Në podcastin e tij “Flasim”, si çdo ditë të fundit të javës, kryeministri Edi Rama foli për momentet më kyçe të javës politike.
Sot, 8 shkurt, u ndal fillimisht te vizita e tij në Vatikan, duke thënë se ishte me peshë të veçantë prezantimi i tij me Papa Leonin XIV.
“Një njeri me dritë dhe mirësi të thellë. Folëm për Shqipërinë, rajonin, botën dhe që e ftova të jetë i pranishëm në festën e madhe, për 130-vjetorin e shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë, mbrojtësja e Shqipërisë. Nuk e di a do të jetë e mundur, por ftesa u bë dhe Papa u shpreh shumë i interesuar”, tha Rama.
Më tej, foli për debatin e madh të kohëve të fundit për pagat e gjyqtarëve.
“Pretendojnë se ne duam t’u ulim pagat dhe në një insistim krejt të pajustifikueshëm, thonë se pagat e tyre po ulen për shkak se pagat e të tjerëve po rriten. Ajo që kemi bërë me reformën në drejtësi, ka qenë shprehja e vullnetit të fortë edhe në drejtim të rritjes së pagave për gjyqtarët”, tha kreu i qeverisë, duke shtuar se “kështu u thye piramida e pagave”.
“Gjykatësit nuk mund të kenë një rritje pagash të përjetshme mbi të tjerët. Shpresoj që Kushtetuesja t’i vërë vulën njëherë e mirë këtij debati absurd që e dëmton besueshmërinë e gjykatësve, padrejtësisht. Nuk janë të gjithë, janë një përfaqësi, që ka vajtur në Gjykatë Kushtetuese, ne jemi palë dhe kundër, fuqimisht kundër idesë, jo kundër tyre”, theksoi kryeministri.











