Nga Bajram Peçi
Metoda më e mirë për të bërë analizën e pse-së, është ajo e krahasimit. Për rrjedhë, patjetër do t’u referohesh librave të historisë së Shqipërisë.
I shfleton dy-tre prej tyre dhe ndalesh të mbash shënime kur ndesh Shqipërinë e 100 vjetëve më parë. Pasi përjeton sjelljen e nipërve të tyre sot, e merr përgjigjen se pse ndodh kështu?
Të bëjmë shtet të pavarur e të fortë, që e filluam nga zero, apo të bëjmë demokraci përmes partive?
Pas shpalljes së Pavarësisë, periudha më e ndritshme e historisë tonë është Kongresi i Lushnjës. E përbërë nga ajka e kombit, parësi, atdhetarë dhe intelektualë, të mbështetur nga populli i armatosur, i doli zot vendit, duke pasur përballë tri fuqi, fqinjët tanë: Jugosllavinë, Greqinë dhe Italinë!
Në zhvillimet e Luftës së Parë Botërore, ato kishin siguruar marrëveshje me fuqitë e mëdha: Italia, nëse i bashkohej Antantës, i jepej Vlora, krahinat që e rrethonin atë, si dhe protektorati mbi Shqipërinë; Greqisë i jepej Korça dhe Gjirkastastra, për çka, përpos Anglisë dhe Francës, edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kish “shkarë” goja dhe kish dhënë pëlqimin; Jugosllavisë i kishin dhënë premtime për të mbajtur Shkodrën dhe kufiri i saj jugor të ishte Drini. Ngelte një copë Shqipërie, që Franca dhe Jugosllavia do e ruanin për Esat pashë Toptanin.
Kongresistët ikën nga Lushnja dhe erdhën në Tiranë, luftëtarëit ikën ndër shtëpia, bajraktarët i mbajtën një mori trimash. Ashtu siç u zhvilluan ngjarjet, në vend që t’i përkushtoheshin shtetit të sapokrijuar, çka gjëja e parë që i lipsej ishte bashkimi kombëtar, bashkëpunimi, për ta nxjerrë vendin nga prapambetja, injoranca, skamja dhe përçarja, krerët krijuan parti dhe ju turrën kolltuqve që afronte pushteti. Elektoratin e mjerë e zotëronte Partia Popullore e Ahmet Zogut, që pasohej nga “Bashkimi i Shenjtë”. Ndër këto parti, zotër ishin pashallarë-pronarë të mëdhenj tokash, bejlerë, agallarë dhe bajraktarë, të gjithë këta të lidhur fort përmes martesave. Vetëm dy prej tyre ngulnin këmbë prej emrit se program i tyre ishin fshatarët pa tokë, dhe kishin zgjedhur si emër Xhokën, një veshje e sipërme shqiptare, që vishej nga shtresa e varfër burra dhe gra. Partija tjetër, “As e Pashës, as e Beut”, gjithashtu kishte një program për vegjëlinë, që pak veta e kishin lexuar.
Krijimi i partive do ishte gjëja më e dëmshme. E dëmtoi rëndë Shqipërinë dhe kombin. Shkaku: ambicjet politike për të patur pushtetin, rrogat e privilegjet që fitoheshin prej posteve.
Përse u duhej pushteti këtyre partive? Mos vallë për prosperitein e popullit shqiptar? Lexoni më poshtë se sa pak gjasa kishte të ndodhte kjo?
Një histori e shkurtër lufte për pushtet
-Janar-nëntor 1920. Kongresi i Lushnjës, me të drejtë rrëzoi qeverinë e Durrësit dhe i shpalli tradhtar se i kishin dhënë mandatin Italisë. U krijua Këshilli i Naltë, organ si këshill regjence, me kryetar Aqif pashën dhe kryeministër Sulejman Delvinën. Së bashku përballën luftën e Vlorës dhe intervenimin jugosllav.
-20 nëntor 1920. Era e përcarjes u ndez me rrëzimin e kabinetit të Sulejman Delvinës, me nxitës deputetin e Dibrës, Ramiz Daci, me nxitjen e Aqif pashës, i cili inatin nuk e kish me kryeministrin, por me ministrin e brendshëm, Ahmet Zogollin.
– 21 Nëntor 1920. Sulejman Delvinën e zëvendësoi si kryeministër Iliaz Vroni, i cili u shkarkua nën presionin e grupit politik “Bashkimi i Shenjtë”, që ju imponua edhe pasuesit, kryeministrit Pandeli Evangjeli të jepte dorëheqjen, duke i vënë revolverin në kokë.
– Korrik 1921. Gjon Markagjoni, i ashtuquajturi princ i Mirditës, ndërsa Lidhja e Kombeve merrte vendimin për kufijtë e Shqipërisë, prej Prizrenit (Selinë e kish në Beograd), në marrëveshje me qeverinë jugosllave dhe klerin katolik, ngriti krye kundër qeverisë dhe shpalli Republikën e Mirditës.
