SPAK përfundoi hetimin ndaj 17 personave, të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal të trafikut ndërkombëtar të kokainës dhe marijuanës.
Mes të pandehurve të grupit të zbërthyer nga të dhënat e siguruara nga platforma e enkriptuar “SKY ECC” janë edhe i kërkuari nga drejtësia, Endrit Dokle, si edhe Rexhep Rraja, djali i ish-deputetit socialist, Rrahman Rraja.
Sipas SPAK, drejtuesit dhe financuesit e grupit ishin të pandehurit Emiljan Burba, Rexhep Rraja dhe Ervis Shuli, ndërsa të tjerët ishin në rolin e pjesëmarrësve, shkruan A2.
Hetimi i nisur në vitin 2024, ka dokumentuar tre episode trafiku të drogës. Në një prej tyre, të pandehurit akuzohen për trafikimin e njësasie prej 475 kg kokainë nga Ekuadori në Holandë.
Sasia e drogës amerikanolatine u sekuestrua nga autoritetet holandeze në nëntor 2020. Në të njëjtin muaj, në Malin e Zi u sekuestrua një sasi prej 1722 kg marijuanë të nisur nga Shqipëria me destinacion përfundimtar Germaninë. Në një tjetër episod, të janarit 2021, anëtarët e dyshuar të grupit akuzohen për trafikimin e një sasie prej 236 kg marijuanë nga Shqipëria në Turqi, sasi e sekuestruar nga autoritetet turke.
Në dosjen e depozituar në gjykatës SPAK kërkon gjykimin e të pandehurve për disa vepra penale, mes të cilave “trafikim të lëndëve narkotike”, “grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerje të veprave nga organizata kriminale”.
SPAK njoftoi se ka lënë hapur një fraksion të këtij hetimi, me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të të pandehurve dhe vijuar hetimin pasuror të tyre.
