AlbTimes
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
Home Botë

Kush është “Kobra”? Gjurmët e snajperistit të Rusisë çojnë në Bosnje

by Alb Times
06/11/2026
in Botë
6
0
Kush është “Kobra”? Gjurmët e snajperistit të Rusisë çojnë në Bosnje

Foto: Lajme ndërkombëtare

6
SHARES
301
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

“Duhet t’ia kthejmë Rusisë borxhin për gjithçka që ka bërë për ne ndër vite”, thotë një burrë me nofkën “Kobra”, i cili u shfaq në televizionin rus në fillim të shtatorit, i veshur me uniformë ushtarake dhe me një maskë të zezë, që i mbulonte pjesën e poshtme të fytyrës.

Në dokumentar, ai prezantohet si snajperist me origjinë nga Bosnje dhe Hercegovina.

Një hulumtim i Radios Evropa e Lirë për identitetin e tij zbuloi gjurmë që çojnë te Petar Popoviq nga Derventa, i cili kërkohet nga drejtësia e Bosnje dhe Hercegovinës.

Sipas dokumentarit, “Kobra” shkoi për të luftuar në Ukrainë në fund të vitit 2022, së bashku me Marko Matoviqin, një vullnetar nga Serbia.

Matoviq u vra në fillim të vitit 2025, gjatë luftimeve në rajonin rus të Kurskut.

Dokumentari rus u transmetua për herë të parë më 6 shtator në televizionin Zvezda, të cilin Bashkimi Evropian e sanksionoi në vitin 2023, me arsyetimin se kontrollohet nga Ministria ruse e Mbrojtjes dhe përhap propagandë për agresionin rus kundër Ukrainës.

Dokumentari i lidh marrëdhëniet historike ndërmjet serbëve dhe rusëve, përfshirë luftërat e viteve ‘90 në ish-Jugosllavi, me pjesëmarrjen e sotme të vullnetarëve serbë në luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

Pjesëmarrja e tyre në këtë luftë paraqitet si një mënyrë për t’ia kthyer Rusisë ndihmën që, sipas narrativit të dokumentarit, ua ka dhënë serbëve ndër vite.

“Nuk mund të thuash thjesht ‘faleminderit’ dhe të vazhdosh tutje. Prandaj, shkova të luftoj dhe do të luftoj deri në fund”, thotë “Kobra” në dokumentar.

Në dokumentar thuhet se “Kobra” ka përvojë luftarake dhe arsimim të lartë ushtarak, si dhe ka shërbyer për vite me radhë në një njësi elitare të Ushtrisë së Serbisë – përgjegjëse për mbrojtjen e zyrtarëve më të lartë shtetërorë.

Aty, ai kujton se si ishte njohur me Matoviqin gjatë stërvitjeve ushtarake në Serbi dhe si kishte qenë dëshmitar i vrasjes së tij gjatë luftimeve në rajonin rus të Kurskut.

Dokumentari është shpërndarë edhe në profilin e Instagramit me emrin kobrasniper333.

Personi që komunikon përmes këtij profili, i konfirmoi Radios Evropa e Lirë se është ushtari i njohur si “Kobra”, që shfaqet në dokumentar.

Megjithatë, ai nuk e zbuloi identitetin e tij të plotë dhe nuk pranoi të zhvillonte një intervistë përmes video-thirrjes.

Të dhënat që “Kobra” dha për veten, përputhen me ato të Petar Popoviqit, për të cilin Radio Evropa e Lirë ka raportuar më herët dhe të cilin Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës e kërkon për shkak të bashkimit me ushtrinë ruse.

“Kobra” ka thënë, ndër të tjera, se ka lindur në vitin 1988 dhe ka konfirmuar se është nga Derventa, në veri të Bosnje dhe Hercegovinës.

Këto të dhëna përputhen me informacionet zyrtare për Popoviqin, të siguruara nga REL-i.

Ai ka thënë se është larguar nga qyteti i lindjes në vitin 2002, por nuk ka pranuar të tregojë se në cilën brigadë të ushtrisë ruse shërben aktualisht.

Dokumentarin rus e ka shpërndarë edhe në kanalin e tij në YouTube, me emrin “VDV-sniper”, ku në vitin 2019 ka publikuar edhe dy video, ku duket me një motoçikletë në Derventa.

