Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe ka njoftuar se anija RFA Lyme Bay është vënë në gatishmëri të shtuar, në rast se do të nevojitet për misione në Mesdheun Lindor.
Në një deklaratë të publikuar këtë mëngjes, një zëdhënës i ministrisë tha se vendimi është marrë si pjesë e planifikimit paraprak për situata të mundshme në rajon.
“Si pjesë e planifikimit të kujdesshëm, kemi vendosur ta vendosim RFA Lyme Bay në gatishmëri të lartë, si masë paraprake, në rast se do të jetë e nevojshme të ndihmojë në operacione detare në Mesdheun Lindor”, thuhet në deklaratë.
RFA Lyme Bay është një anije zbarkimi e pajisur edhe me ambiente dhe kapacitete mjekësore. Aktualisht ajo ndodhet në Gjibraltar. Ajo mund të transportojë trupa, automjete dhe ka edhe objekte mjekësore në bord.
Ndërkohë, Britania e Madhe po dërgon gjithashtu në Mesdhe edhe anijen luftarake HMS Dragon. Ministri i Mbrojtjes, John Healey tha një ditë më parë se anija do të largohet nga Portsmuthi brenda pak ditësh.










