AlbTimes
Subscribe
SAVED POSTS
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
AlbTimes
Home Opinion

Nga buxheti te kasa e supermarketit: Sa do ta ndiejnë shqiptarët ndryshimin e taksave? (VIDEO)

by Alb Times
01/11/2026
in Opinion
6
0
Flakët mund t’i ngjajnë Parisit, politika vjen nga tjetërkund

Foto: Kronikë

6
SHARES
309
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Buxheti i vitit 2027 pritet të tejkalojë për herë të parë shifrën e 10 miliardë dollarëve. Qeveria e ka paraqitur si buxhetin më social që vendi ka patur ndonjëherë, të shoqëruar me një paketë fiskale që sipas saj synon të lehtësojë kostot e jetesës. Kritikët, nga ana tjetër, shprehen se familjet shqiptare nuk do të ndiejnë ndonjë ndryshim të madh në ekonominë e tyre shtëpiake sepse disa ulje taksash pritet të shoqërohen me rritje të disa të tjerave.

Dilema është se çfarë do të ndodhë kur buxheti i ri të arrijë në shtëpitë e shqiptarëve? A do të ulen realisht çmimet e ushqimeve? A do të zgjasë më shumë paga? Sa do të shfaqet premtimi i qeverisë kur qytetarët të ndodhen para kasës së supermarketit?

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa, thotë për Apostrof Podcast se tek masat e reja fiskale sheh disa hapa modestë drejt një agjende më sociale. Ai thotë se ndryshimet në taksimin e të ardhurave dhe shtimi i fondeve në shpenzimet sociale janë masa që mund të prodhojnë përfitime reale për shoqërinë. Megjithatë, Xhepa shton se duhet të jemi të kujdesshëm kur vjen fjala tek shkalla e ndryshimeve të pritura. Nisur nga vështirësitë me të cialt përballen familjet me pak të ardhura, ai argumenton se pretendimi i qeverisë është konsiderueshëm më i madh se sa ç’mund të realizojnë këtë masa në jetën e përditshme të shqiptarëve.

Le të marrim përshembull, propozimin për uljen e TVSH-së për ushqimet bazë të shportës, nga 20 në 6 për qind. Qeveria mund ta ulë taksën, por është e vështirë të garantohet që biznesi do ta reflektojë këtë ulje në çmimet e produkteve. Xhepa thotë se formalizimi i transaksioneve dhe një administratë me efikase mund ta lehtësojnë gjurmimin e çmimeve, veçanërisht përmes rrjetit të furnizimit. Por, edhe në atë rast thekson ai, familjet mund të shohin përfitime të pjesshme.

Por, ai thotë se arsyeja përse Shqipëria ka çmime kaq të larta nuk lidhet vetëm me TVSH-në.

“Arsyeja kryesore përse Shqipëria ka çmime të larta është sepse kemi një sistem ekonomie joefiçent,” thotë ai.

Përfytyroni një fermer që merr pak produkt, por përballet me çmime të larta të karburantit apo plehrave kimike dhe kufizime në teknologji. Çdo njësi ushqimi është më e shtrenjtë për t’u prodhuar. Këto kosto ndikojnë në vendosjen e çmimeve të larta për produktet e prodhuara brenda vendit, çka i lejon edhe importuesit të rrisin çmimet e produkteve që nxjerrin në treg. Edhe pse një produkt i sjellë nga jashtë mund të ketë kushtuar më lirë, personi që e shet në Shqipëri priret t’i vendosë një çmim më të lartë, për ta përafruar me çmimet e produkteve të prodhuara brenda vendit, duke siguruar kështu një marzh fitimi më të lartë për veten.

Nga ana tjetër, ai sjell në vëmendje edhe problemin e punëtorëve, që shpesh përfitojnë shumë pak nga ekonomia.

Ai flet për një pabarazi në rritje dhe dobësimin e shtresës së mesme si dy elemente që kërcënojnë stabilitetin demokratik. Në Shqipëri, ai thotë se e sheh këtë problem tek hendeku mes pasurisë private në rritje dhe familjeve që luftojnë për kapur fundin e muajit. Në këtë kontekst, argumenton Xhepa, t’iu kërkosh të pasurve të kontribuojnë më shumë, i shërben interesit të ruajtjes së stabilitetit social.

Por, argumenti i tij nis para se të arrijmë tek fatura e taksave. Nëse punëtorët do të merrnin, përmes pagës, një pjesë më të drejtë të vlerës që kanë ndihmuar të krijohet, atëherë edhe shteti nuk do duhej të ndërhynte shumë për të korrigjuar pabarazinë.

Vlerësimi i Selami Xhepës për buxhetin e ri është pozitiv, por i kujdesshëm. Disa familje do të duhet të përfitojnë, por përmirësimet do jenë graduale dhe pasiguritë ekonomike mund t’i dobësojnë. Ndryshimet e taksave mund të sjellin njëfarë lehtësie, por se sa do të zgjasë kjo lehtësi, varet nga aftësia e vendit për të prodhuar në mënyrë më efikase dhe se sa punëtorët do përfshihen në përfitime.

Intervista e plotë:

Bjorn Runa:Cili ka qenë reagimi juaj i parë në lidhje me buxhetin e ri dhe me masat fiskale që pritet ta shoqërojnë atë?