-6 dhjetor 1921 Detyrën e kryeministrit e mori Qazim Koculi, i cili dha dorëheqjen brenda ditës, pasi u rrethua nga sherrxhinjtë e politikës, rivalë të tij.
– 7 dhjetor 1921-12 dhjetor 1921. Këshilli i Naltë ja ngarkoi barrën e krijimit të kabinetit Hasan Prishtinës, të cilin brenda muajit e detyruan të jepte dorëheqjen. Pason rrokopuja e të quajturës “Kryengritja e dhjetorit”.
– 12 dhjetor-24 dhjetor 1921. Në krye të qeverisë u caktua Idhomene Kosturi. Ishte një kabinet provizor në kushtet e mbretërimit të anarkisë dhe intrigave politike.
– U thirr Ahmet Zogolli, i cili ndodhej në operacionet kundër ushtrisë Jugosllave në veri. Ai erdhi me ushtri, stabilizoi e normlizoi pështjellimin, derisa u mblodh parlamenti (22 dhjetor 1921)
-24 dhjetor 1921-mars 1922. Këshilli i Naltë ju ngarkua për drejtim Xhaferr Ypit, i cili nuk vonoi të organizoj një grusht shteti, duke u prishur mendjen disa bajraktarëve, si Elez Isufi, Daj Sanës dhe Halid Lleshi, madje dhe Bajram Currit. Këto viktima, me forca të armatosura, sulmuan në mars 1922, hynë në Pukë dhe tentuan Shkodrën. Të tjerë ju drejtuan Elbasanit dhe Tiranës (Elez isufi), vranë në Valias Meleq Frashërin, që drejtonte trupat e qeverisë dhe u futën në disa lagje të Tiranës.
– Më 9 mars 1922. U kryen luftime brenda në qytet mes A. Zogollit që mbronte Tiranën dhe Elez Isufit.
– 12 mars 1922. Hyri pajtues z. Eyres, ministri fuqiplotë i Mbretërisë Angleze në Shqipëri. I bindi që Zogu, i cili e kish rrethuar E. Isufin, t’i lironte atij rrugën për tërheqje e të mos vrisnin më shqiptari-shqiptarin.
– 15 mars 1922. Pa u larguar ende kryengritësit nga Tirana, plasi kryengritje në Shijak dhe Durrës, të cilët Zogu i shtypi në Sukth, te çifligu i Hamid Toptanit. Kjo kryengritje ishte nxitur nga Mustafa Kruja, Zija Dibra dhe Abaz Kupi.
Fillon një periudhë qetësie, nën Ahmet Zogollin dhe kabinetin e tij, deri kur:
-23 shkurt 1924, Beqir Valteri qëllon në Parlament me tri plumba kryeministrin Ahmet Zogu.
– 6 prill 1924. Vriten dy amerikanë në Mamurras. Ahmet Zogolli, prej prokurorit dhe gjyqtarit u akuzua se kishte gisht në vrasjen e tyre.. Prokuroi kërkoi për A. Zogollin dënim me vdekje.
– 20 prill 1924. Avni Rustemi qëllohet me armë nga Jusuf Reçi dhe vdes pas tri ditësh. Djemtë e “Bashkimit” marshojnë nga Vlora dhe hyjnë në Tiranë. A.Zogolli ikën në Jugosllavi.
-10 qershor 1924, Fan Noli, kryetar i shoqërisë “Bashkimi”, ul veten në poltronin e kryeministrit.
-24 dhjetor 1924, Ahmet Zogu hyn prej Jugosllavie me trupa dhe përpjekje në Tiranë, merr pushtetin dhe e quan këtë datë “Triumf i legalitetit”.
Histori shtatoresh e bustesh
Pasojnë zhvillimet, Shqipëria Republikë-Zogu president, Shqipëria Monarki-Zogu mbret. Shqipëria shpëtoi nga partitë, Zogu mbretëroi i qetë 15 vjet dhe popullin e bëri zap. Të tillë gjë bëri dhe diktatura tjetër, 45 vjet e gjatë e Enver Hoxhës, emërimi juridik i të cilës ishte “Diktaturë e Proletariatit”.
Me bindjen se lexuesi do më ishte mirënjohës për të ditur se çfarë ndodhi me këta politikanë, që për kolltukun dhe poste rrezikuan disa herë seriozisht pavarësinë e Shqipërisë, deri kur shpura e tyre i dorëzoi “në pjatë” Viktor Emanualit kurorën e Skënderbeut?
Së pari duhet thënë se askush nga këta protagonistët e kohës nuk u vra, duke luftuar për Shqipërinë! Hasan Prishtina, Qazim Koculi, Bajram Curri, Avni Rustemi, Elez Isufi, u vranë si hakmarrje shqiptare prej shqiptarësh.
