Nga Mero Baze
Mbetja në fuqi e pezullimit të Belinda Ballukut si ministre pas dështimit të Gjykatës Kushtetuese për të marrë vendim, e bën të pakuptimtë masën e dytë të sigurisë që SPAK i ka propozuar GJKKO-së, për të marrë autorizim për heqje të imunitetit të zonjës Balluku.
Masa e dytë e propozuar nga SPAK erdhi pas rezistencës së qeverisë për të pranuar masën e pezullimit si të ligjshme dhe çuarjen e saj për gjykim në Gjykatën Kushtetuese.
Tani dështimi i Gjykatës Kushtetuese, përveçse la qeverinë pa përgjigje, lë në fuqi praktikisht edhe masën e parë të SPAK-ut, atë të pezullimit të saj nga detyra.
Duke qenë se Balluku është aktualisht e pezulluar, shumica duhet të ndërpresë procedurat parlamentare për heqjen e imunitetit, pasi ka ngelur në fuqi propozimi i parë i SPAK-ut, ai i pezullimit. Ajo prej të premtes nuk është më ministre dhe si e tillë bie edhe arsyetimi se ajo ndikon në hetime.
Kërkesa e dytë e SPAK-ut në këto kushte bëhet e panevojshme dhe, meqë është në procedurë në Kuvend, mund të ndërpritet.
SPAK e argumentoi kërkesën në GJKKO me faktin se Balluku dhe qeveria rezistuan kërkesës për pezullim duke e çuar në Gjykatën Kushtetuese. Tani kjo çështje u konsumua dhe nxitimi i SPAK-ut për të kërkuar një masë të re është i panevojshëm.
Ndryshe edhe gjithë zhurma që vendimi i Gjykatës Kushtetuese godet Ballukun humbet kuptimin. Fakti që të gjithë thonë se zonja Balluku e humbi gjyqin në Kushtetuese, atëherë SPAK ka fituar të drejtën e tij për ta pezulluar.
Praktikisht Belinda Balluku nuk është më ministre dhe kërkesa fillestare e SPAK-ut është zbatuar. Beteja e qeverisë për të detyruar Gjykatën Kushtetuese të shprehet rreth ligjshmërisë që ka kjo kërkesë u rrëzua për shkak të kuorumit dhe barazimit të votave. Tani, kur Gjykata të plotësohet me nëntë vetë, qeveria mund ta përsërisë kërkesën pa e lidhur me rastin në fjalë, por duke marrë shkak nga mungesa e përgjigjes, e cila ka rëndësi për të ardhmen e ndërveprimit të pushtetit gjyqësor me atë politik.
Për zonjën Balluku, mosdhënia e përgjigjes lë në fuqi masën e parë të SPAK-ut. Tani nuk mund të zbatohen njëkohësisht dy masa ndaj Ballukut, edhe masa e parë, ajo e pezullimit, dhe propozimi i dytë që është kërkesa për heqje imuniteti për arrest. Përndryshe pastaj i bie që SPAK injoron vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullim dhe ka humbur argumentin pse ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë.











