatë të vendoseshin roje sigurie dhe detektorë metalesh në hyrje. Por, sipas shumë juristëve, këto masa nuk kanë qenë të mjaftueshme për të garantuar mbrojtjen e magjistratëve.
Më 23 nëntor 2023, gjyqtares Irena Gjoka i shtohen truprojat nga Garda e Republikës, pasi është parë e arsyeshme për shkak të sulmeve verbale që janë bërë kundër saj, edhe në rrjetet sociale, komente fyese dhe gjuhë urrejtje. Më parë ka pasur katër truproja nga Garda për shkak të detyrë, ndërsa në vitin 2023 i janë shtuar edhe 2 të tjerë. Garda do të jetë e pranishme edhe pranë banesës së saj.
Ndërkohë, mbrëmjen e 22 dhjetorit 2023, eskorta e gardës shoqëruese së gjyqtares së posaçme Irena Gjoka u përfshi në një aksident. Një punonjës police teksa udhëtonte me automjetin e tij ka goditur automjetin e punonjësve të gardës. Aksidenti u dyshua se kishte ndodhur si pasojë e lagështirës dhe shiut. Fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar, por pas momentit të aksidentit ka pasur dhe një debat mes punonjësit të policisë dhe punonjësve të gardës. Ka nisur dhe një hetim për të sqaruar këtë ngjarje. Sipas burimeve, ka qenë një efektiv i Rrugores nga Elbasani, që lëvizte me makinë me targa zvicerane. Hetuesit kanë kërkuar kamerat për të parë çfarë rregullash ka shkelur shkaktari i aksidentit, pasi njëri nga gardistët e Republikës ka thënë se ai kishte udhëtuar pas tyre nga Rinasi deri në Selitë, vend ku ndodhi aksidenti. Në Rinas, Garda e Republikës, thuhet nga Policia Kufitare se priti djalin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila prej ditësh ishte nën ruajtje me masa shtesë. Fillimisht Policia Rrugore e Tiranës raportoi se nuk kishte anëtarë të familjes së gjyqtares në makinën që po eskortohej nga Garda e Republikës. Por kjo zgjati vetëm 30 minuta, pasi Garda ka treguar itinerarin dhe kë po eskortonte. Megjithëse mekanizmi ishte i dukshëm që bëhej fjalë për aksident automobilistik, në hetim u angazhua edhe SHISH për informacione më të thelluara. Garda e Republikës i ka kërkuar tri herë personit të aksidentit që të distancohej dhe të mos hynte më eskortim, por shtetasi me detyrë polic rrugor nuk është bindur.
Çështja e Irena Gjokës nuk është thjesht një histori personale. Ajo është një pasqyrë e qartë e tensionit mes drejtësisë dhe politikës në Shqipëri.
Nga njëra anë, institucionet që verifikojnë, hetojnë dhe interpretojnë ligjin. Nga ana tjetër, një klimë presioni, dyshimi dhe polarizimi ekstrem.
Sot, ende nuk ka një vendim përfundimtar. Ka vetëm procedura. Ka vetëm interpretime ligjore. Dhe ka shumë zëra që flasin më fort se dokumentet.
Nëse ligji është shkelur, përgjegjësia duhet të vendoset. Por nëse ligji po përdoret si mjet presioni, atëherë rreziku është shumë më i madh. Sepse një drejtësi që frikësohet, nuk është më drejtësi.
Dhe një gjyqtar që gjykohet politikisht, nuk është më i pavarur. Historia na ka mësuar se goditja e drejtësisë nuk nis gjithmonë me dhunë.