Selami Xhepa: Shiko, të thuash që është buxhet social në kushtet sociale që ka Shqipëria, duket një pretendim shumë i madh. Por edhe unë mbështes konstatimin që, në qoftë se shikojmë ndryshimet që kanë ndodhur, rialokimet buxhetore dhe, nga ana tjetër, zhvendosjet në barrën fiskale, në mënyrë modeste ka një zhvendosje drejt një agjende paksa më sociale në krahasim me periudhat e kaluara. Këtu ka shumë elemente që kontribuojnë, që nga prezantimi i një norme të re tatimore për pagat shumë të larta, çka do të thotë edhe një lehtësim i barrës për tatimpaguesit me të ardhura të mesme ose shtresën e mesme shoqërore, sepse rritet kufiri i aplikimit të taksës prej 13 për qind nga 2 milionë lekë të vjetër në 3 milionë. Kjo do të thotë që gjithë kjo fashë ka mundësi të nxjerrë disa përfitime reale. Kështu që ka elemente të forta, përtej atyre që përmendët edhe ju, që kanë një dimension social. Nga ana tjetër, edhe në kuptimin e alokimeve buxhetore, pra të faktit se ku shkojnë shpenzimet buxhetore në totalin e shpenzimeve korrente të qeverisë, për agjendën sociale ka njëfarë pretendimi paksa më të madh. Janë rreth 250 milionë euro më shumë që shkojnë kryesisht për shtimin e fondeve sociale, që nënkupton pensionet, sistemin shëndetësor e kështu me radhë. Pra, duket që ka një fokus. Por kur shikojmë gjendjen sociale të shoqërisë dhe kuptojmë që gati gjysma e popullsisë shqiptare jeton me të ardhura shumë modeste, kur kemi parasysh edhe gjendjen e shëndetësisë, të sektorëve të tjerë socialë dhe nivelin e pensioneve në veçanti, kuptohet që pretendimi është i madh. Por shfaqja ka filluar të luhet në kuptimin e një zhvendosjeje dhe fokusi më të fortë drejt grupeve shoqërore më të brishta.

Çdo paketë fiskale dërgon edhe një lloj mesazhi politik në shoqëri. Dërgon një mesazh politik se kujt duhet t’i lehtësohet barra dhe kush duhet të kontribuojë më shumë. Duke parë këto masa, kë mendoni se po përpiqet të “joshë” qeveria dhe kush do të duhet të paguajë për këtë?

Në përgjithësi, në qoftë se nisemi nga tatimet e drejtpërdrejta, që është tatimi i të ardhurave personale, pra ajo që qeveria na merr direkt nga rrogat tona, nga të ardhurat që marrim, duket që shtresat më të pasura do të paguajnë një faturë paksa më të lartë. Por numri i atyre që preken është shumë minimalist. Janë gati, në mos gaboj, sipas statistikave të qeverisë, rreth 1.300–1.400 persona që deklarojnë të ardhura mbi 7 milionë në muaj. Gjithmonë po flasim me lekë të vjetër, meqenëse qytetarët e kuptojnë më kollaj dhe pothuajse të gjithë flasim me lekë të vjetër. Kështu që është një masë shumë e ulët, por ka domethënie më shumë në kuptimin ideologjik të fjalës apo në kuptimin politik. Nga pikëpamja ekonomike nuk është se ka ndonjë efekt shumë të fortë. Elementi i dytë, nga pritet të sigurohet barra më e madhe ose shtesa më e madhe e të ardhurave: ne presim gati 650 milionë euro më shumë në buxhetin e shtetit për 2027-ën. Kjo do të thotë që të gjithë do të paguajmë më shumë taksa. Por burimi kryesor i sigurimit të kësaj shtese të të ardhurave, pothuajse gjysma, një e treta e kësaj shtese, vjen nga tatimi mbi vlerën e shtuar. Në tatimin mbi vlerën e shtuar, që është edhe instrumenti kryesor dhe shtylla, besoj, e sistemit tonë buxhetor, rritja e TVSH-së nga 20 në 21 për qind, nga pikëpamja e shpërndarjes — meqenëse pyetja juaj lidhej me konceptin e rishpërndarjes së të ardhurës — në përgjithësi konsiderohet si tatim regresiv. Pra, si një taksë që paguhet më shumë nga ata që janë me të ardhura më të larta, sepse ata përgjithësisht kanë kapacitet më të madh shpenzues, duke pasur mundësi më të mira financiare. Për pasojë, ky grup shoqëror, i cili shpenzon më shumë, presupozohet që do të mbulojë faturën e gropës që do të krijohet nga reduktimi i TVSH-së në 6 për qind për shpenzimet kryesore të shtresave në nevojë. Për shtresat në nevojë, të ardhurat e të cilave në mënyrë më masive shkojnë për ushqim, presupozohet që do të lirohen disi çmimet dhe do të krijohen mundësi për më shumë konsum. Pra, në tërësinë e vet, mendoj që kjo paketë synon të krijojë më shumë të ardhura nga grupet shoqërore me të ardhura të larta për t’i rialokuar drejt shtresave të tjera shoqërore. Në përgjithësi, mendoj që e realizon deri diku, por se sa eficiente do të jetë, kjo do të varet shumë nga fakti nëse kapacitetet tona administrative do ta arrijnë ta realizojnë këtë synim politik apo jo. Sepse, në thelb, në kontekstin e një ekonomie me çmime të lira që përcaktohen nga tregu, është e vështirë të kontrollohet nëse reduktimet e taksave shkojnë vërtet në përfitim të konsumatorëve apo jo. Shumë studime thonë jo, por kjo varet gjithmonë nga kapaciteti i administratës.

Është propozuar një ulje e TVSH-së për ushqimet bazë. Sa mendoni që do të përkthehet në ulje reale të çmimeve, duke qenë se jetojmë në një sistem kapitalist dhe tregtarët kanë si interes kryesor fitimin dhe mund të duan të fitojnë më shumë nga kjo ulje e taksës pa ulur çmimin?

