Dy persona, nga 22 vjeç, janë arrestuar në flagrancë në Tiranë, pasi dyshohet se prodhonin dhe shisnin dokumente të falsifikuara të shteteve të Bashkimit Europian.
Nga hetimet dyshohet se dy të rinjtë prodhonin dhe tregtonin dokumente të falsifikuara, ndërsa gjatë operacionit u sekuestruan një pasaportë dhe një leje drejtimi polake, si dhe një kartë identiteti dhe një leje drejtimi austriake, të gjitha të dyshuara të falsifikuara.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1700 euro, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e dokumenteve, një automjet, një motomjet dhe dy telefona celularë.
Policia e Tiranës bën me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm.
