Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se partia që ai drejton e mbështet protestën “që nga minuta e parë”, por nuk është organizatore e saj.
“Partia Demokratike është në protestë që në datën 1 qershor, por dua të sqaroj një gjë. Vera që kaloi u karakterizua nga protesta më e madhe qytetare në historinë e vendit. Në këto rrethana, partia e protestës, nëna e protestës në Shqipëri, u përshtat dhe respektoi karakterin qytetar. Morën pjesë me qindra mijëra anëtarë të PD-së çdo natë, pa simbolet e saj. Vendosi të respektonte frymën dhe karakterin qytetar. Sa i përket protestës së studentëve, po përpiqen shumë për autorësi, por e vërteta është se protesta u thirr nga Sindikata e Universiteteve, më 13 tetor, te Ministria e Arsimit. Analizat e rreme janë të neveritshme. Thirrjes për protestë iu përgjigj Forumi Rinor i Partisë Demokratike, dega e universiteteve. Kështu që, në datën 13 në protestë ishin me qindra anëtarë të strukturave të PD-së, por edhe grupe pa lidhje me Forumin. Edi Rama u hodh kafshërisht mbi ta dhe mendoi se duke i shtypur egërsisht ditën e parë, do të shuhej zëri i tyre. Përkundrazi, ata thirrën sërish protestë. Ne jemi në mbështetje të revoltës studentore dhe në mbrojtje të tyre”, tha Berisha në studion e “ÇdoKënd” nga Merita Haklaj, në A2CNN.
Berisha theksoi se Partia Demokratike nuk pretendon të jetë organizatore e protestës, “por kemi marrë pjesë që në minutën e parë”.
“Strukturat tona në universitete dhe gjimnaze iu përgjigjën thirrjes për protestë, por nuk jemi organizatorë”, theksoi kreu demokrat.
Sipas tij, “janë të gjitha partitë aleate në mbështetje të protestës”.
