Ish-kryeministri Sali Berisha refuzon ta pranojë se ishin protestuesit ata që dëbuan militantët e Partisë Demokratike për të mos u bashkuar sot te Ministria e Arsimit. Ai akuzon kryeministrin Edi Rama se u përpoq të krijonte përçarje, ndërsa vetë shprehu sërish mbështetje për protestuesit dhe nxiti të tjerë të bënin të njëjtën gjë.
Sipas kreut të PD, përpjekjet për të krijuar përçarje u ndërmorën nga Arlind Qori dhe policia, por nuk ia dolën.
“Tirana përjetoi sot një ditë tjetër terrori, dhune të falangave të narkoshtetit në mbrojtje të kreut të organiztës kriminale, padrinos dhe zyrtarëve të tij. trimëria, guximi, vendosmëria e studentëve të revoltuar dhe gjimnazistëve mposhti në të gjitha rastet sulmet e egra të narkobanditëve që u përpoqën të shtypin me dhunë protestën. Ndaj, dhe unë kam një mirënjohje të pakufishme për të gjithë gjimnazistët që me guximin, kurajnë, vendosmërinë e tyre, arritën sot të jenë de facto zotërit e vërtetë të Tiranës.
I treguan sot regjimit se dorëheqja e Edi Ramës është kusht i të gjitha kushteve për një kapitull të ri në paqen sociale të vendi, për krijimin e një qeverie kujdestare në mënyrë që shqiptarët të shkojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ftoj të gjithë qytetarët, forcat politike të bashkohen në mbështetje të revoltës studentore me qëllimin e largimit të padrinos dhe rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve, me qëllim të bëjnë të mundur shqiptarët të zgjedhin me votën e tyre më të mirët që ata mendojnë.
Sot dështoi në mënyrën më të turpshme përpjekja e Edi Ramës për të përçarë protestën në mënyrën më të neveritshme. Ata të cilët si puna e Qorit të tij që deklarojnë se protestojnë për të përmirësuar, ata janë Jago të revoltës studentore. Studentët e revoltuar, gjimnazistët i kanë prerë biletën Edi Ramës. Në këtë përpjekje pati edhe mjeranë të angazhuar nga policia kriminale, por që të gjithë morën përgjigjen e merituar. Edi Rama me puthadorët e tij, dështoi të përçajë protestën. Protesta studentore ka nevojë jetike, të madhe të mbështetet nga të gjithë ata që besojnë se Rama është një e keqe e madhe në këtë vend që duhet të largohet menjëherë”, tha Berisha.
