Përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë për Klan News, ka folur sot, 28 shkurt, ambasadorja shqiptare në Izrael, Meri Kumbe. Situata e jashtëzakonshme atje u përcoll që në minutat e para të intervistës, kur ajo u detyrua të ndërpriste për pak çaste komunikimin, për çështje sigurie.
“Më duhet të largohem, ka alarme. Më duhet të futem te dhoma e sigurisë”, tha Kumbe.
Më tej, tha se të vetëdeklaruar janë 11 qytetarë shqiptarë që ndodhen në Izrael për arsye studimore.
“Janë nxënës shkolle, disa studentë, një vajzë turiste dhe dy qytetarë të tjerë të cilët ndodhen në Izrael për vizitë te familjarët e tyre. Komuniteti shqiptaro-hebraik, që janë rreth 1 mijë persona, janë mirë të gjithë. Qytetarët e tjerë janë shëndosh e mirë, i kemi udhëzuar me rregullat e sigurisë”, u shpreh ambasadorja.
Më tej, zbuloi se aktualisht në Izrael funksionojnë vetëm ato që quhen shërbime esenciale, siç janë spitalet, farmacitë apo supermarketet.
“Çdo gjë tjetër është e pezulluar! Hapësira ajrore është po ashtu e pezulluar për shkak të ndërveprimeve ushtarake dhe raketave që vijnë në drejtim të Izraelit”, shtoi më tej.
Po cilat janë udhëzimet për qytetarët?
“Janë pak a shumë të ngjashme me ato të qershorit të kaluar, çdo gjë është e mbyllur, lockdown. Duhet të minimizojmë maksimalisht lëvizjen të paarsyeshme në hapësira publike. Duhet të qëndrojmë pranë dhomave të sigurta. Ka pasur alarme çdo 7-10 minuta së fundmi”, bëri me dije Kumbe.
Sipas saj, Tel Avivi dhe qytete me infrastruktura të mëdha, janë kryesisht target i sulmeve.
“Sidomos Ministria e Mbrojtjes në Tel Aviv apo bazat ushtarake”, tha ajo. “Gjendja e sigurisë është shpallur deri më 2 mars”, përfundoi ambasadorja.











