Ministri i Jashtëm iranian, Abaz Araghchi, hodhi poshtë mundësinë që Teherani të hiqte dorë nga pasurimi i uraniumit gjatë negociatave me Uashingtonin, duke këmbëngulur se vendi i tij nuk do të frikësohej nga kërcënimi amerikan për luftë.
Araghchi u shpreh në një forum të mbajtur në Teheran se Republika Islamike ka shumë pak besim tek Uashingtoni dhe madje dyshon se pala amerikane është serioze për negociatat e rinisura së fundmi.
“Pse këmbëngulim kaq shumë për pasurimin dhe refuzojmë të heqim dorë, edhe nëse na shpallet luftë? Sepse askush nuk ka të drejtë të na diktojë si të sillemi. Nuk frikësohemi nga dislokimi i tyre ushtarak në rajon,” theksoi ministri, duke iu referuar vendosjes së aeroplanmbajtëses amerikane USS Abraham Lincoln në Detin Arabik.
Ndërkohë, vendet perëndimore dhe Izraeli – i vetmi vend në Lindjen e Mesme që zotëron armë bërthamore – pretendojnë se Irani synon të zhvillojë një bombë të tillë. Por Araghchi i hodhi poshtë këto pretendime:
“Kanë frikë nga bomba jonë atomike, kur nuk kemi të tilla. Bomba jonë atomike është forca për t’i thënë ‘jo’ fuqive të mëdha,” u shpreh ai.
Deklaratat e tij erdhën një ditë pasi negociatorët amerikanë Steve Witkof dhe Jared Kushner vizituan aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln, duke sinjalizuar mundësinë e një operacioni ushtarak amerikan ndaj Iranit. Të dy ishin më pas në Oman për negociata të tërthorta me delegacionin iranian të drejtuar nga Araghchi, takim që presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi si “shumë të mirë”.
Megjithatë, pas takimit, Trump vendosi sanksione të reja ndaj naftës së Republikës Islamike dhe 14 mjeteve detare që e transportojnë atë. Ai gjithashtu nënshkroi një urdhër ekzekutiv për vendosjen e tarifave ndaj vendeve që vazhdojnë të bëjnë biznes me Iranin, pavarësisht sanksioneve amerikane.