Gjurmët që çojnë te Popoviqi

Në maj të vitit 2025, Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës i kërkoi Gjykatës së vendit lëshimin e një fletarrestimi ndërkombëtar për Popoviqin. Pas kësaj, kërkesa iu dërgua INTERPOL-it.

Megjithatë, organizata ndërkombëtare e policisë e refuzoi kërkesën e Bosnje dhe Hercegovinës, duke iu referuar rregullit që ia ndalon përfshirjen në raste me karakter politik, ushtarak, fetar ose racor.

Kjo bëhet e ditur në një dokument që Radio Evropa e Lirë e siguroi më herët.

Prokuroria e Bosnje dhe Hercegovinës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se rasti kundër Popoviqit mbetet i hapur dhe se po ndërmerren veprime për gjetjen e tij dhe ndjekjen penale.

Siç konfirmuan për REL-in burime të sigurisë ukrainase, Popoviq nënshkroi një kontratë me forcat ruse më 17 gusht 2023, por nuk dihet se kur dhe në çfarë rrethanash është larguar nga Bosnje dhe Hercegovina.

Në Facebook, REL-i gjeti një profil me emrin “Petar (Kobra) Popoviq”, ku postimet nuk janë të dukshme.

I vetmi informacion i disponueshëm është se ai ka studiuar në Akademinë Ushtarake në Beograd, por REL-i nuk arriti ta konfirmonte këtë të dhënë me institucionin përkatës.

I pyetur nga REL-i nëse është Petar Popoviq, “Kobra” nuk dha përgjigje, por as nuk e mohoi këtë gjatë komunikimit të mëtejshëm.

Ai konfirmoi se ishte në dijeni që, vitin e kaluar, i ishte kërkuar INTERPOL-it që ta shpallte në kërkim ndërkombëtar.

“Në INTERPOL nuk janë budallenj. Edhe ata e kuptuan se çfarë qëllimi fshihej pas kësaj kërkese. Përndjekje mbi baza kombëtare”, shkroi ai në komunikimin me REL-in.

I pyetur nëse ka frikë se mund të ndiqet penalisht në Bosnje dhe Hercegovinë për shkak të bashkimit me ushtrinë ruse, ai tha se nuk ka qenë në Derventa që tetë vjet dhe se nuk ka arsye të kthehet në Bosnje dhe Hercegovinë.

Ai pretendoi, gjithashtu, se ka marrë shtetësinë ruse dhe ka hequr dorë nga ajo e Bosnje dhe Hercegovinës.

Megjithatë, REL-i nuk arriti t’i verifikonte në mënyrë të pavarur këto pretendime.

Personazhi kryesor i dokumentarit

Në fotografitë dhe videot e publikuara, “Kobra” shfaqet me një maskë që mban një emblemë të ngjashme me simbolin e njësisë speciale të policisë ushtarake serbe, “Kobrat”.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk pranoi të komentonte për këtë çështje.

Pasi “Kobra” u shfaq në dokumentarin rus në fillim të shtatorit, për të foli edhe producentja Ekaterina Gabel, në një intervistë për televizionin rus, më 16 tetor.

Ajo tha se fillimisht ishte planifikuar që “Kobra” të ishte personazhi kryesor i dokumentarit, por ai kishte këmbëngulur që në qendër të tij të ishte Matoviqi, bashkëluftëtari i tij i vrarë.

Gabel e përshkroi “Kobrën” si ushtarak profesionist, oficer dhe të diplomuar në Akademinë Ushtarake në Beograd.

Megjithatë, Radio Evropa e Lirë nuk arriti t’i verifikonte në mënyrë të pavarur këto pretendime.

“Kobra” ishte shfaqur edhe më herët në mediat ruse.

Në vitin 2025, fondacioni rus “Trashëgimia jonë” publikoi një video ku ai tregonte se ishte plagosur më 15 korrik 2024, gjatë luftimeve në zonën e Soledarit, në rajonin ukrainas të Donjeckut.

Deklarata e tij, e regjistruar në një kishë në Moskë, u publikua atëkohë edhe në një gazetë të Ministrisë ruse të Mbrojtjes. Në artikull, ai paraqitej si vullnetar serb dhe snajperist i një njësie speciale, me nofkën e luftës “Kobra”.

Ende asnjë dënim për pjesëmarrje në luftën në Ukrainë

Bosnje dhe Hercegovina nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e shtetasve të saj që kanë shkuar për të luftuar në Ukrainë.

