Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka prezantuar mundësitë që ofron qeveria për të rinjtë dhe të gjithë ata që dëshirojnë të nisin ose të zhvillojnë një biznes në Shqipëri. E ftuar këtë të martë, më 17 nëntor, në “Aldo Morning Show”, Ibrahimaj foli për skemat e financimit, grantet dhe mbështetjen për startup-et në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes, me moton “Ndërto nga Shqipëria”.
“‘Ndërto nga Shqipëria’ neve e kemi zgjedhur jo pa qëllim, se unë besoj fort se e vetmja politikë që mund të nxisë frenimin e emigracionit dhe dëshirën e të rinjve dhe të rejave për të jetuar në Shqipëri, për të ndërtuar nga Shqipëria, janë mundësitë. Nëse ti i ofron një të riu, një të reje mundësi, një lloj sigurie për të ardhmen, atëherë ai do të vendosë të qëndrojë në Shqipëri dhe do të vendosë të ndërtojë nga Shqipëria.
Ne i dedikohemi këtë javë informacionit, mundësive, financimit, bashkëpunimit, bashkëpunimit ndërmjet bizneseve, bashkëpunimit universitet-biznes, bashkëpunimit shtet-biznes. Pra, mbledhim bashkë të gjithë aktorët, përfshirë dhe aktorët ndërkombëtarë të cilët janë këtu dhe janë pjesë e ekosistemit tonë.”
Ministrja bëri të ditur se vitin e kaluar, përmes thirrjes për grante për startup-et, u financuan rreth 170 projekte me një fond total prej 6 milionë eurosh. Sipas saj, interesi për këto programe është në rritje, pasi këtë vit u regjistruan rreth 1 200 kërkesa për aplikim.
“Ne këtë vit patëm 1 200 kërkesa për aplikime, që do të thotë që të rinjtë dhe të rejat kanë besim që mund të përfitojnë nga ky financim që jep qeveria dhe është një financim i cili për vlera të vogla shkon deri në 100%.”
Përveç financimit, Ibrahimaj theksoi rëndësinë e përgatitjes së sipërmarrësve të rinj, duke njoftuar krijimin e një akademie që do t’i ndihmojë ata të zhvillojnë idetë e tyre, të hartojnë plane biznesi dhe t’i prezantojnë projektet për të përfituar mbështetje financiare.
“Gjatë kësaj jave do të shpallim hapjen e një akademie, e cila do të merret pikërisht me këtë, me trajnimin e të rinjve dhe të rejave për të krijuar një ide, për të mbrojtur idenë, për ta rritur dhe për ta prezantuar, që është një nga komponentët e vendimmarrjes për financim. Të ndihmosh një biznes nuk do të thotë domosdoshmërisht që t’i japësh paratë për ta filluar. Nganjëherë ndihma për ta formësuar më mirë idenë, për të hartuar planin e biznesit dhe për të përgatitur elementet juridike e ekonomike është shumë më e madhe sesa financimi fillestar.”
Ibrahimaj sqaroi gjithashtu se grantet për startup-et nuk janë të destinuara për çdo lloj biznesi. Ato synojnë projekte që sjellin risi dhe zgjidhin probleme konkrete, ndërsa për agroturizmin, prodhimin bujqësor dhe artizanatin ekzistojnë programe të tjera mbështetëse nga institucionet përkatëse.
Ajo shpjegoi gjithashtu se mbështetja financiare për sipërmarrjet ndahet në tri faza.
“Në fakt janë tre faza në të cilat ne financojmë sipërmarrjen. Faza e parë lidhet pikërisht me kategorinë e atyre individëve që kanë një ide të formësuar, një biznesplan, por nuk e kanë të regjistruar biznesin dhe të zhvilluar biznesin fare. Faza e dytë që financojmë ka të bëjë me sipërmarrje të cilat tashmë kanë filluar rrugëtimin e tyre, e kanë një produkt, por ama produktin duan ta tregtojnë më gjerë, duan të rrisin fuqinë, duan ta diversifikojnë, duan ta ndryshojnë, ta modernizojnë apo çfarë tjetër. Faza e tretë ka të bëjë me biznese të cilat tashmë e kanë në treg produktin, e kanë të zgjeruar në shkallë, por duan mundësisht të ndërkombëtarizohen.”
E pyetur se si vlerësohen aplikimet dhe nëse një ide e mirë mund të humbasë përballë një projekti të prezantuar më bukur, ministrja theksoi se suksesi i një biznesi varet edhe nga aftësitë e ekipit që e zbaton atë.
“Unë mendoj që ideja nuk mjafton. Një ide e mirë, nëse nuk zbatohet nga njerëzit e duhur, mund të ketë shumë shanse për dështim. Ndërkohë që një ide jo aq e mirë, por me një ekip zbatues shumë të mirë, shumë të zotë dhe këmbëngulës, ka shumë më tepër shanse për të pasur sukses. Ekipi është po aq i rëndësishëm sa ideja.”
Ajo shtoi se edhe aplikantët që nuk përzgjidhen për financim mund të marrin shpjegime për arsyet e refuzimit dhe sugjerime për përmirësimin e projekteve, përmes takimeve individuale me stafin e Agjencisë së Inovacionit.
Ministrja bëri të ditur se të gjithë të interesuarit mund të informohen dhe të aplikojnë përmes faqes së Agjencisë së Inovacionit, e njohur edhe si “Startup Albania”, ose duke u drejtuar pranë zyrave të saj te Piramida e Tiranës.
Në kuadër të Javës Globale të Sipërmarrjes, Ibrahimaj njoftoi se do të organizohen edhe dy aktivitete hackathon, një në Tiranë dhe një në Vlorë, ku do të marrin pjesë rreth 160 studentë nga 13 universitete. Ata do të punojnë në grupe për të gjetur zgjidhje për sfida të ndryshme, ndërsa në fund do të ndahen tri çmime, me vlerë 3 000 euro secili.
