Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti këtë të enjte Mjeshtrin e Madh të Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, Fra’ John T. Dunlap.
Gjatë këtij takimi, presidenti i Republikës vlerësoi historinë e suksesshme dhe të frytshme të marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Urdhrit Sovran të Maltës, si një dëshmi e marrëdhënieve shumë të mira dhe miqësore.
Në takim u shpreh vullnet i përbashkët për intensifikimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.
Kreu i Shtetit i përcolli Fra’ John T. Dunlap falënderime për ndihmën e vazhdueshme që Urdhri Sovran i Maltës i ka dhënë Shqipërisë përmes projekteve në fusha të ndryshme, si: shëndetësia, arsimi, ndihma sociale, emergjencat dhe mbrojtja civile, të realizuara nga trupa vullnetare e Malteser Albania, e cila funksionon në vendin tonë prej 3 dekadash.
Presidenti Begaj shprehu në takim frymën harmonike mes besimeve dhe feve në Shqipëri.
“Kjo harmoni, është një trashëgimi historike për Shqipërinë, e cila ka dëshmuar një shembull në këtë drejtim”, tha ai.
Me të njëjtën frymë mirëkuptimi, Shqipëria ka ndërtuar dhe marrëdhëniet me fqinjët ku ajo ka një rol te veçantë në rajonin e Ballkanit për ndërtimin e marrëdhënieve shumë të mira dhe besimit të ndërsjellë.
Urdhri Sovran i Maltës nxit dhe mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe, në këtë kontekst, presidenti Begaj i shprehu falënderime Fra’ John T. Dunlap.
“Megjithatë, Evropa e Bashkuar, do të ishte e paplotë pa Shqipërinë, Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, shtoi ai.
Në këtë kuadër, kreu i Shtetit theksoi se do të vlerësonte së tepërmi kontributin e Urdhrit Sovran të Maltës në zgjerimin e mëtejshëm të hartës së njohjeve zyrtare të pavarësisë së Kosovës, një kontribut për sigurinë dhe paqen e qëndrueshme në Ballkan.
Me qëllimin për të forcuar më tej lidhjet tashmë të konsoliduara të miqësisë dhe bashkëpunimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, Begaj u nderua me dekoratën Gjerdani i Urdhrit të Maltës “Collar Pro Merito Melitens” nga Mjeshtri i Madh i Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, Fra’ John T. Dunlap.
Ndërkohë, Mjeshtri i Madh i Urdhrit Sovran Ushtarak të Maltës, Fra’ John T. Dunlap, u nderua nga Presidenti i Republikës me dekoratën “Ylli i Madh i Urdhrit Suprem të Shqiponjës”.