Është e vërtetë. Edhe një herë, për tatimet indirekte, në kontekstin e çmimeve të liberalizuara, është e vështirë të transmetohen efektet e vërteta dhe reale. Shqipëria është një vend me nivele përgjithësisht të larta të çmimeve. Të gjitha statistikat tregojnë që, krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria po u përafrohet më shumë niveleve të çmimeve të vendeve anëtare të Bashkimit Europian. Kjo ngre një shqetësim të madh dhe serioz: cila është arsyeja? Në shumë diskutime që kemi bërë, një nga elementet që thuhet është që TVSH-ja është e lartë. Kjo është e vërtetë, sepse në vendet e tjera TVSH-ja për ushqimet bazë, për produktet më esenciale të njerëzve, përgjithësisht është shumë më e ulët. Pra, nuk kemi normën standarde 20 për qind, apo Kroacia që e ka 25 për qind TVSH-në; për ushqimet e kanë diku rreth 4–5 për qind, diçka e tillë. Ky mund të jetë një element, por në mënyrë fundamentale, unë mendoj që arsyeja kryesore që Shqipëria ka çmime shumë të larta është fakti që kemi një sistem ekonomik joeficient. Prodhuesit tanë, në përgjithësi, nuk kanë teknologjitë e reja. Bujqësia, për shembull, është me rendimente shumë më të ulëta se në vendet e tjera dhe, kur ke rendiment të ulët dhe kosto të larta prodhimi, kuptohet që çmimi për njësi produkti është shumë më i lartë se në rajon. Ne themi gjithmonë: mirë, po çmimet e importit që vijnë nga jashtë? Çmimet e importit nisen nga niveli i brendshëm i çmimeve dhe, në qoftë se niveli i brendshëm është i lartë, edhe importi, pavarësisht që mund të jetë më i lirë, tenton të kapë çmimet e brendshme në mënyrë që të sigurojë një normë të lartë fitimi. Kështu që, në thelbin e vet, arsyeja që kemi çmime shumë të larta lidhet me gjendjen e brendshme të ekonomisë dhe me faktin që nuk kemi një ekonomi shumë konkurruese. Tani, a do të ndihmojë kjo apo nuk do të ndihmojë? Kjo ndihmon kryesisht në çmimet e importit, sepse TVSH-ja vihet më shumë në import. Është paksa më e vështirë në ekonominë e brendshme, por është shqetësim serioz. Edhe studimet dhe eksperiencat kanë treguar që është e vështirë që kjo të transmetohet e plotë te konsumatori. Në qoftë se sot paguajmë 20 për qind dhe nesër do të paguajmë 6 për qind, atëherë i bie që çmimet duhet të kenë detyrimisht një rënie me 14 pikë në krahasim me sa kanë qenë deri tani. Por këtu mund të ndihmojë edhe një gjë tjetër: formalizimi i sistemit të tregtisë. Për shembull, në qoftë se tregtia kryhet kryesisht përmes rrjetit të supermarketeve, është më kollaj të gjurmohet, sepse supermarketet kanë sisteme të menaxhimit të informacionit, pra regjistrim të transaksioneve e kështu me radhë. Problemi është në qoftë se pjesa më e madhe e tregtisë ndodh jashtë këtij sistemi, kryhet në mënyrë paksa më informale apo në njësi tregtare të vogla. Është gjithmonë e vështirë të ndiqet realisht zinxhiri i formimit të çmimeve deri te konsumatori final. Kështu që është e vështirë të realizohet, por unë e konsideroj më shumë një masë politike, pra si një masë ku qeveria thotë: “Unë po bëj gjithçka që kam në dorë për të ndikuar në reduktimin e çmimeve për produktet e kësaj kategorie shoqërore”.

Nëse reduktimi real i çmimit nuk ndodh në fund, te kasa e supermarketit, a ka një përgjigje që mund të japë administrata ose qeveria ndaj kësaj? Pa kaluar, po themi, në socializëm, se e di që i tremb shumë njerëz si fjalë.

Qeveria gjithmonë e thotë këtë gjë dhe, në njëfarë kuptimi, është një lloj klisheje: në ekonominë e tregut çmimet janë të liberalizuara, është në dorën e tregtarit të vendosë çmimin. Konsumatori ka në dorë të refuzojë blerjen e produktit dhe kjo është mënyra si rregullohen transaksionet në ekonominë e tregut. Por, përtej kësaj, shqetësimi real i shoqërisë sonë duhet të jetë si të krijojmë një ekonomi të çmimeve të ulëta. Pra, si mund të bëjmë që edhe ne të kemi një sektor të brendshëm prodhues që të na çojë drejt çmimeve që i ka edhe Maqedonia? Pse Maqedonia i ka më lirë? Sepse ka bujqësi më konkurruese, më produktive dhe gjithë sektori i ushqimeve të prodhimit të brendshëm është shumë më konkurrues. Për pasojë, edhe produktet e importit që shkojnë në Maqedoni — në Maqedoninë e Veriut, për të qenë politikisht korrekt — do të konkurrojnë me prodhimin e brendshëm me ato nivele të ulëta çmimesh. Për pasojë, në përgjithësi ekonomia ka nivele më të ulëta çmimesh. Këtu duhet të synojë Shqipëria. Në qoftë se shkojmë drejt mbështetjes së bujqësisë dhe agroindustrisë dhe krijojmë një sektor të brendshëm prodhues konkurrues, atëherë niveli i çmimeve të brendshme do të bjerë pa diskutim. Për pasojë, edhe çmimet e importeve do të fillojnë të shkojnë drejt atij niveli, pavarësisht niveleve të barrës fiskale. Barra fiskale ka efektin e vet, por në qoftë se krijojmë një sektor më konkurrues, atëherë edhe barra e taksave mund të jetë realisht më funksionale në këtë rast. Përndryshe, edhe reduktimi i taksave është më pak funksional, më pak efektiv.

Nga ana tjetër, me gjithë uljen e TVSH-së për ushqimet bazë, duket se do të kemi një rritje të normës standarde për produktet e tjera. Shumëkush e ka komentuar sikur qeveria po merr nga xhepi i majtë dhe po e fut te xhepi i djathtë. Pra, nuk është se po ndryshon ndonjë gjë e madhe. Cili do të ishte efekti i këtij balancimi me TVSH-në?

Reduktimi i TVSH-së për një kategori kaq të madhe produktesh, pa diskutim që krijon një gropë në TVSH. Normalisht, TVSH-ja siguron sot gati një të tretën e totalit të të ardhurave të buxhetit. Për pasojë, çdo ndërhyrje te TVSH-ja ka efekte shumë të forta për të gjithë sistemin tonë buxhetor. Duhet kuptuar qartë kjo sfidë që kemi. Nga ana tjetër, rritja me një pikë mendoj që do të ketë një efekt zinxhir, pavarësisht që në pamje të parë duket e vogël, pra nga 20 në 21 për qind. Në thelbin e vet, kjo do të shkaktojë një efekt real. Kemi parasysh që në Shqipëri, sidomos sektori prodhues dhe tregtarët, mjafton të dëgjojnë për rritje të taksës dhe e përkthejnë nga 1 për qind në 2 për qind, 5 për qind e kështu me radhë. Mund të shkaktojë një efekt të tillë që të kemi rritje çmimesh. Në buxhet, nga kjo rritje e niveleve të TVSH-së, është parashikuar që jo vetëm të kompensohen humbjet që krijohen nga niveli i ulët i TVSH-së, por të sigurohet edhe një shtesë jashtëzakonisht e madhe. Kjo nuk vjen vetëm nga rritja e pragut, por edhe nga rritja ekonomike. Vjen nga rritja e çmimeve në përgjithësi, sepse në parashikimet buxhetore merren në konsideratë edhe nivelet e çmimeve të produkteve të kuotuara ndërkombëtarisht, çmimet e plehrave kimike, mineraleve, drithërave, grupeve kryesore të mallrave. Duke pasur edhe projeksionet se çfarë do të ndodhë me çmimet, krijohet një shtesë me gati 300 milionë euro më shumë vetëm nga TVSH-ja. Kështu që, pa diskutim, do të ketë atë efektin që ju thatë: merret nga një xhep dhe çohet në xhepin tjetër. Por, siç e thashë pak më përpara, TVSH-ja konsiderohet një taksë kryesisht regresive, çka do të thotë që kjo do të kontribuohet më shumë nga ata që kanë më shumë të ardhura dhe do të shkojë drejt atyre që kanë më pak të ardhura dhe shpenzojnë për ushqime. Në njëfarë kuptimi, efekti rishpërndarës i kësaj takse pritet të jetë shumë më i fortë se efekti rishpërndarës i tatimit mbi të ardhurat personale.