Së dyti, vlen të mësojmë se si miq ashtu dhe armiq kanë mes bulevardeve, rrugëve, shesheve dhe lulishteve tona, të ngritura shtatore dhe buste. Tirana ka pasur deri në vitin 1944 vetëm një shtatore, atë të Enriko Tellinit, vrarë nga grekët, duke qenë në detyrë për mbrojtjen ndërkombëtare të kufijve të Shqipërisë. Kësaj shtatoreje nuk i gjendet më as nam e as nishan? Nga mbinë këto dhjetëra të tjera? Ja t’i shohim?
Ahmet Zogu ka dy shtatore, një në Tiranë dhe një në Burrel. Tre kundërshtarët e tij, për të cilët i rëndon akuza si organizator i vrasjeve: Bajram Currit i ngrihet një monument madhështor në qytetin që mban emrin e tij dhe një bust në Krumë; Hasan Prishtina dhe Avni Rustem kanë nga dy shtatore dhe dy buste. H. Prishtina e ka një në Vlorë dhe tjetrin në bulevardin Zogu I, përballë shtatores Zogut; A. Rustemi ka një bust në Tiranë, në sheshin që mban emrin e tij dhe tjetrin në qendër të Libohovës.
Kur në pushtet kanë ardhur kundërshtarët e A. Zogut, kanë dashur t’ia heqin shtatoren, idem siç ka ndodhur me kundërshtarët e A. Rustemit, të cilësuar nga urrejtja si vrasës me pagesë, kanë dashur edhe ata t’ja heqin, por nuk ka ndodhur as njëra dhe as tjetra?
Sulejman Delvina ka bust në Delvinë dhe Aqif pasha (që e hoqi nga posti) ka shtatore në Elbasan. Nuk do mungonte edhe për feudalin, pronarin e madh të tokave, Ilias Bej Vrionin, një shtatore në qendrën historike të qytetit të Beratit; Fan Noli, që u ul në poltronin e kryeministrit i pa zgjedhur, ka tri buste, në Tiranë në Durrës dhe në Ersekë (pa përfshirë atë në Ibrik-Tepe).
Mustafa Kruja, italofili më i spikatur, kryeministër gjatë pushtimit, nuk u harrua për t’i bërë një bust në Krujë, ngjashëm siç ndodhi me Mitat Frashërin në Tiranë? Elez Isufi, ndonëse nuk e pushtoi dot gjithë Tiranën, ka një bust në Peshkopi dhe një shtatore në Dibër të Madhe.
Këto dhjetëra shtatore dhe buste bronzi ruajnë pamjen e atyre burrave që në vitet 1922-1924 e çuan Shqipërinë përsëri në buzë të greminës. Kushdo feudal e bajraktar që mundi, luftoi pushtetin për të ardhur vetë në pushtet?!
I vetmi protagonist i kohës 1922-1924, që nuk pati shtatore ose bust ishte i huaji që i bëri bashkë, i pajtoi përkohësisht për të mos u vrarë më me njeri-tjetrin, z. Eyres, ministri fuqiplotë i Mbretërisë Angleze në Shqipëri. Askush se kujton emrin e tij të harruar! Këtij zotërie nuk morën mundimin t’í vinin emrin as ndonjë cepi rruge!?
Historia vijon më tej me dyshimin se ”… kemi ngelur ata që kemi qenë”.
Lufta për pushtet vazhdon edhe pas 100 vjetësh, po me rregullat e asaj kohe, kaosin, por me armë të tjera. Bën përjashtim vetëm kushtetuta, që brenda rregullave quan vetëm zgjedhjet, votimet, pushtet përmes votës. Opozita i vlerëson të rregullta edhe ato brenda shpellës dhe xhunglës mendore të saj, të cilës duan t’i venë emrin “Studentore”. Ti Rama don me vota, unë, Saliu i madh me Saliun e vogël, i dua me “çunat e Londrës?!
Pjesë e kësaj lufte, që zhvillohet çdo pasdite në Tiranë, janë rusë dhe iranianë. Prej tyre hyjnë në dobi të protestave fonde të mjaftueshme për të përballur jo vetëm shpenzimin e ditës, por, siç u premtoi Sali Berisha, kthimin trefish të shumës së gjobave që u janë vënë banditëve që qëllojnë policinë. Duke qenë se dhe fëmijët e kopshteve e dinë që ai se prek më pushtetin me dorë dhe s’ka gjasa që ato gjoba të hiqen nga sistemi, premtimin e mbështet, besa, te këto financime!
Luftënxitësit dhe paqebërësit, nëse nuk do grindeshin më me njeri-tjetrin, para se të bëjnë më shumë dëme, janë të detyruara t’í referohen interesave të popullit. Ty protestues i lirë, ndalo veprimin atje ku fillon liria e tjetrit! Mjaft na nxitë jetën!