Bazuar në informacionet e institucioneve ukrainase dhe në hulumtimet e veta, Radio Evropa e Lirë ka identifikuar rreth 20 shtetas të Bosnje dhe Hercegovinës që kanë luftuar ose vazhdojnë të luftojnë në anën e Rusisë, që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, më 2022.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, bashkimi me formacione të huaja ushtarake përbën vepër penale, e cila dënohet me të paktën tre vjet burgim.

Deri më tani, autoritetet e vendit kanë shqiptuar dhjetëra vendime gjyqësore, kryesisht ndaj personave të kthyer nga Siria dhe Iraku, të cilët u janë bashkuar grupeve terroriste në këto vende.

Megjithatë, ende nuk ka asnjë vendim dënues për pjesëmarrje në luftën në Ukrainë.

Një nga rastet që u trajtua nga drejtësia ishte ai i Dario Ristiqit nga Modriça.

Por, në prill, Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës refuzoi ta konfirmonte aktakuzën ndaj tij, pasi konstatoi se ai kishte shtetësi ruse në kohën kur iu bashkua ushtrisë së Rusisë./ REL

Tags: BotaKryesoret
SendShare2Tweet2

Lajmet e fundit

10 milionë euro pasuri të sekuestruara! Pallat, toka, apartamente dhe 25 mjete të bllokuara

06/11/2026

Tjetër alarm për bombë në qiejt e Europës, 21 raste të raportuara brenda tri ditësh

06/11/2026

Progres-raporti i KE për Shqipërinë, Meta reagon nga qelia: Nuk ka Europë që mbulon korrupsionin dhe kapjen totale të shtetit, ishte regres-raport

06/11/2026

Forumi BE-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë, ministri Gogu: Lufta kundër korrupsionit, provë kyçe e rrugës evropiane të Shqipërisë!

06/11/2026

BE humb rreth 60 miliardë euro çdo vit nga parajsat fiskale

06/11/2026

“Nuk e do bashkimin e Opozitës”- Ish-kryetarja e Forumit Rinor të PD: Berisha simbol i korrupsionit shqiptar, nuk ka fuqi që të sfidojë Ramën!

06/11/2026

Aksident tragjik në Francë, autobusi me nxënës përplaset me pemën, raportohet edhe për viktima!

06/11/2026

Ministri Hoxha takohet me homologun rumun: Mbështetje për rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së!

06/11/2026

Presidenti me veto në Zyrën Ovale. Hegseth dhe Rubio nuk e “tradhtojnë”: Me Trump deri në fund!

06/11/2026

Paketa e masave/ PD ankimon në Gjykatën Kushtetuese tre aktet e qeverisë për protestat, Bardhi: Po cenohet e drejta e qytetarëve!

06/11/2026

Humbje të mëdha në bursa pas disfatës së republikanëve dhe Trump! Investitorët shesin aksionet, “zhduken” 3,2 trilionë dollarë

06/11/2026

“Raketat Patriot mbeten prioriteti kryesor”- Zelensky: Ukraina duhet të përshtatet me realitetin e ri politik në SHBA!

06/11/2026

Bllokuan qarkullimin gjatë protestës së djeshme në bulevard, Policia gjobit 12 protestues të tjerë me 5 mijë lekë secili!

06/11/2026

“Ekonomia po rritet, ulëm dhe TVSH-në”- Inspektimet dhe biznesi, Rama: Sipërmarrja duhet të jetë në qendër të zhvillimit ekonomik!

06/11/2026

EMRI/ I dënuar për shfrytëzim prostitucioni, kapet në Shkodër 71-vjeçari i kërkuar! Do ekstradohet drejt Italisë, ja sa burg duhet të vuajë

06/11/2026
Facebook Twitter Instagram LinkedIn
AlbTimes

Të fundit

  • 10 milionë euro pasuri të sekuestruara! Pallat, toka, apartamente dhe 25 mjete të bllokuara
  • Tjetër alarm për bombë në qiejt e Europës, 21 raste të raportuara brenda tri ditësh

Shfletoni

  • Botë
  • Dossier
  • Editorial
  • Jetë
  • Kosovë
  • Kronikë
  • Kryesore
  • Kuriozitete
  • Opinion
  • Politikë
  • Sociale

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
SAVED POSTS

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.