Ndërkohë është propozuar edhe ulja e pragut të TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Nëse marrim si shembull një biznes të vogël, një dyqan të zakonshëm lagjeje, dhe supozojmë që ka shitje në vit 6 milionë lekë dhe një marzh fitimi të vogël, çfarë do të ndodhte me të në momentin që hyn në sistem dhe detyrohet të paguajë TVSH?

Shiko, e para është që TVSH-ja paguhet nga të gjithë. TVSH-në e paguan konsumatori dhe praktikisht kjo nuk ndryshon asgjë në kuptimin e normës së biznesit. Problemi që krijohet është që këta individë duhet të marrin një kontabilist, duhet të paguajnë dikë që të mbajë faturat e TVSH-së, t’i mbledhë dhe të kërkojë rimbursimin e TVSH-së nga administrata tatimore. Në fakt, çdo vendosje pragu krijon një problem në ekonomi, një problem serioz në marrëdhëniet midis atij që është jashtë pragut dhe atij që është mbi prag. Praktikisht, të gjitha bizneset që janë mbi prag dhe klasifikohen për TVSH nuk mund të kryejnë transaksione me biznese që janë jashtë pragut, pra që nuk përfshihen në TVSH, sepse nuk kanë kujt t’ia kërkojnë TVSH-në. Kjo krijon një ngërç në marrëdhënien biznes i vogël–biznes i madh dhe ne e kemi dëgjuar këtë lloj pretendimi. Nga ana tjetër, kur futen në skemën e TVSH-së, thonë: “Na rriten taksat”. Mirëpo jeta është zgjedhje. Nuk mund t’i kemi të gjitha. Unë kam theksuar edhe herë të tjera që, në sistemet funksionale tatimore, praktikisht çdo subjekt duhet të regjistrohet për TVSH, sepse TVSH-në nuk e paguan subjekti, e paguan individi, konsumatori final. Kjo thjesht shton një rrogë më shumë, sepse duhet të mbash një kontabilist. T’i paguash 100 mijë lekë, 200 mijë lekë në muaj. Pra, rritet një lloj kostoje, pa diskutim. Për disa shërbime, për shembull, efekti mund të jetë edhe në rritjen e çmimeve. Për shërbime që janë komplet jashtë sistemit, pa diskutim që po, sepse përfshirja e tyre në skemën e TVSH-së, shërbimet klasike që ne mund të marrim në qytet, që nga profesionet e lira, sigurisht që do të faturohen me TVSH dhe, për pasojë, çmimet e këtyre lloj shërbimeve do të rriten. Por ky është sistemi që ne kemi zgjedhur. Ne duhet të paguajmë taksa për të pasur buxhet dhe për të shpërndarë. Përndryshe nuk mund të kemi rroga, pensione, rrugë apo ujësjellës.

Qeveria thotë se futja e më shumë bizneseve në sistemin e TVSH-së do të ndihmojë në uljen e informalitetit. Po pse duhet të presim që bizneset që nuk i kanë deklaruar deri tani xhirot e tyre, do të fillojnë t’i deklarojnë nesër vetëm sepse është ulur pragu i TVSH-së?

E para, ulja e pragut të TVSH-së automatikisht klasifikon, në mos gaboj sipas statistikave qeveritare, edhe 27 mijë biznese të reja që futen në skemën e TVSH-së. Praktikisht, gjithkush e ka deklaruar xhiron deri tani. Ulja e këtij pragu do të bëjë që ata të përfshihen. Deri tani i kanë deklaruar, por nuk është se janë përfshirë, pra nuk janë tatuar. Tani do të përfshihen në skemë dhe do të paguajnë. Në njëfarë kuptimi, kjo ndikon në luftën ndaj informalitetit. Problemi është: a do të jetë e aftë administrata jonë tatimore të menaxhojë një popullatë kaq të madhe biznesesh? Kur kemi informalitet të lartë edhe me një numër më të vogël biznesesh, a do të jetë e mundur që kjo administratë problematike dhe jo shumë e zonja të menaxhojë një popullatë shumë më të madhe se kaq? Teorikisht duhet ta luftojë informalitetin dhe të pretendojë më shumë të ardhura, por praktikisht do të varet shumë nga eficienca e administratës sonë, nga kapaciteti i saj për ta luftuar realisht informalitetin.

Çfarë do ta bënte bashkëpunimin ose bindjen e këtyre bizneseve që deri tani kanë qenë informale më tërheqëse sesa nëndeklarimi i shitjeve ose edhe ndarja e biznesit?

