Ka dy gënjeshtra të mëdha që po përpiqen të përhapen rreth protestave tashmë të degraduara në Tiranë.
Gënjeshtra e parë është se protestat në fillim ishin paqësore. Gënjeshtra e dytë është se dhuna fizike e vjeshtës, e provokuar në mes të muajit tetor, ishte pasojë e injorimit të protestave paqësore.
Gënjeshtra e parë është edhe më e rrezikshme, pasi përpiqet të maskojë filozofinë e dhunës mbi të cilën u ndërtua protesta nga ideatorët, ideologët dhe mbështetësit e saj publikë.
Niveli më i lartë i dhunës ndaj shoqërisë shqiptare u shfaq në protestat e qershorit dhe korrikut, derisa pikërisht ajo dhunë i zvogëloi dhe i degradoi ato.
Dhuna e një proteste nuk është vetëm thyerja e xhamave, djegia e bankave apo e dyqaneve të celularëve.
Dhuna që një protestë ushtron mbi shoqërinë është përpjekja për t’iu imponuar asaj përmes linçimit të atyre që janë kundër, diskreditimit të tyre publik, fushatave për shkatërrimin e biznesit dhe të reputacionit profesional të njerëzve publikë, si dhe listave në formë fletërrufesh, që ngjiteshin nëpër pemët e Tiranës kundër artistëve, gazetarëve dhe personaliteteve publike që nuk i bashkoheshin protestës.
Ky lloj fashizmi udhëhiqej nga emra konkretë. Në krye të tyre ishte, pa dyshim, Fatos Lubonja, bashkë me Gjergj Erebarën, Andi Bushatin Ermal Hasimen dhe një garniturë dështakësh të mënjanuar nga shoqëria, të cilët mendonin se tani po i imponoheshin asaj në emër të popullit. Shumica e tyre e provonin për herë të parë këtë adrenalinë. Lubonja e kishte për herë të dytë, pasi të njëjtën gjë ka bërë edhe në vitin 1997.
Njësoj si pas vitit 1997, edhe tani ai po përpiqet t’i lajë duart nga përgjegjësia për atë që ka bërë, duke ia faturuar të ashtuquajturit “fashizëm” brenda protestës.
Por çfarë është fashizmi i protestës dhe si ilustrohet ai përmes deklaratave të drejtuesve dhe mbështetësve të saj?
Tipari i parë fashist i protestës ishte se qeveria dhe kryeministri Edi Rama nuk u shënjestruan si rivalë apo kundërshtarë politikë, por si armiq të kombit. Është pikërisht ajo që bën fashizmi, i cili synon ta eliminojë kundërshtarin dhe jo ta mundë atë me zgjedhje apo me forma të tjera demokratike e legjitime.
Edi Rama u etiketua si “çifut” , (ndjesë hebrenjve për përdorimin e këtij termi) dhe u paraqit si njeriu që po ua shiste Shqipërinë Trumpit dhe hebrenjve për të shfarosur vendin. Fatos Lubonja i dëgjonte me buzëqeshje këto thirrje të shpifura dhe mbante një flamingo rozë në dorë, i kënaqur që më në fund i kishte ardhur dita të “pushkatonte” edhe ai.
Elementi i dytë i fashizmit në protesta ishte fakti se dhuna publike, fjalori i rrjeteve sociale dhe linçimi publik gjatë protestave të qershorit dhe korrikut u trajtuan nga drejtuesit e tyre si instrumente të pranueshme për të imponuar vullnetin politik, për të frikësuar kundërshtarët dhe për të shkatërruar rendin ekzistues.
Dhjetëra fletërrufe publike u ngjitën kundër gazetarëve, ndërsa portretet e tyre tundeshin në protesta nga njerëz të paguar prej organizatorëve. Gazetarë të frikësuar më kanë kërkuar të heq edhe lajme për keqtrajtimin e tyre në protesta, pasi ndiheshin të rrezikuar. Dhjetëra artistë panë fotografitë e tyre të ngulura me gozhdë në pemët e bulevardit, të paraqitur si armiq që duheshin bojkotuar dhe izoluar vetëm sepse nuk kishin ardhur në protestë. Nuk gjeni dot asnjë deklaratë të Gjergj Erebarës, Andi Bushatit ose Ermal Hasimjas që të distancohet shprehimisht nga linçimi publik i gazetarëve dhe figurave të tjera që nuk iu bashkuan protestës.
