Shefi i policisë së Guatemalës, David Custodio, dhe zëvendësi i tij, Esvin Kitche, janë shkarkuar nga detyra pas vrasjes së ish-prokurorit Juan Francisco Solorzano Fopa, i cili kishte denoncuar lidhjet mes zyrtarëve, politikanëve, biznesmenëve dhe grupeve kriminale në vend.
Lajmi u bë i ditur të martën nga ministri i Brendshëm, Marco Antonio Villeda, i cili tha se ndryshimet në drejtimin e policisë janë pjesë e një procesi hetimor të nisur pas vrasjes së ish-prokurorit.
Solorzano Fopa, 43 vjeç, u vra më 17 tetor në mes të ditës, përpara të birit, në një qendër sportive në kryeqytet.
Ish-prokurori kishte denoncuar publikisht lidhjet e dyshuara mes autoriteteve, politikanëve, biznesmenëve dhe bandës kriminale Barrio 18, e konsideruar ndër më të fuqishmet në Guatemalë. Ai kishte akuzuar drejtpërdrejt edhe drejtorin e atëhershëm të policisë, David Custodio, për lidhje me krimin e organizuar.
“Ky është një person që bashkëpunon me krimin e organizuar, do ta them hapur”, kishte deklaruar Solorzano gjatë një podkasti.
Ai e kishte akuzuar gjithashtu Custodion se kishte lehtësuar dhe nxitur arratisjen e 20 drejtuesve të bandave nga një burg i sigurisë së lartë një vit më parë.
Ministri i Brendshëm, Marco Antonio Villeda, deklaroi se shkarkimet janë pjesë e një procesi rishikimi dhe ristrukturimi institucional, me synimin për të forcuar policinë.
“Ky vendim është pjesë e procesit të rishikimit dhe ristrukturimit institucional që po kryejmë me qëllim forcimin e policisë”, tha Villeda gjatë një konference për shtyp, ku ishte i pranishëm edhe presidenti Bernardo Arevalo.
Vrasja e ish-prokurorit ka tronditur Guatemalën, në një kohë kur vendi po përballet me rritjen e krimit dhe tensione të larta politike, ndërsa zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2027 po afrohen.
The post Denoncoi lidhjet e shefit të policisë me krimin e organizuar, si u vra para të birit ish-prokurori në Guatemalë appeared first on Euronews Albania.
Burimi: Botë
