Fillimisht sulmet me dronë ukrainas, tani edhe sanksionet europiane.
Për Tatyana Kim, gruan më të pasur në Rusi dhe themeluesen e Wildberries, gjigantit të tregtisë online që shpesh krahasohet me Amazon, lufta në Ukrainë po bëhet gjithnjë e më e kushtueshme.
Bashkimi Europian e ka përfshirë sipërmarrësen 50-vjeçare në listën e personave të sanksionuar ndaj Rusisë, së bashku me biznesmenë të tjerë, banka dhe kompani energjetike.
Masat parashikojnë ngrirjen e çdo pasurie që ajo mund të ketë në vendet e BE-së, ndalimin e hyrjes në territorin e Bashkimit Europian dhe kufizime në transaksionet financiare.
Arsyetimi i Brukselit është serioz.
Sipas autoriteteve europiane, Wildberries, që zotëron një pjesë të madhe të tregut rus të shitjeve online, nuk është vetëm një nga kompanitë që paguan më shumë taksa në Rusi, por shërben edhe si rrjet furnizimi për ushtrinë ruse. Përmes platformës shiten produkte ushtarake dhe pajisje që mund të përdoren si për qëllime civile, ashtu edhe ushtarake.
Kompania ka krijuar gjithashtu një partneritet strategjik me bankën VTB, e cila kontrollohet nga shteti rus dhe është tashmë nën sanksionet ndërkombëtare.
Të njëjtat akuza kishte ngritur edhe Ukraina, duke i përdorur si argument për sulmet me dronë ndaj magazinave të Wildberries, të nisura në muajin korrik. Kievi pretendon se përmes kësaj platforme shpërndahen edhe pjesë për dronë dhe pajisje të tjera që përdoren nga forcat ruse.
Tatyana Kim, ish-mësuese e anglishtes me origjinë koreane, themeloi Wildberries në vitin 2004, gjatë lejes së lindjes. Ajo e nisi aktivitetin nga apartamenti i saj dhe arriti ta kthejë në një nga bizneset më të mëdha të tregtisë online në Rusi.
Rrugëtimi i saj drejt suksesit është shoqëruar edhe me konflikte personale. Ndarja e bujshme nga bashkëshorti përfundoi në vitin 2024 me një incident të rëndë me armë zjarri në selinë e kompanisë, ku humbën jetën dy persona.
Grupi RWB, i krijuar nga bashkimi i Wildberries me kompaninë e reklamave Russ Outdoor, ka deklaruar se sanksionet nuk do të ndikojnë në aktivitetin e tij, pasi kompania nuk zotëron pasuri dhe nuk ushtron aktivitet në Bashkimin Europian.
Megjithatë, për miliarderen ruse, pasuria e së cilës vlerësohet nga Forbes në rreth 5 miliardë dollarë, këto sanksione përbëjnë një tjetër goditje, pas sulmeve ukrainase ndaj magazinave të kompanisë.
