Të rinj të armatosur me molotovë në vijën e parë dhe përplasje me policinë. Kjo ishte panorama e 10 shkurtit e servirur nga Sali Berisha dhe militantët e tij. Por sipas Nard Ndokës, ajo që do të ndodhë më 20 shkurt do të jetë dyfish më agresive. Paralajmërimin e dha në një intervistë me emisionin ‘Studio Live’ në Report TV ku zbuloi skenarët me zjarr të opozitës për protestën e së premtes.
Ndoka foli për mundësinë e një qëndrese afatgjatë, zjarre partizanësh, përqendrim më të madh para Kryeministrisë dhe madje edhe rrethim të saj. Në tryezë, sipas tij, është edhe greva e urisë nga grupi parlamentar, si dhe forma të tjera presioni që mund të aktivizohen.
“Protesta ka skenaret e veta, por është në varësi të zhvillimeve e këmbënguljes së qytetarëve. Pa diskutim që opozita do të ketë të gjithë skenaret e mundshëm. Protesta nuk do të jetë fotokopje e 10 shkurtit. Do të jetë e ashpër por edhe me forma të tjerë. Mund të jetë një qendresë afatgjatë. Do të ketë zhvillime interesante pasi kemi përballë një regjim të konsoliduar. Protesta është e vetmja mënyrë sot. As zgjedhjet nuk japin shpresë. E vetmja shpresë që ta largojmë këtë kryeministër është protesta. Ka propozime të ndryshme, që edhe të rrethohet kryeministria, të ketë përqendrim më të madh, mund të devijojë edhe në varësi të mbështetjes së qytetarëve. Mund të ketë grevë urie të grupit parlamentar, mund të ketë zjarre partizane si dikur në bulevard, e qëndresa të gjata. Janë disa skenarë, por kjo është në dorë të qytetarëve. Kjo është qëndresë dhe sakrificë. Nëse me 10 shkurt kishim një protestë agresive, me datë 20 do ta kesh dyfish më agresive’ tha ai.
Kujtojmë se në protestën e 10 shkurtit mbetën të lënduar 19 efektivë policie, të cilët pësuan djegie dhe dëmtime fizike nga hedhja e molotovëve. Ngjarja solli reagime të forta nga deputetë të mazhorancës, ku u kërkua që bombat molotov të cilësohen si “armë vdekjeprurëse” në Kodin Penal.
Protesta u kritikua edhe nga kryesuesi i Komitetit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister, i cili u shpreh se dhuna nuk ka vend në një vend demokratik.











