Protesta e studentëve, pedagogëve dhe të rinjve vijoi këtë të martë për të 17-ën ditë radhazi në Tiranë. Fillimisht, protestuesit u mblodhën përpara Ministrisë së Arsimit, ndërsa më pas marshuan në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit.
Pas grumbullimit para Ministrisë së Arsimit, studentët u drejtuan drejt Kryeministrisë, ku përsëritën kërkesat e tyre dhe thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama. Protesta po zhvillohet në qetësi, pa incidente apo përplasje me forcat e policisë, ndryshe nga sa ka ndodhur ditët e para.
Autoritetet vendosën një kordon sigurie në zonë dhe morën masa për menaxhimin dhe devijimin e trafikut. Gjatë tubimit, protestuesit brohoritën thirrje si “Dorëheqje” dhe “Revolucion”, duke kërkuar ndryshime dhe mbështetje për kauzën e tyre.
Ashtu si në ditët e mëparshme, studentët kanë refuzuar ftesat për dialog të kryeministrit Edi Rama, duke këmbëngulur se kërkesat e tyre duhet të plotësohen përpara nisjes së çdo procesi negociues edhe pse kreu i qeverisë ashtu si më parë, edhe sot ka vendosur ftesat për dialog para godinës së Kryeministrisë.
Protestuesit aktualisht ndodhen para godinës së Kryeministrisë, ku po vijojnë tubimin e tyre në ditën e 17-të. Të rinjtë, studentët dhe pedagogët kanë bllokuar pjesërisht bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ndërsa po përsërisin kërkesat e tyre dhe po brohorasin slogane kundër qeverisë.
Situata para Kryeministrisë paraqitet e qetë, pa incidente apo përplasje me forcat e policisë, të cilat janë vendosur në perimetrin e institucionit për të monitoruar mbarëvajtjen e protestës.
