Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka uruar qytetarët për Ditën e Verës nga Elbasani, kryeqendrën e kësaj feste.
Teksa theksoi se kjo festë sjell shpresë dhe frymëzim , kryedemokrati shtoi se në Ditën e Verës të vitit të ardhshëm shpreson që t’ia lënë të keqen dimrit, duke shtuar se kryeministri Edi Rama dhe ish vartësja e tij, Belinda Balluku nuk kanë të ardhme.
“Së pari, qytetarëve, banorëve të Elbasanit, sot si kryeqyteti i festës për mbarë kombin, u uroj gëzuar Ditën e Verës, festën më të lashtë jo vetëm të shqiptarëve ç’është e vërteta, por edhe të kombeve të tjera, një ditë që ngjall shpresë, frymëzon ripërtëritje, një ditë pra gëzimi. Dhe sot këtë festë shqiptarët e festojnë më të bindur se kurrë se festën tjetër të keqen ia lanë dimrit dhe Rama me Lubinë të ardhme nuk kanë më. Kjo është dita e fundit e verës që ata i gjen me karrige të thyer ashtu siç janë. Nuk e meritojnë! Ndaj dhe le të urojmë që ditën e ardhshme të verës, qytetarët e Elbasanit dhe mbarë Shqipërisë ta festojnë siç ua do zemra, ta festojnë me dyer të hapura drejt të ardhmes dhe drejt Europës.”, tha Berisha.











