Selami Hasani, rreth 60 vjeç, u vra sot në oborrin e banesën së tij në lagjen “1 Maji” në Fier vetëm një javë pasi kishte dalë nga burgu. Shekulli mëson se i plagosur në këtë atentat ka mbetur dhe vëllai i tij.
Policia bën me dije se një automjet i djegur është konstatuar në fshatin Dermenas, dyshohet i autorëve.
Viktima njihej edhe si “Sel Çami” dhe “Seli i Malit”, teksa ngjarja dyshohet se vjen për hasmëri. 24 vite më parë (25 mars 2002) Selami Hasani ka vrarë nipin e Arben Isufit, i njohur si Ben Qimja, të riun Juljan Isufaj.
Selami Hasani ka qenë i dënuar me 25 vite burg, teksa është arrestuar në vitin 2009.
Njoftimi i policisë:
Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 09:40, në oborrin e banesës, në lagjen “1 Maji”, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi S. H. dhe është plagosur vëllai i tij, shtetasi J. H., i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Në fshatin Dermenas është konstatuar një automjet që po digjet, i dyshuar si automjeti i përdorur nga autorët.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën intensive për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
