Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas takimit me ministren e Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropalin, e cila vizitoi sot Prishtinën.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ka ndarë detaje nga takimi, teksa ka shkruar se hekurudha Gjakovë–Shkodër në kuadër të projektit Prishtinë-Durrës do të jetë prioritet i këtij mandati. Kurti shtoi se synonte që puna për ndërtimin e kësaj hekurudhe të niste sa më parë.
Kurti shkroi se gjatë takimit me Spiropalin u diskutua për rëndësinë e mbledhjeve të përbashkëta ndërqeveritare dhe për nevojën për koordinim në politikën e jashtme.
Një prej temave kyçe të diskutimeve sipas Kurtit, ishte edhe bashkëpunimi i ngushtë mes dy qeverive për Diasporën shqiptare, veçanërisht në promovimin e gjuhës shqipe.
Postimi i Kurtit:
Kënaqësi të prisnim në Zyrën e Kryeministrisë ministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali.
Hekurudha Gjakovë–Shkodër në kuadër të projektit Prishtinë-Durrës do të jetë prioritet i këtij mandati, me synimin që puna për ndërtimin e saj të nisë sa më parë. Ky investim strategjik në infrastrukturën hekurudhore do të forcojë lidhjet ekonomike mes dy vendeve, do të rrisë qarkullimin e mallrave dhe njerëzve dhe do të kontribuojë në zhvillimin rajonal, duke afruar edhe më tej qytetarët tanë.
Po ashtu, në takim theksuam rëndësinë e vazhdimit të mbledhjeve të përbashkëta ndërqeveritare gjatë vitit 2026, si dhe nevojën për koordinim më të madh në politikën e jashtme dhe në forume ndërkombëtare. Bashkëpunimi i ngushtë për diasporën shqiptare, veçanërisht në promovimin e gjuhës dhe kulturës te gjeneratat e reja, mbetet prioritet i përbashkët dhe një faktor kyç për zhvillimin ekonomik, diplomatik dhe kulturor të të dy shteteve.