Një hordhi grash të mbuluara me shami dhe fëmijësh të indoktrinuar në xhamitë e Shkupit, së bashku me militantë të Albin Kurtit, vërshuan në tribunën e protestës në Tiranë. Ishte një lloj xhihadi i udhëhequr nga ideologë të islamit politik si Abdilaqim Mehmeti, i cili, pasi kishte përfituar për 20 vjet nga Sorosi në Maqedoni, tani zbulonte se Edi Rama po ua shiste atdheun “jahudive” dhe se duhej të vinte Abdilaqimi për ta shpëtuar. Shëtiste bashkë me Fatos Lubonjën në bulevard për të demonstruar fuqinë e isalmit poltik si fashizmi i ri.
Ashtu si fashizmi përdor sistematikisht propagandën, mitet historike, emocionet kolektive dhe demonizimin e kundërshtarëve për të mobilizuar masat, edhe shtabi i protestës përdorte këngën e një filmi për Luftën e Vlorës, për të treguar se Edi Rama po shiste Shqipërinë. Por as atë këngë nuk dinin ta këndonin.
Në tekstin e saj thuhet: “Dhe në ikshim, o dhe mos u kthefshim, ne do të rrojmë se rron liria.” Ata e këndonin: “Dhe në ikshim, o dhe ne u kthefshim…”
Pra, donin të ishin edhe heronj, por edhe të mbeteshin gjallë pas luftës, që ta shijonin historinë e tyre. Heronjtë e Luftës së Vlorës nuk i kanë parë lapidarët e ngritur për ta. Këta të flamingove duan edhe lapidarë, edhe t’i shikojnë vetë.
Parulla “Shqipëria e shqiptarëve”, e marrë nga slogani i Ballit Kombëtar gjatë luftës, përveçse është nxjerrë nga konteksti, pasi Balli Kombëtar e përdorte kundër komunistëve, të cilët pretendonte se kishin si padronë Mugoshën dhe Popoviçin, është sot parulla më antishqiptare e mundshme. Ajo drejtohet kundër gjithë faktorit shqiptar në Ballkan, nëse vendet tona fqinje e përvetësojnë nga flamingot tanë fashistë.
Sipas kësaj parulle, Abdilaqim Mehmeti nuk është më shtetas i Maqedonisë së Veriut, sepse ajo duhet të jetë vetëm e maqedonasve. Mund ta pranojë Bosnja, meqë ai është gjysmë boshnjak, ose Shqipëria, meqë është një e katërta shqiptar.
Ashtu si fashizmi synon të nënshtrojë median, arsimin, kulturën, biznesin dhe ekonominë në tërësi, edhe flamingot u përfshinë në korrik në një nga fushatat më antishqiptare të historisë së fundit, duke bërë thirrje për ta hedhur në erë industrinë e turizmit përmes vlerësimeve negative ndaj hoteleve shqiptare dhe gënjeshtrave për standardet e tyre.
Në krye të kësaj fushate qëndruan Gjergj Erebara, Ermal Hasimja, Andi Bushati, Fatos Lubonja dhe ideatorë të tjerë të protestës. Ata i dolën zot fushatës si një gjest patriotik, siç bëjnë ushtarët e fashizmit.
Fatos Lubonja e mbështeste atë në grupet e WhatsApp-it të “revolucionit”. Erebara ngazëllehej publikisht me sulmet ndaj Gjergj Lucës. Ermal Hasimja shkonte në malet e Zvicrës për turizëm malor dhe mbështeste shkatërrimin e bizneseve të turizmit në Shqipëri. Andi Bushati, po dihet, po pa tymë me flakë nuk permbahet.
Fashizmi i “revolucionit paqësor” ishte shtrati që mbolli dhe lindi dhunën e tetorit.
Filozofia e protestave mbështetej te frikësimi i shoqërisë, agresioni ndaj atyre që refuzonin t’u bashkoheshin dhe trajtimi i mospajtimit si tradhti kombëtare. Përveçse ishte një filozofi tipike fashiste, ajo kishte edhe një të keqe tjetër të madhe: po vihej në jetë nga fashistë mediokër, dështakë dhe të këqij.
Ashtu si komunizmi ynë ishte ndër më të këqijtë në botë për shkak të udhëheqësve komunistë që kishim, edhe fashizmi i pasardhësve të tyre ishte i tillë.
Ndaj fashizmi në protesta nuk lindi në tetor dhe nëntor. Në tetor dhe nëntor mbiu pema që mbolli i ashtuquajturi “revolucion paqësor” i pranverës dhe verës.
E gjithë urrejtja, ligësia dhe mediokriteti që u investuan gjatë atyre muajve, natyrisht, do të shpërthenin në formën më të shëmtuar, në dhunën e këtij muaji, që dogji Tiranën, shkatërroi institucione dhe e bëri protestën një kanal ujërash të zeza ku kulloi gjithë llumi i shoqërisë shqiptare.
Por as Lubonja dhe as askush tjetër nuk mund t’i lajë duart nga fashizmi që mbollën vetë. Thjesht janë fashistë të dështuar.
