AfD nuk mund të klasifikohet si “me siguri ekstremiste e djathtë”. Të paktën për momentin. Gjykata administrative e Këlnit i dha të drejtë partisë së drejtuar nga Alice Weidel kundër shërbimeve sekrete të brendshme, të njohura si Verfassungsschutz, ose Mbrojtja e Kushtetutës (BfV). Por jo në themel të çështjes.
Thjesht, gjykatësit kanë deklaruar se ky përkufizim nuk mund të përdoret, me gjithë pasojat praktike që sjell në Gjermani, derisa gjykata të vendosë përfundimisht, në procesin kryesor tashmë në zhvillim, nëse AfD është vërtet ekstremiste apo jo. Nuk dihet ende kur do të jepet vendimi final.
Verfassungsschutz e kishte cilësuar AfD si “me siguri ekstremiste e djathtë” majin e kaluar, pas viteve të hetimeve. Ky përkufizim u jep shërbimeve të drejtën të mbikëqyrin aktivitetet e partisë, përfshirë leximin e email-eve. Sipas Kushtetutës gjermane, e cila pas luftës ndalon ringjalljen e partive me frymëzim nazist ose anti-demokratik, klasifikimi zyrtar “ekstremist i djathtë” nga BfV mund të hapte rrugën për ndalim të partisë.
Megjithatë, ndalimi i një partie nuk është i thjeshtë në Gjermani. Vendimi i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese, me kërkesë të parlamentit ose qeverisë. Kjo ndodhi në vitet ’50 me Partinë Komuniste Gjermane.
AfD u mobilizua fuqishëm kundër kësaj kërcënimi ekzistencial, duke kërkuar në maj një apel urgjent. Duhet theksuar se vendimi i Këlnit i jep një pauzë dhe frymëmarrje partisë, por nuk e shpall të pafajshme paraprakisht. Gjykata e Këlnit ka bërë edhe vërejtje kritike ndaj AfD: gjykatësit theksojnë shprehimisht “se vazhdon të ekzistojë dyshimi i fortë se partia ndjek objektiva antikushtetuese”.
Çështja nuk mbyllet këtu. Shërbimet mund të apelojnë në gjykatën administrative të shkallës së dytë, në Münster. Megjithatë, nga llogaritë zyrtare të AfD-së shpallet fitorja. Vendimi vjen në një moment kur partia po përballet me probleme të mëdha të brendshme: skandale nepotizmi, akuza për përvetësim të fondeve, dhe polemika mbi asistentë parlamentarë (njëri prej tyre as nuk jeton në Gjermani, ndonëse partia është ultranacionaliste). Këto skandale po testojnë aftësinë e Alice Weidel-it për të vendosur rregull në parti. Për momentin, megjithatë, ato nuk i kanë ulur mbështetjen AfD-së, e cila mbetet kokë më kokë në sondazhe me CDU-në e Friedrich Merz.











