Sipas Prokurorisë Publike të Belgjikës, të pandehurit dyshohet se ishin pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që merrej me shitjen e drogës. Seanca gjyqësore u zhvillua të mërkurën, por asnjëri prej tyre nuk ishte i pranishëm.
Ngjarja që çoi në zbulimin e rastit daton më 6 tetor 2024, kur policia ndaloi një automjet në zonën Gent-Zuid. Gjatë kontrollit, u gjetën sasi kanabisi dhe 3,100 euro para cash. Hetimet u thelluan pasi në telefonat e të dyshuarve u zbuluan mesazhe që lidhen qartë me aktivitetin e shitjes së drogës.
Në vijim të operacionit, siç raportojnë mediat belge, autoritetet kryen disa kontrolle në disa banesa. Në një apartament në Edward Pynaertkaai u sekuestruan evidenca të kontabilitetit të drogës, para cash dhe substanca narkotike. Ndërkohë, në rrugën Oosteeklostraat u gjetën 169 gramë kokainë dhe 4,000 euro, ndërsa në një adresë tjetër në Hagelandkaai u sekuestruan edhe 119 gramë kokainë.
Prokuroria vlerëson se provat tregojnë ekzistencën e një rrjeti të organizuar, ku njëri prej të pandehurve kishte rol drejtues, ndërsa dy të tjerët vepronin si zbatues. Për ta janë kërkuar dënime të rënda, që përfshijnë deri në 40 muaj burg dhe gjobë deri në 8,000 euro dhe konfiskim pasurie.
Nga ana tjetër, avokatët mbrojtës kundërshtuan akuzat, duke argumentuar se nuk ka prova për një organizim të mirëfilltë kriminal dhe kërkuan masa më të lehta. Megjithatë, tre të pandehurit nuk u paraqitën në gjykatë dhe dyshohet se janë larguar drejt Shqipërisë. Si pasojë e mungesës së tyre, ata kanë humbur edhe garancitë financiare prej 10,000 dhe 8,000 eurosh që kishin depozituar për të qëndruar në liri.