Praktikat e vendeve perëndimore, të demokracive të zhvilluara, nuk e shikojnë asnjëherë biznesin thjesht si një lopë për ta mjelë. Në qoftë se e shikon në këtë këndvështrim, kuptohet që marrëdhënia midis shtetit dhe biznesit nuk është një klimë miqësore. Në vendet e tjera, administrata tatimore konsiderohet si partnere me biznesin. Administrata tatimore nuk ka vetëm planin e të ardhurave, që për pasojë punonjësi tatimor, kur shkon, të marrë thesin me vete për ta mbushur me lekë dhe të deklarojë që e realizoi planin. Ka edhe indikatorë të tjerë. Indikatorët e tjerë janë: sa u rrit xhiroja e biznesit, sa u shtua numri i personelit, si kanë ndryshuar pagat e stafit që ka biznesi. Pra, ka një agjendë paksa më të madhe sesa mënyra si funksionon administrata jonë. Gjëja themelore është që administrata duhet të krijojë një sjellje miqësore me biznesin. Në qoftë se një biznes realisht investon, rrit pagat e punonjësve, përmirëson kushtet e punonjësve dhe teknologjinë, administrata duhet të jetë gjithmonë në krahun mbështetës. Kjo është mënyra si duhen ndërtuar marrëdhëniet drejt një shoqërie të zhvilluar, një shoqërie paksa më harmonike dhe jo konfliktuale e problematike.

Ndërkohë është propozuar edhe rritja e taksës mbi dividendin. Nëse mund të marrim një shembull: një punëtor që paguhet me pagë dhe pronarin e një biznesi të madh, të një korporate, që merr të njëjtën sasi parash përmes fitimeve të kompanisë. Sa ndryshe taksohen këto dy lloje të ardhurash?

Deri tani, të ardhurat e qytetarëve dhe të të punësuarve janë tatuar me shkallë të ndryshme tatimore, pra 13 dhe 23 për qind. Tani do të kemi edhe një normë të tretë, 30 për qind. Për të ardhurat e biznesmenit, të pronarit të biznesit, biznesmeni nuk konsiderohet që merr pagë, por që jeton me dividend. Praktikisht, dividendi që shpërndan në fund konsiderohet si e ardhur personale dhe, nga kjo pikëpamje, duhet tatuar njëlloj si e ardhura personale e biznesmenit, ashtu edhe e ardhura personale e punonjësit që punon në një ndërmarrje. Ne paguajmë norma të ndryshme tatimore, por duhet ta llogarisësh si mesatare, sepse vetëm me mesatare mund të arrijmë në një lloj konkluzioni. Mesatarisht, normat tatimore për ata që janë me të ardhura relativisht të mira, që kanë paga relativisht të larta dhe që mund të krahasohen në miniaturë me ata që janë super të pasur, mund të shkojnë rreth 13–14 për qind. Kjo mund të jetë norma mesatare e tatimit, çka e bën normën 15 për qind të dividendit pothuajse të krahasueshme me normën që paguajnë ata që janë të punësuar. Në vendet e tjera, në fakt, edhe për dividendin ka norma të diferencuara tatimore. Për një dividend që shpërndan, ta zëmë, 500 mijë euro, ke një normë të ulët, ndërsa për dividendë që shpërndan 1 milion euro, 2 milionë, 5 milionë, norma shkon deri në 40–45 për qind. Pra, normalisht, siç kemi një sistem të diferencuar për tatimin e të ardhurave personale, presupozohet që duhet të kemi edhe për ata që janë pronarë të kompanive. Por për ata ne kemi një “flat tax”. Praktikisht, për ata kemi taksë qarkullimi dhe për të punësuarit kemi taksë progresive. Ky është pak a shumë dallimi, por në thelb duket sikur norma 15 për qind përafrohet me një normë mesatare për ata që janë me të ardhura relativisht të larta si të punësuar.

A hyn kjo realisht tek ajo që ata që marrin më shumë do të paguajnë më shumë?

Për të punësuarit, po. Për ne, sepse kemi një sistem fort progresiv. Nga 13 në 23 dhe nga 23 në 30 për qind, shkalla e progresivitetit rritet goxha fort, ndërsa për sistemin e biznesmenëve kjo nuk ndryshon. Në biznes, praktikisht, paguajnë të gjithë njëlloj. Siç e thashë, është “flat tax”. Teorikisht, taksa e sheshtë është taksë progresive, sepse ai që merr më shumë paguan më shumë. Pesëmbëdhjetë përqindëshi mbi 2 milionëshin është dy herë më i madh se 15 përqindëshi mbi 1 milionëshin. Pra, ai me 2 milionë paguan dy herë më shumë se ai që fiton 1 milion. Kështu që është progresive. Por ajo që e dallon tatimin e të ardhurës personale të biznesmenëve, që është dividendi, me të ardhurat personale të njerëzve që punojnë, si puna ime dhe jotja, është që ne kemi një shkallë shumë më të fortë progresiviteti. Në qoftë se marrim rrogë mbi 7 milionë lekë, do të paguajmë 30 për qind për çdo të ardhur mbi 7 milionëshin. Kjo i dallon këto të dyja.

Po lexoja një artikull te “The New Statesman”, në lidhje me Britaninë e Madhe. Nuk është se jemi dy vende që mund të krahasohen me njëra-tjetrën, por edhe atje ka një debat shumë të madh në lidhje me buxhetin e vjeshtës 2026. Artikulli kritikonte atë që e quante “buxhetarizëm”, “buxhetarianizëm”, nuk e di cili mund të jetë termi i duhur. Lidhet me faktin që qeveritë fiksohen kaq shumë me parashikimin e të ardhurave dhe arritjen e objektivave fiskalë, sa kjo kthehet në të vetmin kut matës të suksesit të tyre ekonomik. Sa e përshkruan kjo mënyrën si flasim ose debatojmë për ekonominë në Shqipëri sot?

