Policia e Fierit ka finalizuar tri faza të operacionit të koduar “Siguria”, duke arrestuar katër persona dhe shpallur në kërkim një tjetër. Gjatë kontrolleve në Fier dhe Lushnjë janë sekuestruar katër armë zjarri, dy armë gjahu, municion luftarak, dy maska silikoni dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Në Fier, në pranga ka rënë një 42-vjeçar me inicialet S. M., i cili u kap duke qarkulluar me lëndë narkotike të dyshuar kokainë. Sipas Policisë, ai drejtonte automjetin në gjendje të dehur. Gjatë kontrollit, efektivët i gjetën edhe dy maska silikoni, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e veprimtarive kriminale.
Në një tjetër fazë të operacionit, po në Fier, u arrestuan dy persona, babë e bir, të identifikuar me inicialet Z. T., 60 vjeç, dhe E. T., 25 vjeç. Gjatë kontrollit në banesën e tyre, Policia gjeti një kallashnikov, një pistoletë, një armë gjahu, municion luftarak dhe një dorezë metalike.
Ndërkohë, në Lushnjë u arrestua një person me inicialet M. B., ndërsa djali i tij, 32-vjeçari L. B., është shpallur në kërkim. Pas një hetimi disa javor, Policia kontrolloi banesën e tyre, ku gjeti dy armë zjarri kallashnikov, një armë gjahu dhe municion luftarak.
Sipas hetimeve paraprake, armët e gjetura në banesën në Lushnjë dyshohet se janë përdorur në një ngjarje kriminale të ndodhur më herët. Të gjitha armët e sekuestruara do t’i nënshtrohen ekzaminimeve në Institutin e Policisë Shkencore për të verifikuar nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Policia vijon punën për kapjen e 32-vjeçarit të shpallur në kërkim. Materialet procedurale për të arrestuarit i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.










