Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë ditën e sotme në takimin e nivelit të lartë të “Koalicionit të Vullnetmirëve” në Berlin, me ftesë të kancelarit federal të Gjermanisë, Friedrich Merz.
Në fjalën e tij, Rama theksoi se është një mundësi e mirë për t’u mbledhur në këtë Koalicion, pas asaj që u vendos në Dublin, për të pasur më në fund një grup përfaqësues që të flasë në emër të gjithë Europës në një komunikim të mundshëm me Rusinë.
“Pikë së pari, më lejoni të them se është një mundësi e mirë për t’u mbledhur këtu në këtë Koalicion, pas asaj që po ndodh. Dhe veçanërisht edhe pas asaj që u vendos në Dublin, për të pasur më në fund një grup përfaqësues që të flasë në emër të gjithë Europës në një komunikim të mundshëm me Rusinë”, u shpreh Rama.
Po ashtu, kryeministri Rama është pyetur edhe në lidhje me takimin që u zhvillua në Pekin mes presidentëve të SHBA-së, Kinës dhe Rusisë.
“Pra, nëse keni ndonjë pyetje, jam i lumtur t’ju përgjigjem. Cilat janë ndjenjat e mia kur shoh Presidentin Putin, Presidentin Xi dhe Presidentin Trump? Ndërkohë, përsëri, e thashë edhe në deklaratën hyrëse se ishte diçka që duhej të ndodhte dhe që më në fund ndodhi: Europa vendosi të ketë një grup në frontin e parë, i cili do të përfaqësojë Europën në një komunikim të mundshëm me Rusinë, sepse ka qenë një gabim strategjik që nuk e kemi bërë këtë që në fillim. Ose, le të themi, në fillim pati disa komunikime dhe më pas gjithçka u ndërpre. Tani kjo ka rifilluar, me shpresë, dhe le të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Rama.
