Avokati Idajet Beqiri, i ftuar në emisionin “Ora e Fundit” në ABC News, ka komentuar hetimet e Prokurorisë së Posaçme për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Gjatë intervistës, Beqiri ka folur për atë që e cilësoi si një skemë të organizuar për tjetërsimin e pronës shtetërore, duke akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha se kishte vënë në lëvizje të gjithë zinxhirin institucional për ta kthyer procesin në një fakt të kryer.
Sipas avokatit, bëhet fjalë për 31 mijë metra katrorë truall, të cilat, sipas tij, i janë marrë shtetit shqiptar përmes dokumenteve të falsifikuara dhe më pas i janë kthyer dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezi, si dhe personave të tjerë të paraqitur si bashkëpronarë.
Beqiri pretendoi se prona kishte qenë shtetërore, pasi ish-pronarët e saj ishin shpronësuar gjatë periudhës së pushtimit fashist, në vitet 1939-1942, duke marrë edhe kompensimin përkatës. Sipas tij, pas përfundimit të luftës, trualli kishte mbetur pronë e shtetit shqiptar si reparacion lufte.
Avokati u ndal edhe te mënyra se si, sipas tij, u vu në lëvizje administrata shtetërore gjatë kohës kur Sali Berisha mbante postin e kryeministrit. Ai përmendi Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Mbrojtjes, administratën e Këshillit të Ministrave, si dhe struktura të tjera qeveritare.
“Ne kemi folur faktikisht për ë gjithë zinxhirin që arriti t’i marr shqiptarëve 31 mijë metër katrorë tokë të kompleksit të Partizanit, truall, i cili faktikisht ishte një pronë shtetërore edhe kemi theksuar që ë ishte pronë shtetërore sepse ish-pronarët e saj në periudhën e pushtimit fashist në vitin ‘39 deri në vitin ‘42 ishin shpronësuar dhe kishin marrë lekët për atë pronë se aty do të ndërtohej fusha e aviacionit për fashistët dhe ata pastaj domethënë mbasi e kishin paguar atë shumë kur humbën luftën ajo ngeli si reparacion lufte dhe ishte pronë e shtetit shqiptar dhe faktikisht me akte me dokumente të falsifikuara ky truall iu kthye dhëndrit të Sali Berishës edhe bashkëpronarëve të tjerë që u sajuan domethënë, trashëgimtarë të tjerë të familjes së tij.
Kemi theksuar njëkohësisht edhe gjithë procedurën se si u zbatua, çfarë procedure u zbatua duke qenë kryeministër domethënë Sali Berisha, vjehrri i Jamarbër Malltezit dhe që si vuri në lëvizje Berisha gjithë administratën e shtetit, por dhe institucionet e rëndësishme të saj, sikurse ishte Ministria e Ekonomisë, Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë, por edhe gjithë administratën e Këshillit Ministrave, sekretarin e përgjithshëm të saj në atë kohë ishte Gjergj Lezhja apo edhe struktura të tjera siç ishte ajo e antikorrupsionit, Këshillin e Ministrave që drejtonte Oerd Bylykbashi e të tjerë. Pra i vuri të gjithë këta në shërbim të grabitjes së kësaj pasurie të shqiptarëve”, tha ai.
