Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, i mbledhur nën drejtimin e zëvendëskryetares Iris Luarasi, miratoi sot projektligjin “Për krijimin dhe funksionimin e Fondit Kombëtar për Artin”, ndërsa rrëzoi me shumicë votash dy nisma ligjore të paraqitura nga deputetë të opozitës lidhur me profesionin e avokatit dhe sigurimet shoqërore.
Miratohet krijimi i Fondit Kombëtar për Artin
Në rendin e ditës të mbledhjes u shqyrtua projektligji “Për krijimin dhe funksionimin e Fondit Kombëtar për Artin”, një nismë e Këshillit të Ministrave.
Projektligji u prezantua para anëtarëve të komisionit nga zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa, ndërsa u relatua nga deputeti Piro Dhima. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni e miratoi nismën në parim, nen për nen dhe në tërësi.
Rrëzohen nismat e deputetëve Tedi Blushi dhe Igli Cara
Më herët, pas miratimit të procesverbalit të mbledhjes së datës 9 shtator 2026, komisioni mori në shqyrtim projektligjin “Për disa shtesa në ligjin nr. 55/2018, ‘Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë’”, nismë e deputetit Tedi Blushi.
Për këtë pikë të rendit të ditës, të ftuar në mbledhje ishin:
Tedi Blushi, deputet propozues i nismës;
Nadia Peto, zëvendësministre e Drejtësisë;
Greis Çomo, përfaqësuese nga Drejtoria e Përgjithshme e Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit;
Maksim Haxhia, kryetar i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë;
Klodian Skënderaj, kryetar i Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë.
Pas prezantimit dhe relatimit të çështjes nga deputeti Ramion Kurti, projektligji u hodh në votim, por komisioni me shumicë votash vendosi të mos e miratojë atë.
Po me shumicë votash u rrëzua edhe pika tjetër e rendit të ditës, e cila parashikonte votimin e projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr. 7703, datë 11.05.1993, ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”, një nismë e propozuar nga deputeti Igli Cara.