Është shumë e saktë. Sidomos në vendet më të konsoliduara, buxhetarizmi, siç e quani ju, kthehet në një praktikë rutine, sepse bëhet thjesht një ushtrim administrativ. Pak a shumë si në kohën e komunizmit, kur kishim një buxhet dhe e shtonim me 10 për qind. Nga një vit në tjetrin bëhej vetëm një lloj shtese klasike, pa efekte të forta të rishpërndarjes. Por duhet kuptuar që ky debat është global, nuk është vetëm në Britaninë e Madhe. Një nga shqetësimet më serioze të epokës sonë, përtej ngrohjes globale, konflikteve gjeopolitike e të tjera, është rritja e theksuar e pabarazive. Nivelet e pabarazive midis atyre që janë në 1 përqindëshin më të pasur dhe pjesës tjetër të shoqërisë janë rritur shumë. Shtresat e mesme janë pothuajse drejt zhdukjes dhe të gjithë ata që kanë qenë shtresë e mesme ose kanë rënë poshtë, te shtresat e varfra, ose i janë bashkuar atyre shumë të larta. Është holluar komplet ajo që është shtrati social, stabiliteti social i një shoqërie demokratike. Kjo është një krizë e madhe globale. Kështu që është një debat gjithandej: si t’i taksojmë të pasurit? Si mund t’i taksojmë më fort këto grupe shoqërore, në mënyrë që të krijojmë një mekanizëm më të shëndetshëm për shoqërinë? Nuk duhet parë si një luftë klasash. Duhet parë si një sfidë ndaj stabilitetit të rendit tonë global, të rendit tonë demokratik. Përndryshe, në qoftë se krijojmë konflikte shumë të mëdha sociale, atëherë këto që shohim sot në Europë, të rinjtë në rrugët e Europës, do të përkeqësohen akoma më shumë në të ardhmen. Duhet marrë si një sfidë serioze dhe ne si shoqëri duhet ta shikojmë, sepse pabarazitë janë shumë të forta edhe në Shqipëri. Ata që janë super të pasur, në krahasim me 50 për qind të popullsisë që mezi ia del në fund të muajit: ky është një potencial për një konflikt të fortë shoqëror. Duhet parë paksa edhe në një plan më të gjerë. Mos ta shohim vetëm si një luftë klasash, që po i marrim dikujt. Kjo duhet parë si një deformim serioz që po ndodh në procesin e krijimit të të ardhurës dhe që ne duhet ta korrigjojmë më fort. Në qoftë se procesi i shpërndarjes së të ardhurës do të ishte korrekt në procesin e prodhimit, atëherë nuk do të kishim nevojë për kaq rishpërndarje. Në qoftë se në fund të muajit punëtori merr rrogë më të lartë, pra diçka më të mirë nga vlera që është krijuar në procesin e tij të punës, atëherë nuk do të kishte nevojë për të realizuar një proces kaq të fortë rishpërndarjeje. Por sa kohë që deformimi serioz ndodh në procesin e prodhimit të vlerës dhe kjo e thellon pabarazinë sociale, atëherë nuk kemi instrument tjetër përveç financës publike. Si mund ta realizojmë ndryshe? Ose duhet t’i hyjmë pastaj përcaktimit të pagave, t’i marrim bilancin kontabël çdo biznesmeni dhe t’i themi sa t’i paguajë pagat. Ky është shqetësimi i madh që ka shoqëria. Ky debat bëhet në Britaninë e Madhe, në Amerikë dhe kudo. Në Shqipëri duket që po hyjmë paksa në të. Për shembull, mendoj që qeveria bëri një gabim të rëndë kur e uli dividendin nga 15 në 8 për qind. Nuk kishte asnjë arsye për ta ulur nga 15 në 8 për qind dhe tani thjesht po e çon atje ku ishte pak më përpara. Duhet të ishim paksa më të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm në vazhdimësi, në mënyrë që të mos i prapsojmë disa procese që mund ta shëndoshin paksa shoqërinë dhe të korrigjojnë deformimet që shkakton tregu, të cilat janë të njohura si në teori, edhe në praktikë.

Mund të shpjegojmë se si këto masa do të ndryshojnë faturën e taksave që paguajmë në fund, po çfarë na tregojnë për llojin e ekonomisë që duam të kemi pas dhjetë vitesh? Kur i shikoni këto masa, cili është synimi ose vizioni që qeveria mund të ketë për ekonominë në afat të gjatë?

Praktikisht, kjo paketë fiskale nuk krijon privilegje sektoriale. Madje edhe i zhduk disa privilegje. Për shembull, rivendosja ose rritja e normës së TVSH-së për sektorin e turizmit nga 6 në 10 për qind është një rritje e barrës fiskale për këtë sektor, i cili është një nga sektorët më të rëndësishëm kontribues në ekonomi. Nga kjo pikëpamje, efekti i këtij ndryshimi fiskal e cenon paksa më fort këtë sektor, por nuk krijon privilegje të tjera. Praktikisht, i vetmi sektor që mbetet me privilegje është agroindustria, e cila do të vazhdojë të ruajë një normë më të ulët të tatimit mbi vlerën e shtuar, ndërsa politikat e tjera fiskale, siç është tatimi mbi fitimin, janë unike për të gjithë sektorët e ekonomisë. Nga kjo pikëpamje, politika tatimore është shumë neutrale. Por unë nuk e shikoj rolin e qeverisë më shumë në anën e tatimit, sepse mendoj që politika tatimore duhet të jetë neutrale. Nuk mendoj që duhet të jetë preferenciale për sektorë të caktuar, sepse përcjell sinjale të gabuara tek agjentët ekonomikë, tek investitorët. Duhet ta lëmë neutrale atje, por sektorët që duam t’i mbështesim, duhet t’i mbështesim përmes shpenzimeve publike. Pra, nga këto të ardhura që kemi grumbulluar, duhet të alokojmë, nëpërmjet subvencioneve apo politikave të tjera mbështetëse buxhetore, fonde për sektorët që synojmë të zhvillohen më fort. Në këtë kuptim, të gjitha skemat e subvencioneve që kemi janë shumë modeste. Shqipëria shpenzon 0,1 për qind të PBB-së për subvencione, çka do të thotë që praktikisht nuk kemi mjetet e duhura financiare për të mbështetur sektorë të caktuar. Të gjitha fondet që japim për mbështetje për zhvillim ekonomik janë shumë modeste. I vetmi sektor që po financohet pak më shumë është bujqësia, për shkak të fondeve europiane të IPARD-it. Ndoshta, në kontekstin e thellimit të integrimit europian, bujqësia mund të vazhdojë të marrë më shumë mbështetje, së bashku me zhvillimin e rajoneve, pra zonave më pak të zhvilluara apo të prapambetura, për të garantuar një zhvillim më të harmonizuar rajonal. Por në kuptimin e mbështetjes së drejtpërdrejtë për sektorë specifikë, fjala vjen industritë e reja të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit apo industritë e inovacionit, startup-et, praktikisht nuk kemi mjete të forta buxhetore për ta realizuar. Europa e realizon nëpërmjet kësaj. Bashkimi Europian, Komisioni Europian, përdor buxhetin e vet për zhvillimin ekonomik. Mbështetja nuk vjen përmes taksave, privilegjeve dhe normave të diferencuara tatimore, por nga krahu i shpenzimeve. Ne, për shkak të situatës sonë buxhetore, e kemi pothuajse të pamundur të luajmë një rol aktiv. Të gjitha mbështetjet janë shumë modeste dhe të pakta.

