Gjashtë ushtarë amerikanë humbën jetën në Irak pasi avioni ushtarak me të cilin po kryenin një mision furnizimi për trupat u rrëzua. Ata vdiqën vetëm pesë ditë pasi shpërtheu lufta kundër Iranit.
Bëhet fjalë për gjashtë aviatorë të Forcave Ajrore amerikane, të gjithë mes 28 dhe 38 vjeç. Ata kishin familje që i prisnin në SHBA, bashkëshortë, fëmijë, prindër dhe motra e vëllezër, por nuk do të kthehen më, përveçse në arkivole të mbuluara me flamurin amerikan.
Konfirmimi i identitetit të tyre erdhi nga Pentagoni, ndërsa është hapur edhe një hetim për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
Viktimat janë majori John “Alex” Klinner, 33 vjeç nga Alabama; kapitenia Ariana G. Savino, 31 vjeç nga Uashingtoni; rreshterja Ashley B. Pruitt, 34 vjeç nga Kentucky; kapiteni Seth R. Koval, 38 vjeç nga Indiana; kapiteni Curtis J. Angst, 30 vjeç nga Ohio; dhe rreshteri Tyler H. Simmons, 28 vjeç nga Ohio.
Ata ndodheshin në bord të një avioni cisternë KC-135 Stratotanker të Forcave Ajrore amerikane, që u rrëzua në Irakun perëndimor gjatë një misioni furnizimi për trupat. Ushtria amerikane theksoi se aksidenti nuk u shkaktua nga zjarr armik apo zjarr miqësor.
Sipas një deklarate të mëparshme të ushtrisë, në incident ishin përfshirë dy avionë gjatë operacionit “Epic Fury”, emri i operacionit ushtarak kundër Iranit. Avioni i dytë arriti të ulej në mënyrë të sigurt.
Me vdekjen e tyre, numri i ushtarëve amerikanë të vrarë që nga nisja e luftës kundër Iranit ka shkuar në 13.
Major John “Alex” Klinner, 33 vjeç, nga Auburn në Alabama, linte pas bashkëshorten dhe tre fëmijë të vegjël: një djalë dy vjeç dhe dy binjakë vetëm shtatë muajsh. Familjarët dhe miqtë e përshkruan si një njeri të përkushtuar ndaj familjes dhe një lider që gjithmonë ndihmonte të tjerët. Ai kishte shërbyer tetë vjet në Forcat Ajrore dhe ishte dislokuar së fundmi për të mbështetur operacionin “Epic Fury”.
Kapitenia Ariana Savino, 31 vjeç, nga Covington në shtetin e Uashingtonit, ishte përgjegjëse për operacionet e përditshme të skuadronit të furnizimit ajror. Ajo koordinonte programin e fluturimeve dhe stërvitjet e njësisë. Miqtë e saj e përshkruan si një person energjik dhe frymëzues që ndihmonte veçanërisht gratë e reja me origjinë latinoamerikane të ndiqnin karrierë në ushtri.
Rreshteri Tyler Simmons, 28 vjeç nga Columbus në Ohio, ishte i njohur për karakterin e tij të hapur dhe buzëqeshjen që, sipas familjes, “vlente një milion dollarë”. Ai kishte luajtur futboll në shkollë dhe kishte punuar në sektorin e sigurisë para se të hynte në ushtri. Ishte fëmijë i vetëm dhe prindërit e tij treguan se momenti kur oficerët i njoftuan për vdekjen e tij ishte shkatërrues.
Rreshterja Ashley Pruitt, 34 vjeç, shërbente si instruktore për furnizimin ajror dhe ndihmonte në trajnimin e ekuipazheve për teknikat e furnizimit në fluturim. Ajo ishte futur në Forcat Ajrore në vitin 2017 dhe kishte marrë përgjegjësi të rëndësishme brenda skuadronit, duke marrë pjesë në disa misione në Lindjen e Mesme.
Kapiteni Seth Koval kishte një karrierë 19 vjeçare në ushtri. Ai kishte nisur si mekanik në Gardën Kombëtare dhe më pas ishte bërë pilot. Familja e tij tha se që fëmijë ëndërronte të fluturonte dhe se uniformën e kishte veshur gjithmonë me krenari.
Kapiteni Curtis Angst kishte studiuar inxhinieri aeronautike dhe ishte trajnuar si pilot para disa vitesh. Ai kishte marrë pjesë në disa misione ndërkombëtare dhe ishte dekoruar me disa medalje ushtarake gjatë karrierës së tij.
Të gjithë ishin pjesë e skuadronit të 99 të furnizimit ajror me bazë në MacDill në Florida, i cili tha se është i shkatërruar nga humbja e tyre. Ndërkohë hetimet për rrëzimin e avionit vazhdojnë./CorrieredellaSera









