Drejtoresha e Muzeut të Luvrit në Paris ka dhënë dorëheqjen disa muaj pas grabitjes së bujshme të stolive të kurorës së Francës, një ngjarje që tronditi një nga muzetë më të vizituar në botë.
Laurence des Cars i paraqiti dorëheqjen presidentit Emmanuel Macron, i cili, sipas mediave franceze, e cilësoi vendimin si “një akt përgjegjësie”.
Vjedhja ndodhi në mëngjesin e 19 tetorit të vitit të kaluar. Sipas hetimeve, autorët përdorën një platformë ngritëse mekanike të montuar në një automjet të vjedhur për të hyrë në Galerie d’Apollon (Galeria e Apollonit), përmes një ballkoni pranë lumit Senë.
Katër të dyshuarit kryesorë janë arrestuar, por tetë bizhuteritë e vjedhura, me një vlerë të përllogaritur rreth 88 milionë euro nuk janë gjetur ende. Mes tyre ishte edhe një gjerdan me diamante dhe smeralde, dhuratë e perandorit Napoleon Bonaparte për bashkëshorten e tij.
Gjatë arratisjes, grabitësit hodhën një kurorë të shekullit XIX, të zbukuruar me diamante, që i përkiste perandoreshës Eugénie de Montijo. Kurora pësoi dëmtime, por sipas njoftimit të fundit të muzeut, ajo është “pothuajse e paprekur” dhe mund të restaurohet plotësisht.
Disa ditë pas ngjarjes, des Cars pranoi publikisht se sistemi i kamerave të sigurisë në perimetrin e Luvrit ishte i vjetëruar dhe i pamjaftueshëm. Kamera e vetme që mbikëqyrte murin ku u realizua hyrja ishte e orientuar në drejtim të kundërt nga ballkoni që të çonte në galerinë ku ruheshin bizhuteritë.
Megjithëse muzeu pret mbi 8.7 milionë vizitorë në vit dhe strehon vepra të paçmueshme arti, përfshirë “Mona Lisa”-n e Leonardo da Vinci investimet në siguri kanë qenë të ngadalta. Ish-drejtoresha kishte theksuar më herët edhe sfidat buxhetore me të cilat përballen institucionet e mëdha kulturore.
E emëruar në krye të Luvrit në vitin 2021, des Cars kishte paralajmëruar planin për të dyfishuar numrin e kamerave të sigurisë.
Ndërkohë, një hetim parlamentar për dështimet që mundësuan grabitjen është në proces. Një raport paraprak i publikuar javën e kaluar foli për “dështime sistemike”, ndërsa raporti përfundimtar pritet të dalë në muajin maj.
Që prej grabitjes, Luvri është përballur edhe me një skemë të dyshuar mashtrimi me biletat, si dhe me dëme të shkaktuara nga një rrjedhje uji, duke thelluar krizën në një nga institucionet më prestigjioze kulturore në botë.