Më ka bërë përshtypje që, sa herë shikoj të dhënat dhe raportet ekonomike, bujqësia del ndër të vetmit sektorë që kanë ndikim negativ në ekonomi. Pse ndodh kjo, me gjithë mbështetjen që merr?

Praktikisht, ka rreth tre-katër vite që edhe sektori bujqësor, edhe manifaktura kanë një rënie të fortë. Pra, sektori prodhues ka një rënie të fortë. Mendoj që bujqësia ka rënie për shumë arsye, jo vetëm për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme, por edhe për shkak të braktisjes. Tokat janë bosh tani, njerëzit janë larguar, barinjtë janë larguar, blegtoria ka rënë fort, bujqësia ka rënë fort. Ky është një proces i shkaktuar edhe nga ndryshimet sociale që kanë ndodhur në demografinë e shoqërisë. Kemi më pak njerëz që jetojnë në fshat, më pak njerëz që merren me aktivitet bujqësor e blegtoral dhe, për pasojë, bujqësia ka rënë. Nga ana tjetër, kemi edhe kostot që janë mjaft të larta për punën në bujqësi. Për të qenë i sinqertë, puna në bujqësi vazhdon të mbetet nga punët më të vështira. Historikisht ka qenë dhe vazhdon të mbetet. Kemi rritje të çmimeve të energjisë, të naftës. Kushton shumë të punosh një dynym tokë, kushton fara shumë, kushtojnë fidanët shumë, kushtojnë plehrat kimike jashtëzakonisht shumë, përfshirë edhe ndikimin e konfliktit që ka ndodhur. Ne jetojmë me importe. Praktikisht, lëndët e para që përdorim për bujqësinë, plehrat kimike, janë produkte importi. Për shkak të konflikteve, që nga Rusia dhe në vazhdimësi, çmimet e tyre janë rritur mjaft fort. Ajo që pritet në të ardhmen është një rritje edhe më e fortë e çmimeve në bujqësi. Normalisht, kur rriten çmimet e prodhimeve bujqësore, i bie që fitimet në bujqësi duhet të jenë më të larta. Problemi është që në Shqipëri kostot e prodhimit janë shumë më të larta dhe marzhet e fitimit shumë të ulëta, për shkak të rendimenteve të ulëta që ka bujqësia jonë. Në qoftë se sektori ynë i bujqësisë nuk mbështetet në mënyrë masive dhe nuk ristrukturohet në mënyrë të fortë, në kuptimin e konsolidimit dhe krijimit të fermave më të mëdha që kanë produktivitet më të lartë, atëherë bujqësia jonë është e destinuar të përjetojë edhe dhimbje më të forta. Por, përtej kësaj, Shqipëria ka përsëri një sektor bujqësor relativisht të mirë. Kur them bujqësi, kam parasysh edhe bimët medicinale dhe produkte që janë deri diku industriale. Vazhdon të jetë konkurruese, sepse shesim gati 500 milionë euro në vit. Shesim produkte të klasave zero deri në katër, siç i quajnë ata që merren me bilancin tregtar, që janë kryesisht produkte ushqimore dhe të bujqësisë. Por sidoqoftë, me gjithë potencialin që ka, në qoftë se nuk ka mbështetje të fortë, do të jetë e vështirë që bujqësia të shndërrohet në një industri të rëndësishme për të ardhurat e ekonomisë sonë.

Përmendët se si ka ndikuar braktisja e fshatit. Një pjesë e madhe e njerëzve janë larguar edhe nga vendi, jo vetëm nga fshati, pra po emigrojnë. Për një të ri që ndoshta po e konsideron emigracionin si një zgjidhje sot, çfarë do të duhej t’i shoqëronte këto masa fiskale që ta bindte të mos largohej dhe të qëndronte?

Është një pyetje shumë e vështirë, në fakt, sepse mundësitë për të ndërtuar një punësim në Shqipëri, në kuptimin e një punësimi dinjitoz, “decent work”, siç e thonë, një punësim me vlerë të lartë, me pagesë të mirë dhe që të garanton kushte jetese relativisht të kënaqshme, janë të kufizuara. Sigurisht, është e vështirë gjithandej, jo vetëm në Shqipëri. Edhe në Europë, një student që sapo ka dalë nga shkolla nuk mund të pretendojë… Ka një cikël jetësor të të ardhurave. Njeriu, kur fillon punën, fillon me paga të ulëta dhe përgjatë jetës, duke akumuluar eksperiencë, fillon dhe maturohet. Duhet kuptuar edhe kjo sjellje e të ardhurave përgjatë jetës. Në përgjithësi, gjithandej është ky problem. Por në kontekstin e Shqipërisë, mundësitë janë edhe më të kufizuara për shkak të strukturës ekonomike që kemi. Kemi një strukturë ekonomike që dominohet nga shumë mikrondërmarrje dhe janë të pakta korporatat që krijojnë më shumë mundësi për karrierë, ndërkohë që mikrondërmarrjet nuk kanë mundësi për karrierë.

Aty do të hysh dhe aty do të dalësh në pension. Ka shumë pak mundësi për zhvillim profesional dhe zhvillim karriere. Shumë industri të reja që po zhvillohen sot në botë nuk janë të pranishme në Shqipëri. Ato kanë mundësi për më shumë zhvillim karriere, më shumë kreativitet, më shumë inovacion, pra krijojnë edhe të ardhura shumë më të larta. Këto janë mundësi që u mungojnë të rinjve në Shqipëri, sepse nuk ekzistojnë këto lloj industrish. Unë i shikoj investimet e huaja si instrumentin kryesor që mund ta ndryshojë paksa strukturën ekonomike. Edhe deri tani, po të shikosh, sipërmarrjet e huaja në përgjithësi janë vendet më të pëlqyeshme, sepse ekzistojnë mundësitë për karrierë mbi bazën e meritokracisë, gjë që nuk ekziston në kompanitë shqiptare. Kompanitë shqiptare janë akoma familjare dhe praktikisht, pavarësisht që mund të mos jesh shumë i mirë, djalin tënd do ta marrësh nëpunë, ndërkohë që në kompanitë e huaja nuk ekziston kjo. Pra, ekzistojnë mundësitë për karrierë. Së dyti, kushtet e punës janë të mira. Trajtimi i punëtorëve është shumë i mirë, ndërsa standardet e punës në kompanitë shqiptare, për mendimin tim, janë problematike dhe duhen marrë paksa më seriozisht. Investimet e huaja mund të sjellin industri të reja, por sjellin edhe praktika të reja të trajtimit të stafit, të mënyrës si menaxhohen burimet njerëzore. Kompanitë e huaja e shikojnë stafin realisht si një aset, si një pasuri të kompanisë. Në Shqipëri shihet më shumë si një pasiv, si një kosto, sesa si një aset. Më shumë përkëdhelin makinën sesa përkëdhelin punëtorin. Në këtë pikëpamje, ka sfida shumë serioze në shoqërinë tonë.

