Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka kërkuar vijimin e votimit nen për nen dhe në tërësi të paketës fiskale dhe projektbuxhetit të shtetit për vitin 2027.
Braçe u ndal te ndryshimet e propozuara nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat në ligjet e paketës fiskale dhe në buxhet, duke theksuar se ato synojnë zgjerimin e përfitimeve për kategori të ndryshme të shoqërisë.
Sipas tij, ndryshimet nuk cenojnë parimet kryesore të buxhetit, pasi të ardhurat mbeten në nivelin e parashikuar prej 908 miliardë lekësh, ndërsa shpenzimet në 976 miliardë lekë. Ai theksoi se deficiti buxhetor do të mbetet në nivelin 2.3%, ndërsa borxhi publik parashikohet të ulet drejt nivelit 52%.
Deputeti socialist nënvizoi gjithashtu se investimet publike janë më shumë se tre herë më të larta se deficiti buxhetor i programuar, duke e cilësuar këtë si një stimul fiskal për investimet dhe projektet në shërbim të qytetarëve.
“Sot është detyra të shkojmë përpara me votimin këtu në Kuvend, nen për nen dhe në tërësi, të të gjitha ligjeve të paketës fiskale dhe të projektbuxhetit të shtetit për vitin 2027. Komisioni për Ekonominë dhe Financat ka bërë ndryshime në ligjet e paketës fiskale dhe në ligjin e buxhetit. Ato thellojnë politikat e materializuara në to, duke përfshirë dhe shtuar përfitimet për kategori të gjera të shoqërisë.
Një pjesë janë propozime për t’u votuar sot këtu. Një pjesë i janë sugjeruar qeverisë për vitin në vijim, kryesisht në hartimin e politikave të reja dhe administrimin e politikave që votojmë sot. Një pjesë janë detyra të shpallura që ky komision do t’i kryejë gjatë vitit, duke kontrolluar zbatimin e këtyre ligjeve.
Dua të theksoj se, së pari, ndryshimet e propozuara për votim këtu nuk deformojnë ato që janë parimet kyçe dhe ligjore të një buxheti të mirë. Tavanet e të ardhurave dhe shpenzimeve mbeten ato të parashikuarat: 908 miliardë lekë të ardhurat dhe 976 miliardë lekë shpenzimet.
Nuk prekin deficitin buxhetor. Ai mbetet në nivelin e parashikuar prej 2.3%. Nuk cenojnë detyrimin ligjor të balancës primare pozitive. Ajo mbetet në terren pozitiv deri në neutral. Nuk zhbëjnë rregullin e artë të investimeve publike më të mëdha sesa deficiti. Investimet janë më shumë se tri herë më të mëdha se deficiti buxhetor i programuar. Duke materializuar një stimul të fortë fiskal për punët dhe veprat për njerëzit. Nuk përmbysin detyrimin disavjeçar të uljes së borxhit publik, ai do të ecë drejt uljes në nivelin e 52%.
Ulet në nivelin minimal risku buxhetor nga kontratat e koncesioneve apo partneritetit publik-privat, duke bërë më të qartë zgjerimin e shërbimit publik pas përfundimit të tyre. Të gjitha këto nuk janë numra pa kuptim, por e mirë publike, parashikueshmëri dhe qëndrueshmëri e ekonomisë kombëtare në rritje dhe e ekonomisë familjare, që duhet dhe do të përfitojë prej saj”, u shpreh Braçe.