Një pyetje të fundit. Në qoftë se një familje sot i shpenzon të dyja rrogat, pra bashkëshorti dhe bashkëshortja i shpenzojnë të dyja pagat dhe kanë vështirësi për të nxjerrë muajin, çfarë mund të presë konkretisht nga ky buxhet i ri? A do t’i mbetet diçka mënjanë në fund të vitit 2027?

Shiko, ndryshimet në të ardhurat në Shqipëri janë shumë graduale. Janë mjaft të pjesshme, të vogla. Kjo do të thotë që efektet e politikës nuk mund të vihen re brenda një viti. Do të duhet kohë që të ndihen efektet e politikave fiskale. Mendoj që, në tërësi, për kategorinë e atyre që janë me të ardhura relativisht të ulëta dhe të mesme, pritet të ketë efekte pozitive, sepse ka një reduktim të barrës tatimore, sidomos për shtresat e mesme shoqërore. Ka një zhvendosje më të madhe drejt shtresave që janë më të margjinalizuara dhe më pak të shëndetshme ekonomikisht. Për shembull, priten rreth 250 milionë euro më shumë që do të shkojnë drejt agjendës sociale. Grupet shoqërore më të brishta do të kenë më shumë para në dispozicion për të shpenzuar, por kjo nuk do të thotë që do të bëjë mrekullinë. Në qoftë se sot gjysma e popullsisë mezi ia del në fund të muajit, nuk presim që kjo të përgjysmohet. Jo! Do të kemi përsëri sfida serioze në vazhdimësi dhe duhet thënë që edhe pasiguritë janë shumë të mëdha sot. Ky buxhet niset nga skenari që ekonomia vazhdon në një kontekst normaliteti, por shikojmë që probleme ka. Rreziqe dhe pasiguri për të ardhmen ekzistojnë, qoftë të brendshme, qoftë të jashtme. Gjeopolitika është një barrë e madhe, por nga ana tjetër shikojmë edhe tensionet e brendshme sociale, të cilat mund të kenë efektin e tyre sidomos në turizëm. Mirëpo turizmi sot është nga sektorët më të rëndësishëm për të ardhurat e individit dhe një pjesë e madhe e popullsisë ka jetuar me ato para. Në qoftë se nesër këto para do t’i mungojnë, atëherë jo vetëm që nuk do të përmirësohet jetesa, por mund të krijohen edhe vështirësi reale për disa.

Tags: KryesoretOpinion
SendShare2Tweet2

Lajmet e fundit

“Nuk qëllohet mbi Policinë, or trim”, Balla nxjerr videon nga protesta: Asnjë veprim i paligjshëm nuk do të mbetet pa vendosur autorin para ligjit!

01/11/2026

Atentati me eksploziv ndaj Beqir Devollit, ja rolet e 4 autorëve të dyshuar të vrasjes

01/11/2026

Aksident i rëndë në autostradën Rrogozhinë-Lushnjë/ Përplasen tre makina, një person përfundon në spital

01/11/2026

Bullgaria vendos mes Moskës dhe Brukselit, Yliana Yotova fiton garën presidenciale, ja rezultatet nga sondazhet

01/11/2026

Negociatat për Hormuzin, Irani pret përgjigjen e SHBA-së dhe kërcënon me sulme ndaj anijeve luftarake amerikane

01/11/2026

Rexhaj: Në Serbi e majta dhe e djathta bashkohen për një kauzë, në Shqipëri ndodh e kundërta

01/11/2026

Popullor, pa popull fare

01/11/2026

Aksident në Korçë, Benz-i përplas këmbësorin pranë terminalit të autobusëve

01/11/2026

Protestat dhe arrestimi i kreut të SHISH-it, eksperti i sigurisë: Operacione kinetike me impakt psikologjik

01/11/2026

Debati i vërtetë nuk është mbi pronarët e protestës, por mbi autorët e dështimit të saj

01/11/2026

Shkoi për të kërkuar punë, por përfundoi duke vjedhur Bugatti-n me vlerë 3 milionë euro

01/11/2026

Trafik kilometrik në aksin Balldren-Milot, fundjava bllokon qarkullimin e automjeteve

01/11/2026

Nga buxheti te kasa e supermarketit: Sa do ta ndiejnë shqiptarët ndryshimin e taksave? (VIDEO)

01/11/2026

Prapaskenat: Përtej sherrit mes opozitës në protestë

01/11/2026

Për të pestën ditë në protestë për vrasjen e Arlinda Zekajt, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e dy ministrave në Kosovë

01/11/2026
Facebook Twitter Instagram LinkedIn
AlbTimes

Të fundit

  • “Nuk qëllohet mbi Policinë, or trim”, Balla nxjerr videon nga protesta: Asnjë veprim i paligjshëm nuk do të mbetet pa vendosur autorin para ligjit!
  • Atentati me eksploziv ndaj Beqir Devollit, ja rolet e 4 autorëve të dyshuar të vrasjes

Shfletoni

  • Botë
  • Dossier
  • Editorial
  • Jetë
  • Kosovë
  • Kronikë
  • Kryesore
  • Kuriozitete
  • Opinion
  • Politikë
  • Sociale

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com
No Result
View All Result
  • Politikë
  • Opinion
  • Kronikë
  • Sociale
  • Botë
  • Jetë
  • Dossier
SAVED POSTS

© 2018-2026 ALBTIMES - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.